Drejtësi për Almirin!

Vrasja e Almirit nuk është vetëm një rast i dhimbshëm në aspektin njerëzor, por edhe në aspektin moral, juridik dhe shoqëror. Një jetë e re u shua në mënyrën më barbare të mundshme ndërsa përpjekjet janë që e gjithë kjo të paraqitet si një aksident rrugor me pasoja vdekjeprurëse. Vrasja nuk mund të fshihet, veçanërisht kur ka dhe video-inçizim se si është kryer!

Problemi i parë lidhur me këtë rast është informimi i përçarë. Edhe pse rasti ishte shumë specifik, informimi që np fillim ishte i ndarë dhe me rastin gjatë ditëve të para kur ndodhi, mereshin ekskluzivisht mediat shqiptare. Vetëm pas disa reagimeve dhe insistimeve, disa nga mediat maqedonase filluan të publikojnë informata lidhur me të njejtin. Por kjo ishte vetëm në kohën kur rasti ndodhi dhe shpejt u harrua, mediat maqedonase asnjëherë nuk e shprehën interesimin e duhur lidhur me procesin gjyqësor që udhëhiqet për të akuzuarin në këtë rast. Një formë e tillë e informimit vetëm sa vërteton edhe një herë se sa e ndarë është shoqëria jonë, dhe se sa shumë punë duhet për t’u ndërtuar empatia e duhur dhe solidariteti mes komuniteteve, të cilat deri më tani shprehen vetëm në raste epizodike.

Problemi i dytë lidhur me rastin është transparenca e punës së prokurorisë publike. Të gjitha informatat lidhur me rastin i marim ekskluzivisht nga përfaqësuesit e familjes së viktimës. Prokuroria publike në këtë rast dhe në të gjithë rastet tjera, nuk përfaqëson vetëm institucionin shtetëror, nuk i mbron vetëm në mënyrë abstrakte interesat e përgjithshme të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të cilët ky institucion duhet t’i mbrojë nga kriminaliteti, por njëherit, është edhe përfaqësuesi kryesor dhe udhëheqësi i procedurës penale për viktimën e rastit. Vendosja konkrete e drejtësisë që reflekton vendosjen e përgjithsme të së njejtës përfshin më së pari mbrojtjen e interesave të viktimës. Fakti që prokuroria në këtë rast, pas një kohe kaq të gjatë dhe në mënyrë krejtësisht jotransparente, teton të rikualifikojë rastin nga vrasja në aksident rrugor me pasojë vdekjeprurëse, tregon qartazi që aty ekziston një hendek i madh mes interesave të viktimës dhe përfaqësimit të këtyre interesave nga prokuroria publike. Të sqaroj: Palë në një procedurë penale nuk është viktima, por prokuroria publike dhe i pandehuri. Procesi penal për vepra që ndiqen sipas detyrës zyrtare zhvillohet mes prokurorisë dhe të pandehurit, ndërsa interesat e viktimës përfaqësohen përmes prokurorisë dhe në kooordinim me përfaqësuesit e vetë palës së victimës. Ky rast tregoi njëherit një mungesë shumë të madhe të sistemit tonë të drejtësisë penale, ku viktima nuk e gëzon mbrojtjen e duhur të interesave të saj. Kështu, kur prokurori nuk i mbron sa duhet këto interesa, gjithçka që mund të bëjë viktima është të ankohet deri tek prokuroria e lartë. Viktima nuk ka mbrojtje gjyqësore të interesave të saj pasi që nuk ka mekanizëm juridik për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të shprehur shqetësimet e saj për mosinteresimin adekuat dhe neglizhencën eventuale të prokurorit publik. Mungesa e plotë e transparencës në këtë drejtim, ku prokuroria publike themelore dhe ajo e lartë nuk e shohin të arsyeshme që të sqarojnë arsyet pse duhet të ndodh një rikualifikim dhe lejojnë që të përhapen informata jooficiale dhe ndonjëherë edhe spekulime, është thjeshtë skandaloze.

