Selami e demanton Simovskin për deklarimin e përkatësisë etnike nga familjarët

Zëvendës drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Ilmi Selami, ka qëndrim të ndryshëm nga drejtori, Apsotoll Simovski, në lidhje me deklarimin e përkatësinë etnike dhe fetare të një pjesëtarit të familjes, i cili nuk do të gjendet në shtëpi në kohën e regjistrimit të popullsisë, njofton Portalb.mk.

“Nëse vetë nuk je i pranishëm kur kryhet regjistrimi i popullsisë, familjarët nuk munden ta regjistrojnë përkatësinë etike dhe fetare tënden, pavarësisht nëse jeton në Maqedoni ose jashtë Maqedonisë”, tha Simovski në konferencë për shtyp më 5 shkurt, i cili ishte i shoqëruar me zëvendësin e tij Selamin.

Para se të publikohet metodologjia për regjistrimin e popullsisë, drejtori i ESSH-së bashkë me zëvendësin e tij, mbajtën takim joformal me gazetarët, në të cilin takim u fol gjithashtu edhe kjo çështje.

Mospajtimin për këtë çështje, Selami nuk e tha as në konferencë për shtyp e as në takimin joformal me gazetarët, pavarësisht se në të dyja daljet të dy funksionarët ishin bashkë.

Selami zgjodhi ta tregojë mospajtimin e tij, pasi mbaroi konferenca për shtyp dhe takimi joformal me gazetarët. Në një deklaratë për TV21, ai thotë se nuk e di çfarë ka dashur të thotë drejtori, por e ka gabim nëse mendon që përkatësia fetare dhe etnike e një qytetarit nuk mundet të deklarohet nga familjarët e tyre, nëse ai nuk është i pranishëm.

“Nuk e di çfarë ka dashur të thotë drejtori dhe më mirë është atë ta pyesni. Por, e di që atë që e tha është gabim. Si e para, diçka e tillë nuk parashihet as me ligj, por as me metodologji. Dispozita ligjore është e përgjithshme dhe thotë se do të japë të dhëna, duke filluar nga numri amë e gjithçka që ka të bëjë me regjistrimin”, thotë Selami.

Nëse ndodh ajo që e ka thënë Simovski, opozita shqiptare ka paralajmëruar iniciativë për parandalim.

Metodologjinë e plotë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

Kuvendi më 21 janar e ka miratuar Ligjin për Regjistrim të Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave në Maqedoninë e veriut, sipas të cilit regjistrimi duhet të zhvillohet 1 deri më 21 prill të këtij viti. Ligji garanton mbajtjen e regjistrimit sipas standardeve ndërkombëtare dhe Eurostatit.

Opozita mbetet në qëndrimin se regjistrimi duhet që të anulohet për vitin e ardhshëm, dhe nëse insistohet që i njëjti të mbahet në pranverë, ajo të bëhet nëpërmjet rrugës elektronike. VMRO-DPMNE formalisht ka filluar edhe iniciativë për shfuqizimin e Ligjit për Regjistrim. Përballë qëndrimit të VMRO-DPMNE-së, LSDM është me qëndrim se një lloj i tillë i operacionit statistikor nuk do t’i japë të dhënat e plotë ashtu siç janë të nevojshme dhe sipas standardeve të Eurostat.

Kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski, paraprakisht deklaroi se sipas tij nuk do të ishte problem që zbatimi i regjistrimit të anulohet për në maj ose qershor, ndaj së cilës, pardje, kryeministri Zoran Zaev tha se një propozim i tillë mund të shqyrtohet, por, vetëm nëse bëhet fjalë për anulim për një ose dy muaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button