Për shkak “El Classico” u dënuan me burg gjyqatarët shqiptarë
Pas hetimit dhe gjykimit maratonë, Krimet e Rënda shpallën fajtorë gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno si edhe biznesmenin Namik Sadik, i cili akuzohet se kishte paguar udhëtimin e tyre në Madrid për të parë ndeshjen e futbollit midis Real Madridit dhe Barcelonës, transmeton KlanKosova.
Gjyqtarët e cilësuan vendimin të pabazuar në prova dhe paralajmëruan apelim. Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 2 vjet burgim secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg.
Vendimi u shpall të martën nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Irena Gjoka në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila i dha të drejtë kërkesës së Prokurorisë për shpalljen e tyre fajtorë.Tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe sipas Prokurorisë, udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.
Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi t’u heqë tre gjyqtarëve të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Të pandehurit përfituan ulje me 1/3 e dënimit për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar.
Gjatë konkluzioneve përfundimtare më datën 11 shtator, prokurorët Klodian Braho dhe Arenc Çela argumentuan se gjyqtarët kishin udhëtuar në drejtim të Spanjës dhe Italisë në shoqërinë e biznesmenit Sadik si dhe pretenduan se udhëtimet ishin paguar prej këtij të fundit.
Prokurorët shtuan gjithashtu se biznesmeni Sadik ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri.
Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës dhe se ai ishte paditur nga ish-ortaku i tij, Oliver Ushina. Ushina kishte dalë fitues në Gjykatën e Durrësit, ndërsa biznesmeni Sadik e fitoi çështjen në Apel.
Të pyetur nga BIRN, dy prej tre gjyqtarëve e cilësuan të padrejtë e të pabazuar në prova vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda dhe aluduan se trupa gjykuese ishte e ndikuar nga vetingu.“Vendimi është në kundërshtim me gjithë provat në dosje dhe me vendimin e po të njëjtës gjykatë që rrëzoi kërkesat e prokurorisë për caktim mase sigurimi ndaj gjyqtarëve. Është rast unik në jurisprudencë, në Shqipëri dhe jashtë saj, që e njëjta gjykatë jep vendime të ndryshme për të njëjtin fakt penal.
Frika nga vetingu ka ndikuar tek gjyqtarët për të mos dhënë pafajësinë e merituar,” tha gjyqtari Petraq Dhimitri, i cili paralajmëroi ankimin e vendimit.
Edhe gjyqtari Petrit Çeno mbajti të njëjtin qëndrim.“Ju mund të shikoni dhe të lexoni pretendimet tona e të gjitha provat dhe do shikoni se ky vendim, për mendimin tim si qytetar dhe si gjyqtar është jo i drejtë dhe nuk është i bazuar në prova. Mendoj se trupi gjykues nuk i ka vlerësuar drejt provat. Gjithsesi ky vendim do të ankohet në gjykatën e Apelit”, tha Çeno.
Gjyqtari Kliton Spahiu nuk ju përgjigj kërkesës për koment deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ndërsa mbrojtësi ligjor i të pandehurit Namik Sadik, avokati Saimir Vishaj nuk preferoi të komentonte.