Zgjedhjet në Ohër, sot kandidatët për kryetar e nënshkruajtën Kodin për zgjedhje fer dhe demokratike
Krahas kandidatëve presidencial, Kodin për zgjedhje fer dhe demokratike sot e kanë nënshkruar edhe kandidatë për kryetar komune në Ohër: Xhemal Mena nga Lëvizja BESA, Konstantin Georgievski nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Mitre Millosheski nga VMRO-DPMNE-ja, Stevçe Stevoski nga partia Demokratët dhe Kiril Trendafillov nga Unioni Social Demokratik, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Kliment Kamnarovski u është falënderuar kandidatëve që kanë pranuar iniciativën dhe me nënshkrimet e tyre u shprehën të pajtimit që në Ohër të ketë zgjedhje fer dhe të suksesshme.
Kandidati Mena pasi ka shprehur betimin, u ka dëshiruar sukses oponentëve.
Kandidati Gerogievski ka vlerësuar se Kodi mundëson edhe respektim të ndërsjellë të kandidatëve.
Nga ana tjetër, Millosheski ka vlerësuar se përgjegjësia për zgjedhje fer dhe demokratike është e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Ndërkaq Trendafillovi nënshkrimin e Kodit e ka quajtur si farsë, sepse sipas tij, në RMV-në ka Kushtetutë dhe ligje, dhe nuk ka nevojë për obligime shtesë të kësaj natyre.
LEXO: Zgjedhjet lokale në RMV: Nëntë kandidatë për tri komuna
Përndryshe, zgjedhjet në Ohër do të mbahen më 21 prill, njëkohësisht me zgjedhjet në dy komuna tjera, Dibër dhe Novoselë, dhe zgjedhjet presidenciale. Fushata zgjedhore do të fillojë nesër, më 1 prill, ndërkaq në rast të mos zgjedhjes së kryetarit, rrethi i dytë është caktuar për më 5 maj.