Si u fut Maqedonia e Veriut në skenarin e “Desorosoizimit” (Hulumtim)

Kur ish ideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, u ngjit në platformën e vogël para zyrave të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve më 17 dhjetor 2016 dhe e paralajmëroi “desorosoizimin”, ai proces veçmë kishte qenë në një fazë të avancuar. Tre javë më parë, institucionet kishin filluar të përgatisin terrenin për kontrolle intensive dhe të detajuara të 22 organizatave joqeveritare.

 

Portalb.mk ua sjell ekskluzivisht hulumtimin e plotë në gjuhën shqipe, me leje nga redaksia e BIRN Maqedoni. 
Nëse dëshironi të merrni pjesë nga teksti apo teksin e plotë, kërkoni leje nga BIRN Maqedoni.

Partia e Gruevskit nuk kishte qenë vetëm ideologe, për edhe nxitëse e drejtpërdrejtë e procesit dhe bashkë me Komisionin e atëhershëm për parandalim të korrupsionit kishin qenë dy hallkat kryesore në rrjetin që ishte thurrur rreth shoqërisë kritike civile.

Hulumtimi i BIRN-it zbulon se operacioni, i cili është zhvilluar para dhe pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016 ka qenë i koordinuar, i motivuar politikisht dhe kishte përfshirë disa institucione.

Dokumentet dhe dëshmitë, deri te të cilat erdhëm, të njerëzve të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë proces, tregojnë se institucionet kishin sjellë vendime brenda afateve shumë të shkurta, kanë pranuar në mënyrë jo-kritike dhe joselektive akuza të cilat i ka nxitur VMRO DPMNE dhe këtë e kanë përdorur si argument të vetëm për të iniciuar kontrolle maksimale të dokumentacionit.

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit ka luajtur një rolin kryesor, pasi themelet më parë i kishin hedhur mediat dhe ad-hoc organi medial, që më pas punën në duart e veta e kanë ndërmarrë Drejtoria e të Ardhurave Publike, Prokuroria Publike, MPB-ja, Policia Financiare dhe më vonë Drejtoria për zbulim financiar.

Këto kontrolle intensive disa-muajshe mbi 22 organizata, në të cilat nuk u gjet asgjë e paligjshme, nuk rezultuan me kurrfarë përgjegjësie për ata të cilët e porositën as për zbatuesit, as me ndryshime sistemore me çka do të ndalohej që institucionet nën diktatin e politikës të përdoren për qërim hesapesh me shoqërinë civile.

Dritë e re mbi ngjarjet

Tanturovski dhe Milenkov nga KShPK (i dyti dhe i treti nga e majta) ishin nxitës të proceseve, foto: MIA, 2015
Tanturovski dhe Milenkov nga KShPK (i dyti dhe i treti nga e majta) ishin nxitës të proceseve, foto: MIA, 2015

OJQ-të e përfshira në “operacion” qysh atëherë dyshuan se ishte abuzim i institucioneve nga partia politike që duart e veta e kishte aparatin shtetëror. Veçanërisht që bashkë me kontrollet po zhvillohej fushatë e ashpër politike dhe mediatike për “spastrim të politikave shkatërrimtare të LSDM/Soros dhe megafonave të tyre të paguar” – retorikë që vinte nga lideri i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, dhe nga anëtarë tjerë të shquar të partisë, të njohur për nga qëndrimet e tyre radikale.

Dokumentet që i ka grumbulluar BIRN nga Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit dhe konflikteve të interesit (KShPK), të cilat përmbajnë komunikim midis palës, komisionit dhe organeve hetimore, i konfirmojnë dyshimet për ndikim të fuqishëm partiak mbi tërë procesin.

Kjo më shumti vërehet në afatet e veprimit. Komisionit të atëhershëm të udhëhequr nga Igor Tanturovski i është dashur vetëm një ditë pune për të konkluduar se pretendimet e VMRO-DPMNE-së, të cilat janë mbështetur në raporte të mediave, kishin qenë baza të mjaftueshme për të kërkuar kontrolle të hollësishme financiare.

Më 28 nëntor 2016, partia, përmes avokatit dhe anëtarit të saj shumëvjeçar, Ilija Ilijoski, ka paraqitur një ankesë në KShPK, në të cilën bazohet në pretendime të bëra nga televizionet dhe portalet në lidhje me financimin e supozuar të shoqatave qytetar nga “Soros” (siç qëndron në dokument) dhe për atë që aktivistët civilë ishin prezantuar si qytetarë të pavarur, por kishin kryer punë dhe mbronin pikëpamjet e LSDM-së.

