Berisha nënshkruan një vit me Metalurgun

Sedat Berisha prej sot ka filluar stërvitjet me ekipin e Metalurgut, me të cilët mbrëmë ka nënshkruar marrëveshje një vjeçare, pasi përfundoi aventurën tek Shkëndija. 

Klubi i Metalurgut e ka parë Berishën si zëvendësim të mirë pas largimit të serbit Goran Dragoviq që u largua para disa ditëve.  

“Jam i kënaqur nga marrëveshja e arritur me Metalurgun. Prej sot kam filluar stërvitjet dhe shpresoj se shumë shpejt do të adaptohem në klubin e ri”, tha enkas për “Portalb”, mbrojtësi shkupjan Sedat Berisha. 

Të përkujtojmë se ekipi i Metalurgut ndeshjen e parë të Liga Evropës do ta luajë kundër skuadrës Karabah nga Azarbajxhani.

“Nuk jam i sigurtë nëse do të mundem të luaj në ndeshjen e parë kundër Karabahut, pasi që jam vonuar me dorëzimin e dokumentacionit, ndërsa shpresoj se do të jetë gjithçka në rregull për ndeshjen kthyese”, shtoi Berisha.

Nga ana tjetër, Shkëndija do të mbetet edhe pa mbrojtësin tjetër të ekipit Muhamed Useini i cili në ditët në vijim pritet të nënshkruaj marrëveshje me skuadrën e Rabotniçkit. Më herët nga ekipi tetovar u larguan edhe Muzafer Ejupi, Gjerlbrim Taipi, Mevlan Murati, ndërsa afër largimit janë Artim Pollozhani, Ardit Shaqiri dhe Ardian Cuculi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button