Dënim me tre vjet e një muaj burg për pronarin e “DokazM” që shantazhonte dhe shpërndante urrejtje përmes portalit të tij

Gjykata Penale – Shkup e dënoi me tre vjet e një muaj burgim pronarin e portalit “DokazM”, Marjan Stamenkovski. Sipas verdiktit, ai përmes portalit të tij ka keqpërdorur të dhënat personale, për të cilat do të duhet të paguajë një gjobë prej 5 mijë euro, njofton Portalb.mk. Nga sot ai e ka të ndaluar të krijojë postime publike në çfarëdolloj uebfaqe të regjistruar si e tij, ndalesa e tillë vlen për dhjetë vite.

Gjykimi i Marjan Stamenkovskit nga DokazM filloi më 7 mars me përjashtim të publikut dhe me dyer të mbyllura. Prokurorja Zorica Pavloviq propozoi përjashtimin e publikut nga çështja pasi bëhet fjalë për vepër penale kundër moralit dhe mbrojtjes së jetës private. Bëhet fjalë për informacione që i referohen edhe jetës intime.

Ai u akuzua për disa vepra penale: dy akuza për përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes një sistemi kompjuterik dhe nga një akuzë për shantazh, pirateri audio-vizuale dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Stamenkovski është arrestuar më 9 shkurt të këtij viti dhe i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa shtëpia e tij është kontrolluar dhe janë sekuestruar dokumente, telefona celularë dhe pajisje tjera elektronike që janë ende nën hetim, si dhe një shumë e madhe parash.

Rasti në Prokurorinë Themelore Publike (PThP) Shkup është formuar pas kallëzimit penal kundër Stamenkovskit gjatë vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti nga disa persona, ndërsa viktima të aktiviteteve dhe teksteve të tij të publikuara ishin priftërinj, gazetarë, hetues nga Ministria e Brendshme, si dhe një televizion.

Priftërinjtë e raportuan pasi përhapte urrejtje dhe intolerancë përmes teksteve. Stamenkovski, tha PThP Shkup, ka publikuar se priftërinjtë ishin të lidhur me shërbimet sekrete vendase dhe të huaja, ndërsa dërgoi fjalë kërcënuese, duke i inkurajuar njerëzit që të vijnë dhe t’i dëbojnë nga manastiri ku kanë shërbyer.

Dy gazetaret, nga ana tjetër, janë nga e përjavshmja “Fokus”, për të cilën nga Prokuroria Publike e Shkupit thonë se i akuzuari kanë promovuar urrejtje dhe ka tentuar t’i frikësojnë që të mos publikojnë artikuj në mediat ku punojnë.

Lidhur me veprën e shantazhit, sipas pretendimeve të Prokurorisë Publike të Shkupit, në fillim të këtij viti, Stamenkovski me qëllim të përfitimit pasuror e ka kërcënuar një të dëmtuar se do t’ia dëmtojë reputacionin dhe nderin. Ai e ka kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe e ka ftuar në një takim për ta shantazhuar që do t’i publikojë foto private dhe informacione për të nëse nuk i jepte para. Pasi i dëmtuari nuk ka pranuar të takohet, siç thuhet nga Prokuroria, në portalin Dokaz janë publikuar disa shkrime për të.

Për pirateri të veprës audiovizive dhe keqpërdorim prokuroria e ndjek penalisht në bazë të raportit të një televizioni që kishte të drejta ekskluzive autoriale për të transmetuar përmbajtje të caktuara, por Stamenkovski i publikoi video materialet në portal dhe mundësoi shfaqjen e pakufishme publike.

Përderisa Prokuroria Publike e Shkupit e zhvillonte procedurën, i akuzuari kontaktoi një hetuese në Prokurorinë Publike të Shkupit dhe përmes saj u përpoq të merrte informacione për rastet në procesim, përfshirë edhe të tijin.

Hetuesja e punësuar në MPB e cila i ka dhënë informacione nuk është më e punësuar në Qendrën hetimore të Prokurorisë Publike të Shkupit dhe, siç është paralajmëruar, për të do të iniciohet procedurë para Departamentit për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale në Ministrinë e Brendshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button