“Ne vendosim”

Si “ekzekutues të veprave të paligjshme” janë shënuat anëtarët e aksionit civil “Ne vendosim” dhe janë renditur emrat e të gjitha 22 organizatave të përfshira në të. Janë cituar publikime nga Sitel, TV Nova, Netpress dhe Telegraf, me atë që rrëfime shumë të ngjashme përsëriten në një numër mediash, siç janë Deneshen, Republika, Kurir, Pres 24, Vistina e tjera.

Në ato tekste thuhet se “Soros e ka filluar fushatën e LSDM-së” dhe përshkruhet si kamion i lëvizjes “Ne vendosim” duke lëvizur nëpër Ohër dhe duke përhapur mesazhe kundër partisë në pushtet, dhe në fund, sipas një video që kishte qenë “e dërguar në redaksi”, ishte pa se si anëtar i aksionit “merr para për punën e kryer” nga një njeri në një automjet që është “pronë juridike e Institutit Shoqëri e Hapur”.

Po ashtu, citohet gjetja e Ad-Hoc organit për media që organizatat duhet të kenë kujdes që mesazhet e tyre të mos i identifikohen me ato të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor. Në ato artikuj, as nuk konfirmojnë këto gjetje dhe as ka konsultime me palën tjetër, vetëm transmetohet përshtypja se fushata e OJQ-ve ishte e ngjashme me mesazhet e LSDM-së.

Pranimi i dyshimeve me procedurë të shkurtuar

Prokuroria ka krijuar një ekip ndërinstitucional për të kryer kontrollet Foto: BIRN
Prokuroria ka krijuar një ekip ndërinstitucional për të kryer kontrollet Foto: BIRN

Zyrtarëve të Antikorrupsionit iu është dashur vetëm një ditë pune për të proceduar çështjen dhe të konkludojnë që pretendimet janë baza e mjaftueshme për të kërkuar kontroll të plotë të operacioneve financiare të organizatave të përmendura, për 12 muaj, nga janari deri në dhjetor 2016. Që në 29 nëntor, ata kishin dërguan nisma të tilla për Drejtorinë për të Ardhura Publike (DAP) dhe Prokurorinë Publike.

Në këto shkresa ata deklarojnë se veprojnë sipas kallëzimit, por nuk shkruajnë nga kush dhe e kopjojnë pothuajse tërë përmbajtjen e paraqitjes së VMRO-DPMNE-së, duke shtuar në fund kërkesën e tyre për kontrolle financiare.
Një muaj më vonë, më 28 dhjetor 2016, u ngrit një nismë identike deri te Shërbimi i zbulimit/inteligjencës financiare për të realizuar kontrolle për pesë vjet.

Edhe institucioneve nuk iu desh shumë kohë që t’i përgjigjen kësaj detyre. OJQ-të dëshmojnë se që javën e ardhshme, më 5 dhjetor 2016, kishin filluar të marrin thirrje nga DAP se do t’i vizitojnë inspektorë për të realizuar kontrolle.

Ndërkohë në prokurori, sipas një përgjigje që e kanë dërguar në BIRN, ishin angazhuar dy prokurorë nga Drejtoria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilët, për shkak të vëllimit të materialeve të kërkuara, kishin formuan ekipe ndërinstitucionale për të realizuar hetime.

Igor Tanturovski dhe Goran Milenkov jo vetëm që në opinionin publik lidheshin me partinë e atëhershme në pushtet VMRO DPMNE, por ishin edhe donatorë të partisë para se të merrnin funksionet. Që të dy, Tanturovski në vitin 2012 ndërsa Milenkov në vitin 2011 kishin dhënë nga një mijë euro.

Më 6 dhjetor 2016, KShPK kishte dërguar letër deri te VMRO-DPMNE-së se dyshimet e tyre kishin qenë të bazuara dhe se kishin filluar procedura. Sipas burimeve nga përbërja e atëhershme e Antikorrupsionit, të cilët insistojnë në anonimitet, së pari kishte pasur një përpjekje nga anëtari Goran Milenkov (i njohur për deklaratën se “një herë e përgjithmonë çështja e fletës anketuese të Gruevskit duhet të mbyllet”) që komisioni të hapë çështje më vete, pasi kishin pranuar informacion, por nuk ishte pranuar nga anëtarët e tjerë.

