Ndryshe nga banorët e rajonit Lindor, të Pollogut më pak kanë dëgjuar për Avokatin e Popullit
Rreth gjysma nga 1202 të anketuarve nga organizata Joqeveritare (OJQ) “Infoqendra” kanë deklaruar se nuk dinë se ku dhe si mund t’i drejtohen Avokatit të Popullit në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), që sipas anketës, kjo është rezultat i mungesës së promovimit të këtij institucioni, transmeton Portalb.mk.
Për Avokatin e Popullit më së shumti kanë dëgjuar të anketuarit e pjesës së rajonit Lindor (85.2 për qind), më së paku të anketuarit e rajonit të Pollogut (43.8 për qind).
Sa i takon moshës, qytetarët më të moshuar janë më të informuar për Avokatin e Popullit, ndërsa ata të moshës prej 18 deri 29-vjeçare janë më pak të informuar për ekzistimin e këtij institucioni.
Më shumë se gjysma e të anketuarve kanë vlerësuar se Avokati i Popullit është profesional në punën e tij, kurse 47 për qind thonë se është transparent. Rreth 40 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se Avokati i Popullit vepron në mënyrë të pavarur, megjithëse mbi 40 përqindëshi i tyre vlerësojnë se ky institucion është i afërt me Qeverinë e RMV-së.
Sipas OJQ “Infoqendra”, rezultatet e anketës tregojnë se ky institucion duhet të fuqizohet në kuptimin integritetit, profesionalizmit dhe transparencës.