Një kronikë mbi proceset dramatike në skenën politike të Maqedonisë

Në edicion të Qendrës për Kulturë në Tetovë doli nga shtypi këto ditë libri publicistik “Përthyerjet politike” (në tranzicion) të autorit Ismail Arsllani nga Tetova, që paraqet një kronikë ngjarjesh më të ndjeshme politike-shoqërore në Maqedoni, ku implikohen edhe shqiptarët nëpërmjet subjekteve të tyre politike. Libri përfshinë një periudhë tranzicioni prej dy dekadash /1991-2011/. 

Aty janë vendosur punimet e përzgjedhura, si raportet, vështrimet, analizat dhe opinionet e botuara në disa gazeta në Maqedoni dhe jashtë saj, jepet një tablo për dukuritë që përcjellin këto zhvillime, për refrakcionet politike, luftën për pushtet, pasojat dhe reperkusionet për popullin, si dhe për (pa) mundësinë e hapjes së rrugëve të reja më me perspektivë, në kuadër të proceseve euro-integruese dhe aleancave veri-atlantike.

Libri përfshinë dy dekada rrjedhash dramatike politike, me një kronologji ngjarjesh:  fillimet e pluralizmit shqiptar; shkëputja nga kthetrat e federatës jugosllave; themelimi i partisë së parë shqiptare në Maqedoni; sfidat e politikanëve të parë shqiptarë me prefiksin “demokratë”, përballë projekteve etatiste maqedonase; miratimi i një Kushtetute antishqiptare; kushtetuta si gjenerator i krizës në Maqedoni që përfundon me konfliktin e vitit 2001; dokumenti që ndali konfliktin; lufta e shqiptarëve për marrjen e hises së vet në pushtet; lufta e subjekteve politike për pushtet e të tjera.

Recensenti i këtij libri, publicisti i njohur prof. Xhelal Zejneli thotë se vëllimi “Përthyerjet politike” i Ismail Arsllanit është një pasqyrë reale e veprimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni në periudhën e viteve 1991-2011, përfshi edhe ballafaqimin e tij me faktorin politik maqedonas. Gjatë periudhës respektive, pjesë e proceseve politike kanë qenë dhe janë politikanë të ndryshëm, liderë politikë, liderë partiakë, ish të burgosur dhe të përndjekur politikë, intelektualë të njohur – nga Maqedonia, nga Kosova dhe nga Shqipëria.

 Në këtë pikëpamje, ky libër është një burim i thellë dhe relevant informatash dhe të dhënash. Me të drejtë autori konstaton se lufta e 2001-shit, shqiptarëve iu imponua. Rezultat i këtij konflikti të armatosur ishte ndryshimi i kushtetutës antishqiptare të Maqedonisë dhe miratimi i Marrëveshjes së Ohrit, dokument ky me vlerë ndërkombëtare. Mirëpo, autori vë në dukje se, edhe pas 2001-shit, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni vazhdojnë të maten në shtratin e Prokrustit. Maqedonia ndërkaq, vazhdon të jetë shteti më i nacifikuar në Evropë.
 
Ky libër, sipas recensentit Xhelal Zejneli, është pjesë e kritikës politike shqiptare në Maqedoni. Në kohën kur janë botuar, artikujt e këtij vëllimi kanë ndihmuar në ndërtimin e mendimit politik kritik. Duke qenë një opinionbërës dhe analist asnjanës dhe i pavarur, autori i qaset pasqyrimit të problemeve politike, pa pikën e oportunizmit apo të konformizmit. Kriter kryesor i tij në paraqitjen e proceseve është objektiviteti dhe paanshmëria. Kjo e bën këtë libër, të jetë dëshmi e pakontestueshme e kohës.
 
Ky libër publicistik i Ismail Arsllanit që ka 300 faqe dhe që është botuar në shtypshkronjën TringaDesign në Tetovë, vjen pas botimit të librit të tij të parë “Distinktivi tetovar” (2008).  

Artan Arsllani

Lajme të ngjashme

Back to top button