Pastaj kishte arritur një ankesë nga VMRO-DPMNE për të njëjtën çështje, dhe Tanturovski i kishte caktuar çështjen Milenkovit. Burime nga KShPK thonë se lënda ishte trajtuar me shpejtësi të madhe, në një atmosferë të tensionuar dhe në fshehtësi të lartë, kishte qenë e klasifikuar dhe askush nuk ka mund të ketë qasje. Për këtë lëndë nuk ka asnjë informacion në raportet vjetore të komisionit, që është e pazakontë.

Tanturovski dhe Milenkov (përndryshe ish-donatorët e VMRO-DPMNE para se të bëhen “Antikorruptues”), si ura kryesore përmes së cilës ishte realizuar vullneti i partisë për të përndjekur OJQ-të, refuzuan t’i komentojnë ndodhitë nga ajo kohë.

“Ka dy vite që nuk jam atje dhe nuk e kam më ndërmend të komentoj për atë punë” deklaroi Tanturovski për BIRN.

E ngjashme ishte përgjigja edhe nga Milenkov, i cili tha se gjithçka që është dashur të thuhet në lidhje me këtë temë është thënë atëherë kur kishin ndodhur ngjarjet.

Por ngjarjet në fjalë janë zhvilluar paralelisht me fushatën zgjedhore, votimin dhe numërimin e votave dhe me protestat e VMRO-DPMNE-së përpara Komisionit shtetëror të zgjedhjeve kundër anulimit të rezultateve të zgjedhjeve në disa vendvotime, me çka rrezikohej avantazhi i tyre për dy ulëse të deputetëve (51 kundrejt 49 për LSDM-në).

Anëtarët e partisë mblidheshin jashtë ndërtesës së ish-“Nova Makedonija”, ku është vendosur KSHZ-ja, dhe çdo pasdite dëgjonin fjalime të zyrtarëve të shquar të partisë, si Filip Petrovski, i cili u fliste atyre për “spastrimin me mediat e Sorosit” ose Valentina Bozinovska e cila bënte thirrje për “natën e thikave të gjata”.

Më 17 dhjetor 2016, në një pasdite të mjegullt me ​​përqendrime tre shifrore të grimcave PM 10, ku mezi shiheshin për folësit, në platformën e ulët u ngjit personalisht Gruevski dhe lexoi shpalljen e pesë pikave të VMRO-DPMNE-së, nga të cilat e fundit kishte të bëjë me qërimin e hesapeve me sektorin kritik joqeveritar.

“Do të luftojmë për “desorosoizim” të Republikës së Maqedonisë dhe për përforcim të sektorit të pavarur qytetar, që do të jetë nën kontroll të askujt. Do të niset rregullim i fushës së financimit të fondacioneve dhe OJQ-ve, sipas modelit të demokracive më të avancuara në botë”, thoshte lideri i atëhershëm partiak.

Lufta të cilën e lajmëroi, sipas konstatimeve, veç më ka qenë e filluar me trysni të organeve shtetërore.

Çka në fakt ishte “Ne vendosim”

Organizatat joqeveritare me qëndrimin se fushata e tyre pa asnjë prapavijë politike  Foto: Youtube
Organizatat joqeveritare me qëndrimin se fushata e tyre pa asnjë prapavijë politike  Foto: Youtube

Materialet prej fushatës “Ne vendosim” ende mund të gjenden në internet-faqen me të njëjtin emër. Bëhet fjalë për kombinim të aksioneve publike, botim të gazetave, videove dhe përmbajtjeve të tjera multimediale të përpunuara nga 22 organizata, të përkrahura nga Fondacioni Shoqëri e Hapur.

Me këto materiale, janë thirrur qytetarët të votojnë dhe të kërkojnë prej kandidatëve t’ua zgjidhin problemet kryesore nga sfera ekonomiko-sociale, drejtësia në vend, mjedisi jetësor, shërbimet publike siç janë arsimi dhe shëndetësia etj. Situata në këto fusha ka qenë shumë e keqe.

Fushata e OJQ-ve filloi me performans publik pranë Kuvendit më 20 tetor 2016, kurse videot e para janë publikuar më 14 nëntor. Një ditë më vonë për ato u prononcua Komisioni Ad-Hoc për ndjekje të përfaqësimit mediatik ose i ashtuquajturi Ad-hok trupi për media.

