Pendarovski paralajmëroi mundësi për prolongim të regjistrimit, Mickoski tha se është vonë për kompromis
Ekziston opsion i hapur për prolongim të afatit për zbatim të regjistrimi prej 1 deri më 21 prill të këtij viti, sipas ligjit të miratuar për regjistrim, përderisa për atë arrihet konsensus politik. Këtë çështje e ka parashtruar presidenti Stevo Pendarovski në emisionin e mbrëmshëm në TV 24, me çka theksoi se përgjegjësi në këtë rast duhet të mbaj te pushteti dhe ajo ti shtrijë dorën opozitës, transmeton Portalb.mk.
“Pohoj se polarizimi politik e çon mbrapa shtetin tonë më shumë se gjithçka tjetër. A është problem t’i bësh thirrje njerëzve të tu të mos bojkotojnë apo regjistrimi të jetë në maj apo në qershor. T’i shtrijmë dorën njëri tjetrit. Nuk shoh arsye pse regjistrimi të mos prolongohet për një muaj apo dy. Janë plotësisht legjitime kërkesat nga aspekti shëndetësor. Nëse kemi pritur 20 vite, nuk do të ishte mëkat të jetë në maj apo qershor, por ta realizojmë që të mos ketë aspak frikë te qytetarët për shkak të covidit”, tha Pendarovski.
Ai shtoi se, metodologjia për regjistrimin do të shqyrtohet nga të gjithë dhe këtu mund të implementohen të gjitha propozimet konstruktive dhe se dëm më të madh nga bojkotimi i regjistrimit do të kenë ata të cilët bëjnë thirrje për bojkot, sepse synojnë për një bashkësi etnike.
“Vlerësoj se nga thirrja për bojkot do të ketë dëm për atë bashkësi etnike për të cilën synon, ndërsa është e mundur që në fund të regjistrimit disa subjekte politike të thonë se nuk i pranojnë rezultatet, ajo është legjitime. Me bojkot do të bëhet dëm i madh politik, nuk do të fitosh asgjë, por do të humbasish”, potensoi Pendarovski.
Në lidhje me deklaratën e Pendarovskit për prolongim të mundshëm të afatit të zbatimit të regjistrimit, kryeministri Zoran Zaev në konferencën e sotme për media, tha se është i gatshëm për prolongim.
“E kam parë edhe propozimin e presidentit Pendarovski që të prolongohet regjistrim për disa muaj, ok, unë jam çdoherë i gatshëm, gjithçka është e vlefshme që të mendohet. E dimë se regjsitrimi nuk zbatohet në verë, në shtator është fushata, tetori është periudhë zgjedhore për zgjedhjet lokale. Për pushtetin është e pranueshme që regjistrimi të prolongohet deri në mesin e qershorit, por opozita ka refuzuar atë propozim”, deklaroi Zaev.
Ndërkohë, VMRO – DPMNE, siç paralajmëroi mbrëmë kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, sot filloi procedurën për anulim të ligjit për regjistrim, me dorëzimin e iniciativës në KSHZ për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve, të cilat planifikohen në fillim të marsit. Argumenti kryesor i partisë është se për shkak të krizës së covidit, regjistrimi është i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve dhe për këtë bëhet thirrje të prolongohet për një vit, apo të zbatohet këtë vit në formë elektronike.
Sipas kësaj partie, propozimi i Pendarovski për kompromis rreth fillimit të regjistrimit është vonuar. Mickoski në konferencën e sotme për media tha se, asgjë nuk do të ndryshojë nëse regjistrimi prolongohet për disa muaj, sepse akoma nuk ka vaksina kundër Covid – 19, për mbrojtjen e ekipeve regjistruese dhe qytetarëve.
- LEXO: Zaev ftoi opozitën të kyçet në procesin e regjistrimit: Pasojat nga sjellja e papërgjegjshme mund të jenë të papërmirësueshme
- LEXO: VMRO-DPMNE sot fillon procedurën e anulimit të Ligjit për regjistrim
- LEXO: Regjistrimi do të realizohet me metodologji që për herë të parë përdoret në RMV, paralajmëroi Zaev
- LEXO: Presidenti Pendarovski e nënshkroi dekretin për regjistrimin e popullsisë në prill
- LEXO: RMV, Kuvendi votoi ligjin për regjistrim