VAKIA

Rrija ulur nën manin e madh ku kalonte vija me ujë të kulluar dhe ku era e lehtë e malit i bënte gjethet e manit të fëshfërijnë dhe bashkë me gurgullimën e ujit e këndonin  një këngë magjike, të cilën besoj se vetëm unë e dëgjoja. Pak më lartë, në bar flinte qeni i madh i Sharrit, Ujkani, ose “sigurimi” ynë i shtëpisë që na ruante nga hajnat e shumtë të cilët i “prodhonte” varfëria e fillimeve të bujshme të komunizmit me planet e veta pesëvjeçare. Po adoleshenti shpesh mërzitet edhe nga bukuritë natyrore që i ka falur perëndia fshatit dhe kërkon diçka tjetër. Ta ndryshojë atmosferën.

Ishte verë, vapë, dhe xhemperin e kuq që ma kishte thurur gjyshja ime nga nëna e zhvesha, e hodha mbi degën e parë të manit mos të ma shkelin pulat dhe sa çel e mshel sytë u gjeta në rrugë. Jashtë ishte qetësi e madhe të cilën e prishnin vetëm gurgullima e ujit dhe  kënga e gjinkallës. Natyrisht se kjo qetësi e bënte më të rëndë vetminë e një adoleshenti siç isha unë. Prandaj e vazhdova rrugën me pluhur. Duke ecur, në një kthesë,  e pashë një zagar që ishte shtrirë mu në mes të rrugës, nën hijen e një degë të madhe të arrës e cilës zgjatej përmbi murin e shtëpisë mbi rrugë. Zagari vetëm cijaste dhembshëm dhe merrte frymë rëndë. I bërtita një herë: çup, ashtu i u bërtasin qenve te ne për t’i larguar nga ndonjë vend. Kot. Zagari më shikoi me sytë e mekur sikur të kërkonte mirëkuptim nga unë. Ky kërkon diçka prej meje, mendova, Iu afrova. E përkëdhela në qafë. M’u duk se kishte zjarrmi. E dija nga gjyshi im se kur kafsha ndjehet keq duhet të stërpiket me ujë. Vrapova ta gjej ndonjë enë t’i hedh ujë, të freskohet. Nja dhjetë hapa më tej e gjeta të hapur derën e madhe të një fshatarit tonë që shkurt e thërrisnin Bankrot, pasi kur ishte kthyer nga ushtria në Nova Goricë, vazhdimisht u paska treguar se çfarë do të thotë bankrot. Në fund të shkallëve të shtëpisë së Bankrotit e pashë një kovë. Shpejt e mora, e mbusha në vijë deri në gjysmë dhe ngadalë e stërpikja zagarin me dorën që e lagia në ujët e kovës. Dikur, kur zagari u lag mirë, dhe, ndoshta kjo do të kishte bërë t’i bjerë zjarrmia, ai u ngrit. Më shikoi një herë. Sytë e tij tash i kishte të kthjellët. E lëvizi njëherë bishtin e tij dhe u fut në oborrin e Bankrotit, nga i cili ishte e ndarë pjesa më e madhe e vendit me një gardh të ulët, por të thurur mirë që e veçonte oborrin prej kopshtit. Një derë e vogël që e kishin bërë për të hyrë nga oborri në kopsht të vjelin pemët ose për punët tjera të fshatit kishte mbetur hapur. Ose ndoshta gjithmonë e mbanin ashtu. Zagari u fut në kopsht me shpejtësi. Pastaj me ngut filloi t’i këpusë gjethet e disa barishteve, të cilat i hante. Për mua ishte habi e madhe. Zagari të hante bar! I mbështeta bërrylat mbi gardh dhe po e shikoja si shkonte nëpër kopsht. Zagari me shpejtësi i gjente majat e barishteve dhe i hante. Pastaj u afrua  te gardhi ku isha unë mbështetur në bërryla. Pasi e kaloi kopshtin me bar anë e kënd duke i këputur majat e barishteve që i zgjidhte, u kthye kah unë. U shtri një herë krejt afër në anën tjetër të gardhit. Pastaj u ngrit