Hasani dhe Osmani: Do të japim maksimumin për fitore

Ekipi i Shkëndijës pothuajse i ka përfunduar të gjitha përgatitjet për duelin e parë të rrethit të dytë paraeliminator të Liga Evropës, kur nesër do të takohet kundër ekipit të Helsinkit nga Finlanda.

Padyshim se dueli i radhës do të jetë më e vështirë se sa ajo kundër Daçias në raundin e parë, kur kuqezinjtë kishin mundur ekipin nga Moldavia me rezultat të përgithshëm 7:0.

Të përzgjedhurit e trajnerit Qatip Osmani janë të gatshëm për ta përballuar me sukses edhe sfidën e radhës dhe për të vazhduar rrugëtimin e tyre drejt një suksesi tjetër.

Në konferencë para gazetarëve, kapiteni i kuqezinjve Ferhan Hasani dhe trajneri Qatip Osmani u shprehen të bindur se do të japin maksimumin në ndeshjen e parë, që luhet nesër (e enjte) në stadiumin “Mlladost” në Strumicë.

Për Osmanin ekipi i Helsinkit është kundërshtar më i fortë se Daçia dhe këtë ua ka thënë edhe lojtarëve: “Pas kualifikimit në rrethin e dytë, përgatitjet dhe takimet me futbollistët i kemi shfrytëzuar për ti evituar gabimet që i kishim në dy përballjet me Daçian. Helsinki realisht është ekip më kualitet më të madh se Daçia, ndërsa këtë ua thash edhe lojtarëve të mi. Ne maksimalisht e presim këtë ndeshje, prandaj do të tentojmë që në ndeshjen e parë të arrijmë rezultat pozitiv”, është shprehur Osmani. 

Nga ana tjetër kapiteni Hasani, që është futbollisti më i mirë i kuqezinjve, pranon se nuk do ta kenë lehtë ndaj Helsinkit, por nëse arrijnë të përsërisin lojën me Daçian, beson se do të arrijnë rezultat pozitiv. “Sigurisht se para vetes kemi një kundërshtar të fortë. Edhe pse në këtë ndeshje po hymë pas një paraqitje dhe rezultati të mirë në përballjen me Daçian, kjo nuk do të thotë se do ta kemi lehtë. Mirëpo, nëse arrijmë të përsërisim lojën nga ndeshja e parë, duke ia bashkangjitur asaj dhënien e maksimumit të të gjithë lojtarëve, besoj se mund të arrijmë deri te rezultati pozitiv”, deklaroi Ferhan Hasani.

Skuadra e Shkëndijës sonte në orën 19:00 zhvillon stërvitjen e fundit, ndërsa ndeshja Shkëndija – Helsinki luhet nesër me fillim në orën 18:00.  /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button