Dibranët duhet ta votojnë Radikën

Jemi në fushatë elektorale dhe vendi gjithandej është mbushur e stërmbushur me reklama politike ku në to shfaqen ide pa fund, arritje e premtime që po t’i shikojë dikush nga jashtë mendon se me të vërtetë këta janë super liderë e super politikanë, por realisht këta politikanë që na përfaqësojnë kanë dështuar në çdo premtim që kanë dhënë, madje kanë pësuar dhe regres në të gjitha sferat, nuk e kam fjalën vetëm për partinë shqiptare në pushtet, por gati e gjithë klasa politike shqiptare në Maqedoni nuk është asgjë më shumë se sa një shërbyese mjaft besnike e VMRO-së së Gruevskit.

Gjithsesi, qëllimi kryesor i këtij artikulli është Radika, Dibra dhe dibranët. Të gjithë dibranët e dinë dhe janë të vetëdijshëm që Dibra nga politika nuk ka përfituar asnjëherë, sepse çdoherë janë marrë vendime kundër vullnetit të dibranëve dhe që kanë dëmtuar gjithmonë e më shumë Dibrën. Dibrës për çdo vit po i merret diçka dhe pasi që ja morrën gjënë më të çmueshme, rininë dhe e lanë një vend pa ardhmëri, tani syri I’u ngeli edhe tek ata gjëra të pakta që na kanë mbetur dhe na i ka falur vetë natyra dhe duan të devijojnë Radikën që është pjesë e pandashme e Dibrës dhe e historisë të saj.

Dibranët pa përjashtim duhet të thonë MJAFT MË! Nëse deri dje i mashtruan dibranët me premtime boshe, sot dibranët nuk duhet më t’iu besojnë këtyre politikanëvë sepse e kanë dëshmuar që janë gënjështarë, pasi që vetëm kur ka zgjedhje ju kujtohet populli dhe vijnë si lypsarë për t’a kërkuar votën. Por jo më, të paktën kësaj radhe dibranët duhet t’i thonë jo, sepse ne nuk do votojmë askënd por do votojmë për Radikën, kështu që dilni në zgjedhje por mos votoni partitë politike, thjesht jepuni një X të madh atyre, dhe shkruani që votoni Radikën dhe ta dijnë njëherë e mirë dhe të marrin mësim këta politikanë që nuk duhet mashtruar sepse në fund populli do t’ju ndëshkojë.

Unë jam vetë student dhe është bërë traditë që partia në pushtet u paguan transportin të gjithë studentëve në këmbim të votes. Mua më vjen mirë që e paguajnë dhe nuk them të mos e shfrytëzoni, shfrytëzojeni por kësaj rradhe votën mos j’ua jepni. Mos e kuptoni këtë si pandershmëri sepse ata të holla vidhen nga xhepi jonë nga taksat tona, madje po ata para vidhen edhe nga pedagogët e korruptuar të universiteteve që janë vendosur aty po nga këta politikanë, janë ata pedagogë që I’u detyrojnë të blini librat e tyre me çmime shumë të larta dhe mos të përmendim rastet kur ju jeni të detyruar  të paguani për të marrë notën. Pra me një fjalë mos t‘ju dhimbsen paratë e këtyre, sepse këta politikanë janë vëtëm vampirë të kësaj shoqërie, që rrinë aty vetëm për të vjedhur popullin e jo për ti shërbyer atij.

Dibranë, ju duhet të bojkotoni këta zgjedhje së pari pasi edhe kandidatët dibranë për deputet janë aq posht në listat e deputetëve sa nuk ka shanse të zgjidhen deputet dhe së dyti  vota e dhënë për partitë politike kësaj rradhe është votë për devijimin e Radikës. Dibranë ju duhet të bojkotoni jo duke mos dalë në votime por duke dalë dhe duke votuar Radikën.

Një fjalë e urtë thotë: “Nëse më mashtron njëherë turp të të vijë, por nëse më mashtron për herë të dytë turp të më vijë”, pra këta politikanë kanë shumë vite që mashtrojnë dibranët me premtime nga më të ndryshmet, por të paktën kësaj rradhe dibranët duhet t’i thonë JO mashtrimeve të tyre, sepse ne do votojmë Radikën!

Student në Universitetin Evropian të Tiranës

Lajme të ngjashme

Back to top button