Gjyqi për Zhan Mitrevin është shtyrë për më 12 maj, qytetarët me pankarta para Gjykatës për zvarritjen e procesit
Gjykimi i kardiokirurgut Zhan Mitrev dhe spitalit të tij privat u shty sërish për më 12 maj. Në Gjykatën Penale në Shkup sot ka qenë i pranishëm Zhan Mitrev me avokatët e tij, ndërsa para objektit të gjykatës janë mbledhur dhjetëra qytetarë të dëmtuar nga klinika në fjalë me pankarta “profiter në kurriz të të sëmurëve” dhe “kërkojmë drejtësi”, transmeton Portalb.mk.
Arsyeja e shtyrjes është se mbrojtja ka dështuar të këqyrë dosjet e lëndës të cilat janë ende në Apel.
Gjykata paraprakisht pranoi kërkesën e Prokurorisë për ngrirjen e pasurisë së klinikës, vendim të cilin mbrojtja e ankimoi në Apel.
Prokurorja publike Iskra Haxhi Vasileva kërkoi nga Gjykata që të caktohen më shumë seanca pasuese që rasti të marrë dinamikë, ndërsa mbrojtja e Zhan Mitrevit kërkoi hapësirë të mjaftueshme prej së paku dy muajsh për t’u njohur me shkresat e rastit, si dhe për t’u siguruar kushtet e përshtatshme për gjykim.
Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka ngritur aktakuzë kundër Zhan Mitrevit, si person fizik dhe kundër spitalit të tij, si person juridik, për veprën e vazhdueshme “mashtrim” nga neni 247 i Kodit Penal.
Kujtojmë se edhe seanca paraprake, e para e këtij procesi gjyqësor, u shty pasi i akuzuari Mitrev, në sallën e gjyqit u paraqit me avokatë të rinj.
Ata u angazhuan pak para seancës së parë dhe me pretendimin se u duhej kohë për të shqyrtuar provat në këtë çështje, kërkuan shtyrjen e seancës.
Kujtojmë që muajin në janarë të këtij viti, Prokuroria Themelore Publike ngriti aktakuzë kundër kardiokirurgut Zhan Mitrev si person fizik, si dhe kundër personit juridik Spitali privat “Zhan Mitrev”. Sipas aktakuzës bëhet fjalë për veprën penale “mashtrim”, për të cilën është paraparë dënim me burg prej 1 deri në 10 vjet.
Sipas sqarimit të prokurorisë, janë fshehur faktet kyçe dhe në këtë mënyrë është krijuar mashtrim tek pacientët, të cilët janë trajtuar në spital. Qëllimi i prokurorisë është të dëshmojë se të akuzuarit në rastin e Zhan Mitrevit kanë dashur t’i mashtrojnë për përfitime ligjore.
Përndryshe, Zhan Mitrev ngriti padi kundër IRL-së pas publikimit të storjes “Gjak i pistë” pasi sipas tij ishin lajme të rreme. Hulumtimi i gazetarëve të IRL-së tregon se spitali privat i cili ka pranuar më së shumti pacientë gjatë pandemisë së kovid-19 dhe në të cilën mjekimi ka kushtuar dhjetëra mijëra euro, e ka zbatuar metodën e hemofiltrimit (pastrimit të gjakut) e cila praktikisht ka qenë studim klinik. Në kundërshtim me ligjin, studimet klinike nuk janë paraqitur dhe miratuar nga MALMED. Ndërkaq më pas, Zhan Mitrev paralajmëroi se do të tërheqë padinë kundër Laboratorit të Raportimit Investigativ (IRL).