Jam tolerant por s’lejoj të ndërtosh xhami!

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame Sulejman Rexhepi u vu nën shënjestrën e opinionit pas një deklarate ku fliste për një popull “të egër” dhe “pa identitet”. Opinioni mendoi se ai këtu e ka fjalën për tërë popullin maqedonas, por pastaj u sqarua se ai vetëm e ka shprehur frustracionin nga fshatarët orthodoksë të fshatit Llazhec të Komunës së Manastirit, ku sipas tij, që 100 vjet nuk lejojnë të ndërtohet xhami në fshat, edhe pse gjysma e fshatit janë muslimanë. Pas kësaj, Bashkësia Fetare Islame doli edhe me shembuj tjerë të padrejtësive ndaj tyre, si dhe me raste tjera të refuzimit të lejes për ndërtim të xhamive, edhe atë në komunat Prilep, Aerodrom dhe Qendër.

Mendoj se reagimi publik për deklaratën e kreut të BFI-së Sulejman Rexhepi duhet të shërbejë si shkas për hapjen e një debati të rëndësishëm shoqëror për gjendjen e tolerancës ndërfetare në Maqedoninë e Veriut.

Gjithsesi që në Maqedoninë e Veriut nuk ka dhunë në mes grupeve fetare, por prapëseprapë janë disa mangësi serioze që nëse nuk i nxjerrim në shesh që të përballemi me to për t’i zgjidhur tani, rrezikojmë që gjendja në të ardhmen të bëhet shumë më keq. Dhe një nga këto mangësi është pa dyshim mosdhënia e lejeve për ndërtim të xhamive në disa komuna me shumicë orthodokse, një problem serioz por çuditërisht i injoruar nga opinioni.

Para se të dal te problemi kryesor, fillimisht duhet thënë se sa i përket ndërtimit të xhamive të reja, duhet pranuar që BFI-ja i meriton disa kritika. E para është se disa prej xhamive i kanë nisur pa leje dhe në mënyrë gjysëm të fshehtë; një rast i tillë i fundit por që mbeti vetëm tentativë ishte në lagjen Shkup-Veri, ku pa paralajmërim u rrethua parkingu para një ndërtese banimi me qëllim të ndërtimit të një xhamie. E dyta është financimi i ndërtimit të xhamive nga shtete të huaja, me çka rritet edhe më shumë fuqia e butë e atyre shteteve ndaj muslimanëve të vendit tonë. Dhe e treta është arkitektura jo aq mbresëlënëse e xhamive të reja; përderisa xhamitë e vjetra nga koha osmane kanë plot bukuri e madhështi, këto të rejat zakonisht janë një përzierje e paqartë e stileve arkitektonike me rezultat përfundimtar të dobët.

Por faji i Bashkësisë Fetare Islame për këto që u përmendën nuk e zbeh fare fajin e atyre që janë shkaktarë të një problemi shumë më serioz – që në fshatra, lagje, apo komuna ku nuk janë shumicë muslimanët, popullsia orthodokse dhe komuna përkatëse që ata e kontrollojnë, nuk lejon të ndërtohet një xhami edhe pse aty jeton një numër i konsiderueshëm i popullsisë muslimane!

Është e kuptueshme nëse dikush nuk është i lumtur nëse në vendbanimin e tij ndërtohet tempull fetar i një feje që nuk i takon, por lumturia e tij nuk mund të vihet mbi gëzimin e të drejtave të dikujt tjetër! Gjithkush do të donte që në shtetin e tij popullsia të jetë 100% e të njëjtës etni dhe fe, por ja që asnjë shtet në botë nuk është i tillë! Prandaj njerëzit duhet ta kuptojnë rëndësinë e tolerimit të tjetrit, dhe për shumë njerëz, nuk ka asgjë më të ndjeshme se përkatësia e tij fetare. Kjo është arsyeja pse toleranca ndërfetare është aq e rëndësishme. Dhe në këtë kuptim, nuk mund të flasim për tolerancë ndërfetare vetëm pse priftërinjë dhe hoxhallarë fotografohen bashkë nëpër pritje zyrtare apo seminare patetike, por toleranca e vërtetë është mirëkuptimi për ndjeshmëritë, ndalesat, shenjtëritë, dhe ajo që na intereson në këtë shkrim: nevojën për tempuj fetarë të palës tjetër!

Arsyen përse nuk duan xhami duhet ta sqarojnë ata që e kundërshtojnë: popullsia orthodokse dhe komuna që nuk jep leje. Mos ndoshta për ta përbën problem lartësia e minareve? Apo mos ndoshta kanë problem me ezanin që lëshohet nga altoparlanti. Nëse këto janë arsyet, le të tregojnë lirshëm, ndoshta ka hapësirë për kompromis. Xhamitë e para që i kanë ndërtuar muslimanët fare s’kanë patur minare, ndërsa nga 1,400 vite Islam, vetëm në dekadat e fundit ka që ezanin e këndojnë me altoparlant. Kështu që këto janë dy fusha ku edhe muslimanët mund të jenë më pak insistues.

Por pas refuzimit të ndërtimit të xhamive nëpër komuna si Aerodromi apo Qendra, mendoj se nuk qëndron vetëm frika nga minaret dhe ezani, por shumë më shumë janë këto arsye: 1. Thjeshtë urrejtja ndaj muslimanëve, 2. Frika se mos po inkurajohet ardhja e muslimanëve tjerë në ato vendbanime, dhe 3. Meqë shumica e muslimanëve janë shqiptarë, mos të zgjerohet territori i banuar me shqiptarë.

Cilëtdo të jenë arsyet, qëndrimi moslejues për ndërtim të xhamive në vendbanimet ku orthodoksët janë shumicë por ka edhe muslimanë, duhet të ndryshojë. Përndryshe, përveç mosmarrëveshjeve në bazë etnike, shtohen edhe ato ndërfetare, që edhe më shumë e rrisin rrezikun e frikës më të madhe për orthodoksët maqedonas: ndarjen e shtetit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button