Problemi i tretë ëtshtë vetë tendenca për rikualifikim e cila sipas të gjitha gjasave ka për qëllim dënimin minimal dhe të paligjshëm të të dyshuarit për vepërn penale. Ky është një rast mjaft i qartë. Video-incizimi tregon qartazi qëllimin e pakontestueshëm të kryerjes së vrasjes dhe momentin kur e njëjta kryhet. Një aksident eksiston kur nuk eksiston qëllimi i kryerjes së veprës dhe në të shumtën e rasteve aksidentet ndodhin ndaj personave me të cilët autori i veprimit nuk ka armiqësi kokrete ose edhe nuk njihet fare. Prandaj edhe quhet aksident, se në fakt ka ndodhur pa dashje dhe pa paramendim. Në video-incizimin që e pamë të gjithë duket qartazi që kjo nuk është kështu tek rasti i Almirit, duket qartazi që vozitësi i veturës me qëllim e ndryshon rrugën dhe përplaset për murin ku e shtyp për vdekje pikërisht femijën e personit me të cilin ka pasur zënkë pak më herët gjë të cilën e kuptojmë nga fakti se prokuroria ka ngritur hetim paralel edhe për dhunën e ushtruar gjatë po asaj zënke. Pra lidhja shkak-pasojë është shumë e qartë tek ky rast dhe vërtetohet me vetë faktin se prokuroria e ka hetuar pikërisht dhunën në atë zënkë, ndërsa vrasja ka ndodhur ndaj personit në mënyrë direkte të lidhur me atë zënkë, sado banale dhe e pakuptimtë qoftë ajo. Të mundohesh që një gjë të tillë ta paraqiesish për aksident është thjeshtë e papranueshme, veçanërisht në një situateë kaq të qartë dhe të incizuar.

Problemi i katërt në këtë rast është mbrojtja e të drejtëts esenciale njerëzore, të drejtës se jetës. Kushtetuta e Maqedonisë dhe ligjetë përkatëse, si dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara përcaktojnë që shteti është i obliguar të garantojë të drejtën e jetës për të gjithë njerëzit që jetojnë aty. Kjo do të thotë që shteti është i obliguar ta mbrojë jetën e njerëzve që e njejta të mos humbet, dhe t’i hetojë në mënyrë adekuate të gjitha rastet kur kjo e drejtë është cënuar ose është shkelur, duke zhvilluar hetime dhe procedure penale efektive dhe duke dhënë denim adekuat për autorët. Kur hetimi është jotransparent, kur veprimet e institucioneve shtetërore të sundimit të ligjit shkojnë në kundërshtim me interesat e viktimës të cilës i është cënuar kjo e drejtë, në fakt shteti mund të paraqitet si shkelës i kësaj të drejte esenciale të njeriut. Në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drjetat e Njeriut ka shumë raste të ngjashme ku shteti është gjetur fajtor për atë pse nuk ka hetuar në mënyrë transparente dhe efikase dhe pse nuk e ka dënuar në mënyrë adekuate humbjen e një jete. Nuk do të duket aspak mirë për organet shtetërore të drejtësisë në qoftë se edhe ky rast do të përfundojë si i tillë në Gjykatën e Strasburgut.

Problemi i pestë lidhur me këtë rast është ndiesija jo e këndshme dhe zhgënjyese që krijohet në aspekt të drejtësisë selektive. Qytetarët e një vendi duhet të ndjejnë se janë të mbrojtur pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Nëse duhet që gjithmonë drejtësinë ta kërkojnë përmes protestave, edhe në raste shumë eklatante ku qartësisht duket se çfarë ka ndodhur, kjo nuk është aspak shenjë e mirë për nivelin e sundimit të ligjit në atë shtet. Një qajse e tillë jotransparente dhe e njëanshme e prokurorisë e cila duhet t’i mbrojë interesat e të gjithë qytetarëve, ndikon shum negativisht ndaj besimit që duhet të krijohet ndaj këtij institucioni, si dhe ndaj besimit që duhet të ekzistojë mes komuniteteve etnike në vend.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button