Ky ishte një nga institucionet hibride të cilat i prodhoi marrëveshja ndërpartiake nga Përzhina, me të cilat duhet të ishin siguruar kushte për zgjedhje të drejta parlamentare. Në atë, nga dy anëtarë caktoi LSDM-ja (Goran Tërpenoski dhe Ljubomir Kostovski) dhe VMRO-DPMNE-ja (Cvetin Çilimanov dhe Sllagjana Dimishkova) ndërsa Lulzim Haziri, si neutral është përcaktuar për kryetar.

LEXO: Marrëveshja e Përzhinës 1-shi, 15 korrik 2015
LEXO: Marrëveshja e Përzhinës 2-shi, 20 korrik 2016 

Në momentin kur janë emituar videoklipet e para në televizionet Telma dhe Alsat-M, ky trup lëshoi komunikatë me të cilën tërhiqet vëmendja për t’u respektuar Kodi Zgjedhor.

“Komisioni i përkohshëm e respekton të drejtën e organizatave qytetare për të organizuar fushata të interesit publik dhe edukim të qytetarëve, por gjatë të kësaj të përkushtojnë vëmendje mesazhet e tyre të mos identifikohen me mesazhet e pjesëmarrësve në procesin zgjedhor”, thuhej në komunikatë.

Ky mendim ishte përfshirë në parashtresën e VMRO-DPMNE-së, si argument shtesë që fushata e LSDM-së mbahet në mënyrë të paligjshme dhe financohet nga organizatat joqeveritare.

Nga Fondacioni Shoqëri e Hapur thonë që nuk ka qenë fjala për të ndihmuar opozitën, por për fushatë të cilën e kanë organizuar në periudhë parazgjedhore për shkak të edukimit të votuesve. Ka qenë e përbërë nga dy pjesë: informative dhe edukative.

“Desorosoizimi” mbahet mend si shembull për atë sesi partitë politike mund t’i keqpërdorin institucionet për qërim hesapesh me oponentët. Veçanërisht nëse nga kjo mund të shpëtojnë pa pasoja.”

Fani Karanfillova Panovska
Fani Karanfillova Panovska, foto: Vanço Xhambaski

“Të gjitha të dhënat që i publikojmë bazohen në hulumtime, analiza dhe monitorime. Ne qëndrojmë mbrapa të gjitha pikëpamjeve tona, ndërkaq a përshtatet pikëpamja ynë me ndonjë tjetër, kjo është çështje e rastësisë. Është e pritur mendimet e shoqërisë kritike qytetare pjesërisht të përshtaten me pikëpamje të opozitës dhe kjo nuk do të thotë që ne kemi punuar për ndonjë opsion”, thotë Fani Karanfillova Panovska, drejtoresha ekzekutive e FShHM.

Nga janari i vitit 2017, anëtari i Ad-Hok Trupit i përcaktuar nga VMRO-DPMNE-ja, Cvetin Çilimanov, si gazetar i pavarur, e inicioi lëvizjen “Stop operacioni Soros”, së bashku me dy bashkëpunëtor, gazetari Nenad Mirçevski dhe historiani Nikolla Serbov (i cili atëherë nuk ishte drejtpërsëdrejti i lidhur me partinë, por më pas u bë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të saj.

“Stop Operacionit Soros” apo SOS, ka mbajtur konferenca për shtyp, në të cila zbulonte organizata cilat sa para kanë pranuar nga donatorë të ndryshëm, sikur FShHM ose USAID, gjatë kësaj duke pohuar që këto mjete i kanë përdorur për destabilizim të skenës politike në Maqedoni. Kanë theksuar që janë shpenzuar pesë milionë dollarë gjatë pesë viteve për atë qëllim.

SOS - Stop Soros
“Stop Operaciont Soros” – Organizatë e afërt me VMRO-DPMNE-nër për luftimin e OJQ-ve

Periudha prej pesë viteve përkon me periudhën që KSHPK i urdhëroi institucionet të hetojnë në 22 organizatat joqeveritare. Biljana Bejkova nga OJQ “Info Qendra” dyshon që pjesë e të dhënave të cilat inspektorët i kanë grumbulluar për hetimin kanë përfunduar tek anëtarët e SOS për t’u përdorur në pres-konferencat e tyre.

“Stop Operacionit Soros” kanë pasur informata për grantin të cilin ne e kemi fituar në nëntor të vitit 2016. Ai grant ende nuk kishte hyrë në raportet tona vjetore, nuk kanë pasur si të zbulojnë për atë, përveç nga DAP-i. E kishin vetëm informatën për shumën e mjeteve”, thotë ajo.

