Deputeti i LSDM-së, Zekiri: BDI nuk lejoi të zgjedhet një shqiptar drejtor i “revizionit”

Deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri, si anëtar i Komisionit parlamentar për emërime mbrëmë e bëri të ditur që, siç thotë ai, BDI duke kundërshtuar LSDM-në dhe partitë tjera nuk ka lejuar të zgjedhet drejtori i Entit Shtetëror për Revizion, megjithëse sipas agjendës ishte paraparë që kjo të bëhet dje, njofton Portalb.mk.

“BDI vazhdon të punojë kundër interesave të shqiptarëve. Dëshmi për atë ishte veprimi i zëvendësit të Ejup Halimit në komisionin i cili u largua nga takimi pa votuar, duke penguar një shqiptar profesionist si Adem Curi të zgjedhet për drejtor të Entit Shtetëror për Revizion”, bëri të ditur nënkryetari i LSDM-së, në publikimin e tij në Facebook.
LEXO: RMV, për një votë Curri nuk arriti të zgjedhet kryerevizor shtetëror, ndërpritet seanca

Ai falënderoi deputetin e partisë opozitare BESA, Fadil Zendeli, për mbështetjen e propozimit të LSDM-së, ndërsa ky i fundit ka shkruar se BDI nuk ka pranuar që “në krye të këtij institucioni të vendoset shqiptar profesionist, por shqiptar nga radhët e tyre, përkatësisht nga dega e Çairit”.

“BDI nuk votoi për kandidatin shqiptar i cili ishte mbështetur nga më shumë parti, por i cili nuk u mbështet vetëm prej tyre, si dha nga VMRO-DPMNE. Cili mund të jetë shkaku për gjithë këtë? Nuk mund të ketë gjë tjetër përveç angazhimit të BDI-së për ta mbajtur këtë institucion në “vdekje klinike”, që pas zgjedhjeve, auditimi të mos i shqyrtojë veprimet e kryera në institucionet me të cilat ata menaxhojnë”, shprehet Zekiri.

Pas dy vitesh pritje, dje ishte dita kur, sipas paralajmërimeve, duhej të zgjedhej revizori shtetit në mbledhjen që e kishte thirrur Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Komisioni i Kuvendit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve e ndërpreu seancën pasi propozimi që kryerevizor të emërohet Adem Curri nuk mori shumicë votash. Ai mori 6 vota nga gjithsej 12 anëtarët e pranishëm të Komisionit.

“Do t’i informoj Xhaferin, Zaevin dhe Mickosin dhe kryetarët tjerë të partive politike parlamentare që në mënyrë konstruktive të gjejmë zgjidhje për institucionet kyçe shtetërore. Veçanërisht të kushtojmë vëmendje për zgjidhjet të cilat do ta kenë besimin e të gjithë deputetëve”, deklaroi Ilija Dimovski.

Dimovski si kryetari i Komisionit, me kërkesë të deputetit Muhamed Zeqiri e ndërpreu seancën, pasi për momentin shumica qeveritare në plenum nuk kishte shumicë në komision.

Në garë përveç Currit si i propozuar i deputetit Muhamed Zeqirit, është edhe Naser Ademi, si i propozuar i deputetit Ejup Alimit.

Trysnia për të zgjedhur drejtor në këtë funksion filloi veçanërisht pasi enti mbeti pa drejtues, pas skadimit të mandatit edhe të zëvendës drejtorit edhe për shkak të periudhës së ndjeshme që pason me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm.

Konkursi është hapur tash më dy vite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button