RMV, ende nuk janë gati ndryshimet në Kodin Zgjedhor për lista të hapura

Të paralajmëruara disa herë nga zyrtarë të ndryshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndryshimet ligjore për Kodin Zgjedhor ende nuk janë realizuar. Pjesë e këtyre ndryshimeve duhet të jenë edhe listat e hapura për këshilltarët në zgjedhjet lokale në tetor. Edhe pse kanë mbetur disa muaj nga zgjedhjet, ndërsa listat e kandidatëve duhet të dorëzohen më herët, Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka përgatitur ligjin, shkruan Portalb.mk.

Në një deklaratë të dhënë për Portalb.mk, thanë se grupet punuese po zhvillojnë takime në mënyrë që të arrijnë konsensus rreth kësaj.

“Grupet punuese për ndryshim të Kodit Zgjedhor kanë zhvilluar disa takime në të cilat është biseduar për vendosjen e listave të hapura për këshilltarë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Këto bisedime do të vazhdojnë, sepse qëllimi është që këto ndryshime të miratohen me konsensus mes partive politike”, deklaruan nga Ministria e Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, në fillim të mandatit të Qeverisë së re, përkatësisht në shtator 2020, deklaroi se listat e hapura të këshilltarëve në zgjedhjet e ardhshme lokale do të ishin një hap përpara drejt realizimit të përpjekjeve për të ndryshuar modelin zgjedhor dhe për të futur një zonë elektorale të vetme për zgjedhjet parlamentare.

Edhe ministri për Vetëqeverisje Lokale, Goran Milevski në shtator të vitit të kaluar, informoi se po përgatiten ndryshime në modelin për zgjedhjen e këshilltarëve, ndoshta si një “uverturë” për ndërrimin e modelit zgjedhor për deputetë.

Ndryshimet  në Kodin Zgjedhor kanë qenë temë e diskutimin edhe në takimin mes kryeministrit, Zoran Zaev dhe liderit të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickiski. Ato pas këtij takimi deklaruan se janë dakorduan për ndryshimet në modelin zgjedhore, në mesin e të cilave janë të përfshira edhe listat e hapura.

Dy liderët gjatë këtij takimi, u dakorduan që të inkurajojnë negociatat, përkatësisht grupet parlamentare kanë biseduar për ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, apo nëse ka propozime të reja. Më tej, lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhje të kryetarit të komunë në rrethin e parë me atë që do të jetë e mjaftueshme një përqindje e caktuar nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë komunë ku zgjedhet kryetari dhe në fund është votimi nga diaspora në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jashtë përfaqësive diplomatike dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit të kaluar, dy deputetë kishin ngritur iniciativën për ndryshime në Kodin Zgjedhor, por për shkak të përplasjeve mes subjekteve politike të cilat nuk arritën ujdi për sa i përket kësaj çështjeje, ndryshimet e Kodit Zgjedhorë për sa i përket hapjes së listave zgjedhore nuk arritën të miratohen.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputet secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button