Burgimi i gazetarit Kezharovski nxit kritika ndërkombëtare

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (FNG) dhe dega e saj evropiane, Federata Evropiane e Gazetarëve (FEG), dënuan ashpër vazhdimin e paraburgimit të gazetarit të Maqedonisë, Tomislav Kezharovski. Reagimi vjen menjëherë pasi që gjykata mbrëmë vazhdoi paraburgimin e tij edhe për 30 ditë.

“Jemi shumë të shqetësuar për shkak të vazhdimit të paraburgimit të kolegut tonë, Tomislav Kezharovski, dhe pa rezervë dënojmë vendimin e gjykatës në Maqedoni që ai të qëndron mbyllur 30 ditë shtesë”, deklaroi kryetari i FNG-së, Xhim Bumelha, transmeton TV Nova.

“Mbajtja në paraburgim i minon të drejtat e njeriut dhe rrënon të drejtat dhe lirinë e tij si gazetar, por e vë në pyetje edhe respektimin e të drejtës së shprehjes së lirë dhe informacionit në Maqedoni”, shtoi ai.

“Në Kongresin Botëror të FGN-së i mbajtur në Dublin, ka qenë e miratuar një rezolutë, e cila u propozua nga SSNM dhe e përkrahur nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe nga organizata të tjera. Me këtë rezolucion, i jepet përkrahje e plotë e Kezharovskit dhe SSNM-së në luftën e tyre për lirinë mediatike”, tha Bumelha.

Policia e Maqedonisë e arrestoi gazetarin e gazetës “Nova Makedonija”, në muajin maj të këti viti. Që atëherë, ai gjendet në paraburgim në burgun e Shutkës në Shkup.

“Ne plotësisht përkrahim të drejtën që Kezharovski mos ta publikojë burimin e informacionit të tij. Gazetarëve patjetër duhet t’u lejohet që të bëjnë hulumtime gazetareske për problemet të cilat janë në interes të publikut. Patjetër që duhet ta bëjnë këtë lirshëm, pa kërcënime me burg ose shtypje që ta tregojnë burimin e tyre të informacionit”, tha zëvendës kryetari i FEG-së, Nadezhda Agjgikina.

Sot kolegët e Kezharovskit mbajtën protestë para Gjykatës në Shkup duke kërkuar lirimin e tij. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button