Hetime të gjata dhe stresuese

"Desorosoizimi" u lajmërua në protestë të VMRO-DPMNE-së para KSHZ-së, ndërsa kishte filluar tre javë më parë | Foto: BIRN
“Desorosoizimi” u lajmërua në protestë të VMRO-DPMNE-së para KSHZ-së, ndërsa kishte filluar tre javë më parë | Foto: BIRN

“Shteti ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë kontroll dhe askush nuk mund këtë t’ia kontestojë. Mirëpo, ajo që na ndodhte neve, ishte procedurë e paqartë dhe nebuloze me të cilën bllokohej puna jonë, na bëhej presion dhe përhapej frikë”

Teza e lartpërmendur është e gjë përbashkët e bisedave që i kishim me përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkut, OJQ Infoqendra, Fondacionit Metamorfozis, Evrothink, XHEF dhe organizata tjera të përfshira me “desorosoizimin.”

Qindra njerëz, të punësuar ose aktiv në këto shoqata, thonë që gjysmë viti kanë jetuar në frikë nga arrestimi dhe nga procesi i inskenuar.

Të përballur me kontrolle financiare prej brenda dhe fushatë mediatike kundër tyre prej jashtë, ata dyshonin se është vetëm çështje kohe kur do të jenë të arrestuar në mënyrë spektakolare. Askush nuk ka pasur frikë se do t’i gjejnë diçka kundërligjore. Por kanë pasur frikë nga interpretimet kuturu të ligjeve me të cilat do të ishin akuzuar për keqpërdorime.

Kuvendi, në maj të vitit 2019 e votoi interpretimin autentik, sipas të cilit, për shpenzime rrugore, ndihmë humanitare dhe ngjashëm nuk paguhet tatim personal. Kjo është gjithçka që ka bërë shteti pas ndryshimit të pushtetit si përgjigje të “desorosoizimit”. Ka ngelur hetimi i pritur për hetim të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Unë isha e qetë kur bëhej fjalë për financat, e dija që gjithçka është e pastër, por nuk isha e qetë për shkak se e dija që mbrapa kësaj ka qëllime të këqija”, thotë Uranija Pirovska, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkut.

Inspektorët janë sjellë në mënyrë profesionale, mirëpo kanë pasur kërkesa absurde të cilat ka qenë pothuaj e pamundshme të plotësohen. Kanë kërkuar kontrolle dhe fotokopje të të gjitha dokumenteve, mijëra faqe në çdo organizatë.

Filip Stojanovski, foto: Vanço Xhambaski
Filip Stojanovski, foto: Vanço Xhambaski

“Përpiqeshin të gjejnë prova se përmes organizatave joqeveritare paguheshin njerëz të cilët punojnë nuk punojnë aty, përkatësisht të cilët nuk punojnë në përmbushjen e detyrave të projektit, por që në vend të asaj, kryejnë ndonjë punë për LSDM-në. Atë gjë, kuptohet, nuk e gjetën”, thotë Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis.

Kontrollet, sipas dëshmive të anëtarëve të organizatave, kanë hapur shumë punë plotësuese, të përgatiten dokumente, të bëhen fotokopje, përkthime, të jepen sqarime për tone në kontabilitet. Ato gjëra kishin marrë kohë, para, resurse dhe njerëz dhe e kanë qenë pengesë serioze e punës së rregullt të organizatave joqeveritare.

Përveç kohëzgjatjes, jo e zakonshme ishte dhe mënyra e realizimit të kontrolleve. Karafinllova-Panovska nga FShHM thotë se inspektorja e DAP kishte kaluar me ditë të tëra në zyrat e tyre, kishte pas kërkesa që nuk kishin qenë në kuadër të veprimtarisë së institucionit të saj.

“DAP, sikur përpiqej të vërtetojë se kishim punuar që të indoktrinojmë dikë. Na pyetnin çfarë kishim bërë, na kërkonin dokumente, më tepër ju interesonte pjesa programore dhe përmbajtja e punës sonë sesa pjesa financiare”, tha Karafinllova-Panovska.

Siç shton ajo, asnjë inspektor nuk kishte bërë ndonjë pyetje në lidhje me fushatën “Ne vendosim”, megjithëse ajo kishte qenë shkas për krejt hetimet. U hulumtuan të gjitha aktivitetet vetëm për të gjetur ndonjë gjë.

