Baftiu shpreson në medalje nga evropiani

Nga e hëna qyteti i Barit (Mali i Zi), është nikoqir i Kampionatit Evropian në mundje për kadet. Në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm të mundjes, do të kemi mjaft konkurrues për medalje, e ndër ta edhe mundës shqiptarë. 

Një prej atyre që presim rezultate është edhe përfaqësuesi i Maqedonisë i cili jeton në Francë, Adil Adili (63kg). Talenti shqiptar përgatitjet e fundit për këtë aktivitet i ka zhvilluar në klubin e tij amë Bagnolet – Paris, e që ndërkohë përgatitje speciale ka pasur edhe me dy trajnerët me origjinë nga Rusia. 

“Jam përgatitur kohë të gjatë, sepse Kampionati Evropian për mua ka një vlerë shumë të madhe. Stërvitjet i kam zhvilluar në klubin amë. Shumë më ka ndihmuar edhe babai im Hamdi Adili (ish-mundës i KM Liria), i cili gjithnjë më ka dhënë përkrahjen më të madhe. Konkurrenca në këtë kampionat është e madhe dhe do të jetë e vështirë, por shpresoj se me pak fat do të arrij deri te medalja”, deklaroi Adili. 

Reprezentacioni i Maqedonisë në radhët e saja do të ketë mundësit: Elmedin Sejfullahu (42kg), Samir Rexhepi (46kg), Rijad Rexhepi (50kg), Gergje Batevski (50kg), Memet Mustafa (63kg), Gjorgji Jovanov (74kg) dhe Vase Spasov (85kg). Në stilin greko romak do të garoj Peshko Kristian (63kg). 

Reprezentacioni është nën udhëheqjen e trajnerit Sedat Baftiu, i cili mes tjerash ka thënë se ka punuar shumë mirë me mundësit, duke shpresuar që të nxjerrin rezultate pozitive, me mundësi që të kthehen me medalje në Maqedoni. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button