RRETH TURIZMIT

Sipas Encyclopaedia Britannica turizmi nënkupton një akt dhe proces të harxhimit të kohës jashtë shtëpisë me qëllim të rekreimit, shplodhjes dhe kënaqësisë duke shfytëzuar shërbime të ndryshme komerciale. Turizmi është produkt i bashkërendimeve sociale moderne, duke filluar nga shekulli XVII në Europën Perëndimore, ndonëse pararendësit e vet i ka në antkitetit klasik, që më pas është shndërruar në makineri apo industri në pjesë të ndryshme të botës. Ka dy lloje të njerëzve, që bëjnë turizëm në rrugë të rrahura nga të tjerët, dhe të atillë që synojnë të eksplorojnë gjëra të panjohura, ndjekës të adrenalinës, që për të arritur kënaqësinë, ballafaqohen me vështirësi dhe rreziqe, madje edhe të jetës. Tipologjia e turizmit rrok kategoritë e atij afarist, të sportit, mjekësor, spiritual etj. Spanja, Kina, Turqia, Tailanda zënë vend në top 10-shin e destinacioneve turistike, me ofertë të pasur për vizitorët nga skaje të ndryshme të botës. Në vazhdim do të japim një përkthim tonin nga Sezai Karakoç lidhur me këtë segment të rëndësishëm të shekullit tonë, kur është shndërruar në një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomikë, që edhe neve na ka bërë edhe objekt por edhe subjekt, edhe pritës të të huajve por edhe vizitorë të vendeve të huaja:

“Turisti është shumë i vetëdijshëm se ka vajtur në një vend tjetër. Në një vend të ndryshëm. Shpesh, ky është faktori që e shtyn të shkojë në një vend tjetër. Një vend i ri, me tradita të ndryshme, me zakone të ndryshme, përballja me një trashëgimi të ndryshme historike, përpjekja maksimale për të harruar mjedisin në të cilin jeton. Një univers i ri, fytyra të reja që do ta rehatojnë shpirtin e tij të lodhur, që do e shpëtojnë nga monotonia që e ka pllakosur. Ai mëson gjëra të reja, gjen mundësinë për të bërë krahasime mes besimeve, mendimeve, sjelljeve dhe mënyrës së jetesës së vendit të vet me atë të vendit ku bën turizëm, dhe nga e gjithë kjo përvojë do të dalë më i pjekur.

Për këtë arsye, sekreti i suksesit në turizëm është që të jeni vetvetja me aq sa është e mundur… Pra, ne nuk mund të qëndrojmë si mbi gjemba meqë do na vijnë turistë. Nuk duhet të ekzistojë asnjë kontradiktë e madhe mes vendeve turistike dhe hapësirave ku graviton populli. Nëse turisti e pikas një gjë të tillë, do të ndihet edhe më i huaj. Ai do të jetë shumë më i kënaqur nga vendi që e pret teksa vendi qëndron brenda rendit të tij jetësor. Kjo sepse në një gjendje të tillë turisti do e shohë veten si një mysafir i mirëpritur, përndryshe do të ndihet i huaj, turist.

Turisti është turist për vendin pritës, jo për veten. Asnjë turist nuk është i kënaqur kur ju i kujtoni pothuajse me çdo veprim tuajin se është turist. Nëse ia sillni në majë të hundës duke e kujtuar se është turist, ai nuk do të qëndrojë gjatë në vendin tuaj. Turisti nuk duhet të ndjejë se po i bëhet një trajtim i veçantë. Ai është një qytetar i një vendi të huaj që ka ardhur krejt lirshëm në vendin tuaj, që hyn në restorantin që dëshiron, që e pi çajin apo kafenë atje ku do, që rri në hotelin që ka zgjedhur dhe, në fund, kthehet në vendin e vet.

Pra, parimi i suksesit në turizëm është natyrshmëria. Turisti do që vendi pritës ta pranojë qetë dhe në kuadër të jetës së vet natyrore. Vetëm kështu ai shndërrohet në “njërin prej tyre”… Përndryshe, pritja artificiale në çdo anë, veçimi i tij si me thikë, dallimi i krijuar mes jetës së tij dhe jetës së zonës ku bën turizëm, e godet rëndë.

Madje edhe në turizmin nëpër komplekset turistike, synimi i tij nuk është të jetojë jetën e vet, por edhe atë të vendit në të cilin ka vajtur. Turisti që shkon në Spanjë dëshiron të mësojë për jetën e spanjollëve. Të njëjtën gjë e synon edhe ai që viziton Italinë. Edhe turisti që viziton Turqinë do që të mësojë për mënyrën turke të jetesës. Për këtë arsye, nuk ka nevojë që të bëjmë vende të veçanta për turistët. Statusin e mënyrës sonë të jetesës dhe mjetet e kësaj jetese duhet t’i ngremë në një shkallë në të cilën mund të shfrytëzohen vizitorët e huaj. Pra, kauza turistike e një vendi nuk është një gjë që mund të realizohet kollaj. Nëse një vend është i begatë në aspektin e monumenteve historike dhe të natyrës, nëse e përmirëson standardin e vet të jetesës, do ta zgjidhë edhe çështjen e turizmit…

Jo çdo turist është Marko Polo apo Pierre Loti, por te çdo turist ka diçka nga markopolizmi dhe pierlotizmi. Turisti kërkon t’i shohë ashtu siç janë qytetet dhe vendet që viziton. Ai do që të ulet në një gjelltore dhe të hajë. Nëse në këtë ose në atë mënyrë doni ta largoni që andej, ai s’do ketë më asnjë motiv për t’u rikthyer.

Para së gjithash duhet bërë kjo: vendin duhet sjellë në një gjendje ku mund të jetohet. Vetëm kështu kemi të drejtë të presim turistë. Nëse vetë ne nuk jemi në gjendje të hyjmë pa problem nëpër kafenetë tona, nëse nuk ndjehemi plotësisht të sigurt që të ulemi e të hamë në një restorant tonin, ndërkohë që nga ana tjetër të huajve u sigurojmë restorante dhe hotele speciale, s’kemi bërë gjë tjetër përveçqëkemi mashtruar veten.

… Hotelet mund të jenë të thjeshta dhe modeste. Të tilla mund të jenë edhe kafenetë dhe gjelltoret. Por, institucionet tona, para së gjithash duhet të na lejojnë të jetojmë jetën tonë në rrafshin e pastërtisë, qetësisë, rregullave shëndetësore etj. Nëse dalim të suksesshëm në këtë mobilizim, atëherë çështja e turizmit zgjidhet vetvetiu…”

Një aspekt ku çalojmë ne shqiptarët, të cilin e kemi vërtetuar empirikisht, është sjellja me klinetin-turistin. Njerëzit pa kulturë turistike të ftohin nga një vend dhe të çojnë diku tjetër. Vështrimi i vendësit sikur je borçli e jo si konsumator shërbimesh, dialogimi agresiv, jofleksibiliteti, çmimet astronomike, shprehjet “unë jam zot i kësaj shpie” janë disa sekuenca nga e përjetuara gjatë vizitës së fundit me familje që ia bëmë Shqipërisë. Nga ana tjetër, në Hajla, në malet e Rugovës, nga ana e Malit të Zi (Rozhaj), njoftuam Skënderin, që në vilën e tij na shërbeu në mënyrë jashtëzakonshme, krijoi një lidhje miqësore me ne, na gostiti me qumësht shtëpie, në bëri një mini-ciceronëri, te çdonjëri nga ne la mbresa për ta vizituar sërish. Gjezdisja të bind se  “njeriu sa më i ngopur aq më shpërfillës është”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button