Rishqyrtimi i projekteve kulturore: Do të financohet vetëm një festival (VIDEO)
Nga projektet e refuzuara në kuadër të Programit Vjetor Kulturor 2019-të, gabim teknik është bërë në Festivalin “Zllatno Sllavejçe”, ndërkaq festivali që shkaktoi bujë në publik “Skopje Jazz Festival”, edhe pas rishqyrtimit nuk do të financohet, sepse nuk ka bazë ligjore, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Komisionit për veprimtari skenike-muzike dhe folklor, Pleurat Gashi ka njoftuar se gabim teknik ai dhe kolegët e tij kanë vërejtur në vendimin për refuzim të Festivalit “Zllatno Sllavejçe”,
“Për festivalin “Skopje Jazz Festival” mungojnë shumë dokumente. Nuk ka deklarata prej artistëve pjesëmarrës, prej hapësirës, nuk ka parashikuar buxhet, nuk ka të dhëna për aktivitetet e realizuara më parë. Unë i kam kërkuar atij këto, por ai i arsyetua se më parë nuk ka qenë kështu. Ky projekt nuk nënshkruhet nga ne, sepse s’kemi bazë pse ti ndajmë mjete. Nga dje, kemi vërejtur gabim teknik te festivali “Zllatno Sllavejçe”, ky definitivisht do të financohen nga Ministria”, tha Gashi.
Në konferencë për media ka dalë edhe anëtari i Komisionit për veprimtari dramatike, Hismet Ramadani, i cili njoftoi se ky komision nuk ka vërejtur lëshime pas rishqyrtimit të projekteve të refuzuara.
“Sa i takon projekteve të refuzuara, ne mbetemi në të njëjtët. Nuk ka ndryshime”, tha Ramadani.
LEXO: Edhe pas reagimit, Festivali “Teatri Shqiptar në Maqedoni” nuk do të marrë më shumë mjete
Ndërkaq i pyetur për festivalin “Teatri Shqiptar në Maqedoni” – Dibër, ku drejtori Ylber Nuredini ka kërkuar më shumë mjete nga sa janë ndarë tash, Ramadani edhe njëherë përsëriti qëndrimin e njëjtë, megjithëse tha se ka hapësirë për ndryshim të mjeteve në rast të parashtrimit të ankesës.
“Nëse argumentohen se janë pak mjete, atëherë do të ulemi dhe do të bisedojmë. Do të lëshojmë mjete, nëse është e nevojshme. Këtë vit kemi ndarë pak më shumë, por do ta shqyrtojmë sërish aplikacionin”, tha Ramadani.
Ankesa parashtrohet brenda 13 ditëve nga dita e shpalljes së Programit Kulturor Vjetor.
Edhe Komisioni për arkitekturë dhe dizajn nuk ka vërtetuar gabim teknik në vendimin për projektet e refuzuara.
“Pas rishqyrtimit, nuk kemi vërtetuar ndonjë gabim teknik në projektet e refuzuara”, tha anëtarja e Komisonit, Medina Hoxha.
Meqë secili komision ka mjete rezervë rreth 8 milionë denarë, nuk parashihen mjete shtesë edhe në rast të ndryshimit të mjeteve pas ankesave.
LEXO: Programi Kulturor 2019: Komisionet u deklaruan pas rishqyrtimit të projekteve të refuzuara
LEXO: Programi Kulturor Vjetor 2019: Shumë zhurmë për asgjë