Intensiteti i kontrolleve u ul pas ndërhyrjes së përgjakshme në Parlament më 27 prill, ndërsa pas ndërrimit të pushtetit më 1 qershor 2017, ka pasur kontakte shumë të rralla me organet hetimore.

Një vit më vonë, në vitin 2018, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski i ka thirrur organizatat në takim, në të cilin kanë qenë edhe drejtorët e institucioneve tjera hetimore. U kanë bërë të ditur që hetimet kundër tyre janë ndërprerë dhe nuk u kanë gjetur asgjë të paligjshme.

Disa nga bashkëbiseduesit e organizatave thonë që në takimin që e kanë pasur me ministrin Oliver Spasovski, ata kanë kërkuar, ndërsa ministri ka pranuar të bëhen hetime të brendshme për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare për ata që kanë porositur dhe e kanë zbatuar procesin, por MPB nuk u përgjigj në pyetjen e BIRNpit nëse ministri ka bërë diçka për plotësim të atij premtimi.

Çfarë ndodhi në fund

Protestat “Për Maqedoni të përbashkët” dhe kundër “Soros” kulminuan me ngjarjet e përgjakshme nga 27 prilli 2017, pas të cilave është zvogëluar intensiteti i kontrolleve në organizatat joqeveritare | Foto: Robert Atanasovski
Protestat “Për Maqedoni të përbashkët” dhe kundër “Soros”-it kulminuan me ngjarjet e përgjakshme më 27 prill 2017, pas të cilave është zvogëluar intensiteti i kontrolleve në organizatat joqeveritare | Foto: Robert Atanasovski

Në fund nuk ndodhi asgjë. Pas kontrollimit të dhjetëra mijë faqeve dokumente në secilën organizatë, disa morën kallëzime për tatim të papaguar personal për mbulim të shpenzimeve rrugore, ketering në konferenca, ndihmë humanitare të ndarë dhe pagesa të ngjashme. Në Ligji nuk ishte e saktësuar nëse për këtë lloj të shpenzimeve duhet të paguhet tatim persona ose jo.

Kuvendi në maj të vitit të kaluar, me interpretim autentik saktësoi që ato nuk janë shpenzime që i nënshtrohen tatimimit të këtillë, andaj i çliroi nga obligimi. Kjo është e tëra që shteti ka bërë pas ndryshimit të pushtetit si përgjigje të “desorosoizimit”.

Disa organizata kanë fituar njoftime me shkrim nga DAP dhe organizata tjera që hetimi kundër tyre ka mbaruar. Askush nuk ka pranuar njoftim të tillë nga Prokuroria, për shkak se është bërë fjalë për procedurë parahetimore. Për BIRN nga Prokuroria deklaruan që kur kanë përfunduar gjithçka, kanë vendosur ta mbyllin procedurën.

“Pas analizës së detajuar të materialit të përgjithshëm të provave, nuk janë konstatuar baza dyshimi për veprime të ndërmarra të drejtuara drejtë kryerjes së veprës penale “Pastrim parash dhe të ardhura tjera nga vepra penale”, dhe nuk janë gjetur elemente të veprave tjera penale që përndiqen me detyrë zyrtare, si dhe është vlerësuar që në rastin konkret nuk ka vend për intervenim të prokurorisë, me çka në dhjetor të vitit 2017, rasti është mbyllur”, thuhet në përgjigjen të cilën në BIRN e dërgoi shërbimi për marrëdhënie me publikun i Prokurorisë.

Prej atje nuk sqaruan se si është e mundur që një lëndë për keqpërdorimet zgjedhore, të shndërrohet në hetim për pastrim parash dhe evazion tatimor.

Një pjesë e institucioneve nuk janë përgjigjur në pyetjet tona, të tjerë na thanë se nuk kanë zbatuar kontrolle të brendshme për shkak se punën e kanë kryer në mënyrë profesionale me urdhër të Prokurorisë, që nuk kanë pasur mundësi ligjore ta refuzojnë nëse u jep detyrë.

“As nuk kam premtuar hetim të brendshëm për lëndën, e as që bëhet diçka e tillë në këtë institucion”, thotë Arafat Muaremi, drejtori i Policisë Financiare.

Përgjithësisht, për këtë proces kanë qenë të angazhuar dhjetëra persona, prokurorë, inspektorë të institucioneve, të cilët e kanë harxhuar kohën e tyre të punës dhe resurset shtetërore që me muaj të zbatojnë kontrolle në bazë të vendimit politik.

Ilustrim nga BIRN

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button