KA DALLIM

Pas gjithë atyre viteve të kaluara në pushtet në kolltukun numër një të vendit, kryeministri aktual më në fund iu drejtua popullit shqiptar me një fjalim. Moti ishte i vranët, me shi e mezi depërtonte drita nëpër dritaret e shtëpive të shqiptarëve të papunë, po edhe më vështirë e kishin të depërtojnë fjalët e kryeministrit në veshët e shqiptarëve të cilët kanë vendosur të dalin të votojnë në këto zgjedhje që bëhen për të kushedi të satën herë me qëllim që të zgjatet mandati edhe një herë pas shumë herëve. Jo për shkak të shiut, por për shkak të mjegullës që ka e ka mbuluar realitetin e tashëm politik te ne. Megjithatë kjo paraqitje, megjithëse në mjegull,  është një kthesë në politikën e qeveritarëve dhe të udhëheqësve të partive më të mëdha të maqedonasve.

Kryeministri më në fund kështu e pranoi se shqiptarët janë faktor i rëndësishëm për të ardhmen e këtij vendi, se atyre duhet t’u kushtohet kujdes. E gjithë kjo është në rregull. Në rregull është pa mëdyshje se partia e kryeministrit ka bërë punë të mirë me subvencionimet që i ka dhënë për bujqit, sepse nuk e di sa janë angazhuar partitë shqiptare për këtë problem, janë angazhuar pak apo ndoshta nuk janë angazhuar fare. Po ashtu, është e vërtetë se më shumë kanë bërë ministrat e shëndetësisë së VMRO-së për përmirësimin e shëndetësisë në Maqedoni se sa që kanë bërë ministrat shqiptarë, kur i kanë prirë sektorit të shëndetësisë. Është, po ashtu, e vërtetë e madhe se për zhvillimin e ekonomisë së vendit kontributi i partive shqiptare është më modest, për shkak të politikës së dështuar kadrovike të partive tona.
Madje ka edhe diçka që nuk e tha kryeministri për partitë shqiptare. Nuk tha se ato më shumë e shpenzojnë energjinë e tyre duke u grindur mes vetes, duke krijuar përshtypjen se zihen për bajrakun, jo për prosperitetin e popullit i cili del dhe ua jep besimin përmes votës. Do të kishte qenë mirë ta thoshte. Mirëpo nuk është me shije kur kryeministri thotë se subvencionet nuk qenkan ndarë vetëm për bujqit maqedonas, se çmimet e barnave nuk janë liruar vetëm për maqedonasit, se pensionet nuk janë rritur vetëm për maqedonasit, se në rrugët që ndërtohen nuk do të qarkullojnë vetëm maqedonasit. Kjo nuk ka shije, se po të ishin bërë këto punë vetëm për maqedonasit, atëherë nuk do të kishim pasur kurrfarë demokracie këtu, por diçka tjetër, do ta kishim pasur një shtet diktatorial, i cili e shtyp një pjesë të qytetarëve të vet.

Fjalimin e tij kryeministri e mbylli me devizën zgjedhore “ka dallim”. Edhe unë mendoj se ka dallim nga ajo që e flet kryeministri dhe ajo që është dashur ta thotë. Dhe, dallimi qëndron në faktin se partia e kryeministrit shumë energji ka shpenzuar për trashëgiminë maqedonase e hiç fare për trashëgiminë shqiptare, se partisë së tij ende i pengon gjuha shqipe ani se gjuhën shqipe e flasin mbi njëzet për qind dhe se ata që e mbajnë vulën e pushtetit me vendosmëri i thonë jo kësaj gjuhe të cilën ne e flasim me shekuj, njësoj siç e flasin maqedonasit gjuhën e tyre. Natyrisht asnjë fjalë nuk e tha kryeministri edhe për fyerjet e ndryshme që na i bëjnë akademikë, gazetarë e intelektualë të ndryshëm.

Dallim ka edhe për punën e Ministrisë së arsimit, me të cilën shqiptarët nuk janë të kënaqur që nga tekstet shkollore që vlojnë nga fyerjet për shqiptarët, se ato tekste janë të përkthyera (shumica e tyre) keq e më keq e mos të flasim për hallet tjera që nga shkollat fillore e deri në universitete. Dallim ka edhe  në realizimin e atyre 2014 projekteve të cilat i premton VMRO-ja, sepse nuk ka shumë projekte të cilat janë paraparë për viset ku shqiptarët janë shumicë. Dallim ka edhe në punët selektive që i bëjnë disa minstri dhe disa drejtori. Dhe, ka dallim, po si, se partia e kryeministrit kërkon 63 ose 63 deputetë, mirëpo kjo parti nuk e ka asnjë kandidat shqiptar në listën e tyre zgjedhore. Në një anë kërkojnë 63 a 63 deputetë, që ta kenë shumicën në parlament, në anën tjetër të gjithë kandidatët i kanë maqedonas, a nuk i duket fare udhëheqjes së partisë se shqiptarët kështu do të jenë të përjashtuar? E ç’peshë paskan të përjashtuarit që në këtë situatë politike të përjashtuarit janë sinonim i inekzistentëve? Kujt mund t’i duhen inekzistentët? Me të vërtetë ka dallim. Ka dallim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button