Instituti i Shëndetit për deponinë në Shutkë: Urgjentisht zhvendosje, dezinfektim dhe vaksinim

Pas denoncimit të Portalb.mk, më 11 mars të 2019-s, Instituti i Shëndetit Publik ka realizuar testim të dëmeve në lokalitetin e deponisë së egër ndërmjet Shuto Orizares dhe Vizbegut, në afërsi të Hotelit “Nju Star”. Pas evidentimit të disa mangësive të mëdha, ISHP-ja ka rekomanduar që urgjentisht të realizohet zhvendosja e deponisë, në lokalitetin ekzistues të realizohet dezinfektimi dhe deratizimi, dhe të kryhet vaksinimi i personave që kanë menaxhuar me të, transmeton Portalb.mk.

“Deponia paraqet rrezik serioz në shëndetin publik. Rekomandohet që urgjentisht të ndalohet hedhja e mbeturinave në lokacionin e përmendur, ndërmjet Shuto Orizares dhe Vizbegut, në afërsi të Hotelit “Nju Star”. Patjetër të realizohet zhvendosja e lokalitetit të shkarkimit të mbeturinave dhe ajo të bëhet në pajtueshmëri me rregulloren ligjore, si dhe realizohet sanimi afatgjatë i lokalitetit të shfrytëzuar, përfshirë edhe dezinfektimin dhe deratizimin. Institucionet përgjegjëse dhe komuna duhet që urgjentisht të sigurojnë lokalitet të sigurt për shkarkim të mbeturinave, i cili do t’i përmbushte të gjitha elementet që parashihen në ligj dhe aktet nënligjore të kësaj fushe, kurse në verifikimin e këtij lokaliteti duhet të përfshihen edhe personat profesional – specialist të shëndetit publik, të cilët do t’i vlerësonin rreziqet dhe aspektin e shëndetit publik”, thuhet në raportin e ISHP-së.

Për të qenë situata më alarmante, ISHP-ja ka vërtetuar se deponia gjendet afër rezervuarit të ujësjellësit Shkup dhe qendrës për strehim të emigrantëve.

Kjo tregon se ka rrezik për kontaminim të tokës dhe ujërave nëntokësore, të cilat janë afër rezervuarit të ujësjellësit të qytetit të Shkupit. Edhe përskaj këtij lokacioni ilegal, nuk është kryer dezinfektim dhe deratizim i rregullt, as vaksinimi i individëve që menaxhojnë me të njëjtën”, thuhet në raportin e ISHP-së.

Në raportin e përpiluar nga Dragan Gjorgjev dhe Mirjana Dimovska, sa i takon deponive të egra apo lokacione ku në mënyrë ilegale gjuhen mbeturina vazhdimisht, në këtë pjesë të Shkupit janë evidentuar 2-3 lokacione, të cilat për shkak të numrit të pamjaftueshëm të kuadrit të shërbimit, nuk është e mundur që në mënyrë efikase të ndalohet grumbullimi nga ana e personave të ndryshëm fizik dhe juridik. Nga Komuna është patrulluar deri në ora 16, dhe pas kësaj hedhja e mbeturinave ka qenë e pasigurt dhe e pakontrolluar.

Më tej në raport thuhet se gjatë kontrollit, nuk është vërejtur ekzistimi i dokumenteve që do ta definonin statusin legal të të deponisë, dhe e njëjta nuk është paraparë me planet urbanistike dhe funksionon në mënyrë që nuk është në pajtueshmëri me rregulloret ekzistuese.

“Kontrolli dhe mungesa e çfarëdo lloj dokumenti, vërtetojnë se bëhet fjalë për deponi johigjienike/mbeturina të tipit të hapur në të cilin në vazhdimësi dhe gjatë hedhen mbeturina të ndryshme, përshirë edhe mbeturina ndërtimore”, thuhet në raportin e ISHP-së.

LEXO: Djegia e deponisë në Shutkë: Banorët e Çairit, Butelit dhe Vizbegut po thithin helm(FOTO)

Ashtu siç raportoi Portalb.mk, edhe ISHP-ja ka vlerësuar se, për shkak se deponia është 6-7 kilometra në vijë ajrore larg Shkupit, varësisht kahes së erërave, shpërndarja e tymit, erës dhe gazrave, mund të jetë potencial rreziku i shëndetit të qytetarëve të pjesëve të Shkupit, në lagjet Butel, “Shkup Veri”, Vollkovë, Gjorgje Petrov dhe të tjera.

Lëshime të tjera që i ka evidentuar ISHP-ja janë: Lokaliteti nuk ka rrethojë mbrojtëse/rrjetë, përveç portës mbyllëse provizore, për çka qasje deri te ajo kanë të gjithë personat e paautorizuar, gjallesa të cilat janë duke kërkuar ushqim; nuk ekziston mjet mbrojtës as për erën kundërmuese, pluhurit, shkarkim-ngarkimit të deponisë nën ndikimin e erërave natyrore; nuk ka tabelë që do ta përkufizonte qëllimin e lokacionit; nuk është evidentuar shërbimi i rojës; nuk ka shenja të kundërzjarrit në rast se rrezikohet ndezja e deponisë; nuk përmban mburojë – objekt me dritare të dyfishta, instalim të sistemit të ventilimit me filtra dhe biofiltra, e cila do ta neutralizonte erën kundërmuese; nuk ka sistem për deponimin e mbeturinave, i cili do të ishte lidhur me rrjet kanalizimi ose rezervuare që janë rezistente ndaj korrozionit ku do të deponohej pjesa e lëngshme e mbeturinave, transmeton Portalb.mk.

Përndryshe,  si një nga kërkesat e grupit të banorëve të Vizbegut ka qenë: “Instituti i Shëndetit Publik të bëj vlerësim të dëmit nga djegia e deponisë”. Kërkesat u janë parashtruar edhe krerëve komunal të Shuto Orizares dhe Butelit, por deri tash asnjë vlerësim.

Përndryshe, deponia e egër (mbetjet e hedhura) në pjesën ndërmjet komunës Shuto Orizare dhe Vizbeg për dy javë vazhdimisht është djegur, ndërkaq kohë pas kohe djegia ka ndodhur edhe ditëve paraprake.

LEXO: Djegia e deponisë në Shutkë: Nuk janë kapur njerëzit, nuk do të ketë përgjegjësi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button