Prokuroria ngriti edhe një aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit me inicialet Ç.A, i cili akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar – maj të vitit 1999 në Kosovë, transmeton REL.

“I akuzuari Ç.A, në periudhën kohore janar – maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të paidentifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘Krim i luftës kundër popullsisë civile'”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që të mbahet gjykimi në mungesë, pasi që, siç thuhet në njoftim,“janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”.

Më 2 maj, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj një personi tjetër, me inicialet D.R, i dyshuar se ka dhunuar seksualisht një grua gjatë luftës në Kosovë.

Kjo ishte aktakuza e parë e ngritur në mungesë të të akuzuarit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari D.R, kishte qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë.

Ai, sipas aktakuzës, ka kryer dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare, e cila pësoi “lëndime fizike në trup, si dhe trauma të rënda të përhershme psikike”.

Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pasluftës organizata të ndryshme vendëse e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Kosova ka shpallur 14 Prillin Ditë të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës së fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button