Komuna e Strugës shkarkoi tre drejtorë, do të shkarkohen edhe tjerë!

Pas kërkesës që u ka  bërë drejtuesve të shkollave fillore dhe të mesme të Strugës, që të japin dorëheqje nga postet e tyre, kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka shkarkuar nga postet e tyre drejtuese, drejtorin e Shkollës Fillore “Vëllezërit Milladinov”,  Agni Nexhipi dhe në vend të tij ka emëruar Shkëlqim Aliun.  Ai ka shkarkuar gjithashtu edhe drejtorin e  Shkollës Fillore “ Ashim Agushi” të Ladorishtit, Sabri Dauti dhe në vend të tij për ushtrues detyre ka emëruar, Nexhat Kolonjën.


Sela ka shkarkuar edhe drejtorin e shkollës së Podgorcit,  Fadil Ismailoskin, cili është konsideruar si një nga pengesat për  funksionimin normal të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, në këtë shkollë, duke e zëvendësuar me  Branisllav Pllshkovskin. 

Pas këtij zëvendësimi, Këshilli i prindërve  të nxënësve shqiptarë të kësaj shkolle,  mësimi në gjuhën shqipe, i të cilëve kontestohej, është shprehur optimist, në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi. Edhe autoritetet e Komunës së Strugës, ndërkaq kanë shprehur angazhimin e tyre që problemi i  paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollën e Podgorcit të zgjidhet.

Burime, brenda Komunës së Strugës kanë theksuar se, ish drejtori i shkollës së Podgorcit nuk e ka pranuar mirë shkarkimin e tij dhe ka bërë njëfarë rezistence, në mënyrë që të mos e dorëzoj mandatin , por  më pas  gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve.

Ndërkohë, sipas burimeve afër kryetarit të Komunës së Strugës,  në ditët në vazhdim pritet që të vazhdohet me shkarkimin e drejtorëve në institucionet tjera arsimore të Strugës.  Kështu, pritet që shkarkimet tjera të ndodhin, të hënën dhe të martën. 

Ky burim i deklaroi Portalb-it, se arsyeja  për shkarkimin e drejtorëve është se ata nuk kanë arritur të realizojnë objektivat e parapara, si dhe borxhi që u kanë shkaktuar institucioneve që drejtonin.

Nga ana tjetër, mësohet se disa nga  drejtorët e shkarkuar do të kundërshtojnë shkarkimin, duke u drejtuar Institucioneve të drejtësisë për të vlerësuar ligjshmërinë e këtyre veprimeve. /PORTALB

Lajme të ngjashme

Back to top button