A po vjen një brez i ri gazetarësh?

Protesta e gazetarëve përpara ambienteve të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila u organizua pas një sërë incidentesh të njëpasnjëshme muajin e fundit, duke përfshirë dhe largimet në forma të dhunshme gjatë raportimeve apo intervistave, kishte disa elemente që duhen evidentuar:

E para, pjesa dërrmuese e reporterëve tubues janë breza të rinj gazetarësh të mirëformuar në universitetet publike e private nga  pikëpamja teorike, e jo vetëm, por dhe mbi parimet e të drejtat e punës së reporterit.

E dyta, eksperienca e tyre në media varion nga 2-6 vjet që do të thotë se mes tyre ishin reporterë me një karrierë relativisht të re por shumë premtuese dhe një grup me një eksperiencë të konsiderueshme sidomos për hapësirat raportuese që ofrojnë mediat shqiptare;

E treta, veç gazetarëve me një përvojë relativisht të gjatë mbi të cilët ishte ushtruar dhunë nuk u panë reporterë të tjerë që punojnë e drejtojnë mediat kryesore në vend apo dhe drejtues organizatash e qendrash mediatike, përfshi dhe MediaLook;

E katërta, përveç raportimit live në Facebook të Zërit të Amerikës, raportimeve në Klan e ABC, lidhjeve direkte të tre tv-ve informative dhe disa artikujve në portale, disa media kombëtare, e bojkotuan dhe nuk e raportuan protestën;

E pesta, drejtues mediash, gazetarë e kameramanë me një eksperiencë të gjatë në media komentuan dhe fyen kolegët e tyre, disa duke i etiketuar dhe “gazetarucë” ndërsa treguan se nuk e kishin bërë “qimen tra” as kur ishin zhdëpur në dru apo kishin rrezikuar dhe jetën në raportimet e tyre të mëparshme.

Të gjithë këto elementë, përfshi dhe dhunën verbale të gazetarëve-komentues, plotësojnë një panoramë që estetikisht na lë një shije të mirë, të mbush me optimizëm mbi shkëndijat e një brezi të ri reporterësh, të lindur dhe rritur në epokën e mediave horizontale të komunikimit, që disa parime dhe të drejta të punës së tyre jo vetëm i dëgjojnë e mësojnë por dhe i besojnë e kërkojnë.

MediaLook kontaktoi shumë prej kolegëve pjesëmarrës në atë protestë dhe ajo që të bën përshtypje në të gjithë komunikimet ishte përpjekja e tyre e fisshme për të mos ofenduar askënd, as ata që çnuk thanë e shkruan në rrjetet sociale.

Unë nuk e di nëse këta gazetarë do të ruajnë fortë këto parime në të ardhmen apo sistemi i centralizues mediatik dhe lidhjet e interesave politiko-ekonomike do ti bëjnë “pis” dhe ata, sikurse bënë me ne dhe gjithë brezat përpara tyre, por di të them se ky tubim ishte një shpresë dhe mesazh për të gjithë reporterët, “të mëdhenj” e “të vegjël”, ishte një përpjekje për më shumë dinjitet dhe liri!

Dhe kushdo që hedh baltë mbi këtë përpjekje nuk bën gjë tjetër veçse i jep më shumë zë censurës, dhunës, abuzuesve të medias së lirë dhe lirisë mediatike.

E pranojmë apo jo, e vërteta është se të gjithë brezat para tyre, sot drejtues mediash, organizatash, pedagogë, kryeredaktorë, reporterë apo punonjës të tjerë, kanë kusuret e tyre në raport me pronarët, politikën dhe shoqërinë shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button