Shkup, 1 minutë heshtje për vdekjen e lirisë së mediave

Sot në Shkup, para Gjykatës Penale në shenjë proteste u mblodhën dhjetëra gazetarë dhe qytetarë për të kërkuar lirimin e gazetarit të burgosur Tomisllav Kezharovski pas lajmit se atij i është vazhduar paraburgimi edhe për 1 muaj. Ky rast, theksojnë gazetarët përdoret si mjet frikësimi nga qeveria për gazetarët e tjerë.

Protesta filloi me një minutë heshtje për vdekjen e lirisë së mediave në Maqedoni, siç u quajt nga gazetarët. “Vendimi tregon se liria e shprehjes është në mëshirën e vendimeve arbitrare të Gjykatës dhe politikës. Sot erdhëm këtu që të solidarizohemi me kolegun, dhe këtyre institucioneve t’ju themi se nëse kanë për qëllim të na frikësojnë, nuk do të arrijnë. Jo sepse jemi shumë trima, por për shkak se drejtësia është në anën tonë”, tha kryetari i Shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani.

Redaktori i gazetës “Nova Makedonia” ku punonte Kezharovski, Zoran Dimitrovski tha se gjendja shëndetësore e Kezharovskit është shumë e rëndë.

“Për shkak se gjendja e tij fizike dhe psikike po përkeqësohet, ai po humb kilogramë, po ndihet keq, është vazhdimisht nën mbikëqyrje mjekësore. Në emër të Këshillit Iniciator, apeloj që ai të ndërpresë grevën e urisë sepse me rëndësi është shëndeti i tij, jeta e tij dhe mirëqenia e familjes së tij”, u shpreh Zoran Dimitrovski, redaktor i “Nova Makedonia”.

Reagon edhe përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave Dunja Mijatoviq

“Është e papranueshme që një gazetar të jetë në qeli për shkak të informimeve të tij. Unë tashmë kam ndërhyrë për këtë rast dy herë gjatë muajit të kaluar. Sot jam veçanërisht e alarmuar, për shkak të zgjatjes së paraburgimit edhe për 30 ditë” thotë ajo.

Kezharovski është në burg prej 60 ditësh, ndërsa katër ditët e fundit ka hyrë edhe në grevë urie. Kjo është protesta e dytë për lirimin e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button