Partitë nuk japin detaje rreth bisedimeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ASH: Nuk jemi pjesë e atyre takimeve

Pushteti dhe opozita maqedonase nuk japin detaje rreth asaj se çfarë po bisedohet në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nëse ka ndonjë përparim apo ndonjë element të ri në bisedimet e grupeve punuese për ndryshime në Kodin Zgjedhor, që po zhvillohen. Të paktën, informata të tilla nuk janë ndarë me mediat.

Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Aleksandar Vidinovski deklaroi për Portalb.mk se nuk ka ndonjë ngecje në punën e grupit punues, ku sipas tij, marrin pjesë gjashtë partitë parlamentare. Madje, Vidinosvski tha se supozohet që së shpejti të jetë takimi i radhës.

Nga LSDM nuk i janë përgjigjur telefonave dhe pyetjeve me shkrim të Portalb.mk se si po zhvillohen bisedimet. As nga VMRO – DPMNE nuk kanë dhënë detaje se çfarë po ndodhë në këtë drejtim. Në lidhje me listat e hapura dhe Kodin Zgjedhor, kjo parti nuk ka precizuar ndonjë qëndrim të saktë se cilat janë kërkesat e tyre, por kanë thënë se mbesin në qëndrimin se propozimet që vijnë nga pushteti dhe që kanë të bëjnë me këto çështje, do të shqyrtohen.

“Sa i përket listave të hapura dhe Kodit Zgjedhor ka shumë detaje, gjithçka është në lojë, gjithçka duhet të shqyrtohet dhe të ndërmerret qëndrim në lidhje me propozimin që do të arrinte në Kuvend. Në lidhje me listat e hapura do të theksoja se në shkurt të vitit të kaluar kur u bënë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kur u soll ligji për zbatimin e fingerprints që tash sërish duhej të miratohej, VMRO – DPMNE ishte për një njësi zgjedhore dhe për lista të hapura, ndërsa ekipi negociues i LSDM-së ishte kundër vendosjes së një njësie zgjedhore dhe listave të hapura. Se si do të jetë këtë herë duhet të shqyrtohet”, ka thënë së fundi zëdhënësi i kësaj partie, Naum Stoilkovski.

Ndërkohë, nga Aleanca për Shqiptarët pretendojnë se nuk janë fare pjesë e këtyre takimeve. Deputeti i kësaj partie, Elmi Aziri, deklaroi për Portalb.mk se ka informatë se takimi të tilla zhvillohen, por se nuk kanë ende ftesë që të marrin pjesë në ato.

Edhe deputeti Halil Snopçe nga e njëjta parti, tha për Portalb.mk se nuk janë pjesë e këtij grupi.

“Nuk e di a ka grup. Nuk kemi takime ne për Kodin Zgjedhor. Ne faktikisht nuk jemi pjesë e grupit të takimeve për Kodin Zgjedhor si Aleancë. Më duket se ato takime realizohen ekzluzivisht mes LSDM-së dhe VMRO-së. Ne nuk kemi mbajtur ndonjë mbledhje zyrtare, se paku unë se di se po të ishte për Kodin Zgjedhor ma merr mendja se unë do isha i deleguar i partisë. Ne nuk jemi pjesë e ndonjë takimi zyrtar parlamentar apo qeveritar, ne nuk kemi përfaqësues, unë nuk kam informata se kemi përfaqësues atje. Faktikisht unë sa e di, ka pasur disa takime mes VMRO-së dhe LSDM-së. Kështu që, ne nuk kemi qenë pjesë e atyre takimeve, nuk kemi pasur as ftesë. Ne kemi propozuar tetë njësi zgjedhore, ne kemi qenë kundër një njësi zgjedhore, kemi qenë për lista të hapura, për fingerptint”, tha Snopçe.

Kërkesat e Aleancës për Shqiptarët, të publikuara edhe më herët, janë që në bisedimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të diskutohet edhe për  zgjedhjet parlamentare jo vetëm për zgjedhjet lokale. Ata kërkojnë që të ketë lista të hapura edhe për zgjedhjet parlamentare edhe për zgjedhjet lokale, të ketë gjurmë gishti, gjithashtu ata kërkojnë që të ketë tetë njësi zgjedhore dhe janë shprehur kundër modelit me një njësi zgjedhore.

Ndryshimet  në Kodin Zgjedhor kanë qenë temë e diskutimin edhe në takimin mes kryeministrit, Zoran Zaev dhe liderit të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickiski. Ato pas këtij takimi deklaruan se janë dakorduan për ndryshimet në modelin zgjedhore, në mesin e të cilave janë të përfshira edhe listat e hapura.

Dy liderët gjatë këtij takimi, u dakorduan që të inkurajojnë negociatat, përkatësisht grupet parlamentare kanë biseduar për ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, apo nëse ka propozime të reja. Më tej, lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhje të kryetarit të komunë në rrethin e parë me atë që do të jetë e mjaftueshme një përqindje e caktuar nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë komunë ku zgjedhet kryetari dhe në fund është votimi nga diaspora në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jashtë përfaqësive diplomatike dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit të kaluar, dy deputetë kishin ngritur iniciativën për ndryshime në Kodin Zgjedhor, por për shkak të përplasjeve mes subjekteve politike të cilat nuk arritën ujdi për sa i përket kësaj çështjeje, ndryshimet e Kodit Zgjedhorë për sa i përket hapjes së listave zgjedhore nuk arritën të miratohen.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputet secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button