në dy këmbët e prapme, kurse të parat i mbështeti në gardh mu te unë thuajse donte të ma shtrijë këmbën si ne njerëzit kur ia shtrijmë dorën mikut për ta tokur për përshëndetje. E shikoja i gëzuar, se më dukej që ai po më falënderohet që e kisha stërpikur, se po kërkonte të bëhemi miq. Ndoshta e mori për ndihmë që e stërpika. Ose, ndoshta mua më dukej ashtu. Sidoqoftë më erdhi mirë kjo afërsi që u krijua mes meje dhe zagarit. Pastaj unë i fola si miku mikut. Ç’të gjet mor zagar i mirë?! Çfarë ndodhi kështu? Të gjeta shtrirë para pak çastesh, kurse tash të shoh të gëzuar! Më gëzove shumë edhe mua që dola nga shtëpia ta heq mërzinë e ja që te fatkeqësia jote që e pashë në sytë e tu të mekur  e gjeta  lumturinë pse t’u gjeta. Ne u bëmë miq. A pranon të jemi miq? e pyeta. Zagari përsëri i lëvizi këmbët e para që i mbante mbështetur para meje që qëndroja në këmbë në anën tjetër të gardhit në oborrin Bankrotit. Unë e zgjata dorën dhe ia kapa butë këmbën e parë të djathtë. Tash jemi miq, i thashë. Ndërkohë gruaja e Bankrotit, Xifja, një grua e butë, më kishte parë nga çardaku. Por nuk reagoi fare. Kishte shikuar çudinë që po ndodhte në komunikimin tim me zagarin, Po ky komunikim nuk zgjati edhe shumë. Zagari i lëshoi në tokë këmbët dhe filloi të lehë. Unë e shikoja me habi. Çfarë po ndodh me këtë zagar të çuditshëm?! mendoja. Në atë çast e ndjeva një shuplakë të rëndë në qafë. Nuk munda as ta kthej kokën ta shoh se kush më ra kështu, sepse njëherë u palova për gardhi e pastaj e pashë veten në tokë. I frikësuar e ngrita kokën dhe e pashë pranë meje Bankrotin katallan, me ato duart e mëdha, buzët e trasha dhe sytë e kuq e të ënjtur. Ç’kërkon ti dreq këtu? A mos u mundove ta vjedhësh zagarin?! Mua nga llahtari m’u shter zëri e s’munda ta them një fjalë të vetme, por sahora aty u gjet Xifja. Banki, Banki! bërtiti ajo. Lere djalin se ai e shpëtoi zagarin. Bankroti më shikoi edhe një herë, kësaj radhe i habitur. Si e paska shpëtuar ky? pyeti. Pastaj Xifja e cila e kishte parë zagarin te dera të shtrirë, i tregoi se ishte munduar ta ndihmonte, por s’kishte mundur. Kishte menduar se e kanë helmuar. Ajo ishte kthyer e mërzitur në shtëpi, para se të vija unë dhe gjatë gjithë kohës e mbështetur për parmakët e çardakut s’i kishte ndarë sytë nga zagari. Pastaj të gjithë rrjedhën e ngjarjes ia tregoi Bankrotit, duke i thënë se qeni kishte lehur nga gëzimi që e kishte parë dhe s’kishte asgjë me djaloshin. Banki, zagari donte thjeshtë të të tregojë se ky djalë i ndihmoi që të shërohet, i tha gruaja. Më fal! më tha Bankroti dhe unë mora të largohem. Pas meje vrapoi zagari. Si  ecja unë kryelëvarur nga shpulla që e mora, zagari sillej rreth meje i gëzuar, ndërsa Xifja më tha ta pres pak. U ndala, gjithmonë me zagarin që kërcente te këmbët e mia. Xifja u ngjit shkallëve dhe shpejt zbriti me dy molla  verore lisme. Merri, më tha, këto molla. Të lumtë! E shpëtove një shpirt! I mora, sepse me mollë te ne shprehet mirënjohja dhe dashuria. Ndërkohë Bankroti edhe njëherë më tha: Më fal! Me mollët në dorë mora të dal pa e kthyer kokën me ndjenjën e asaj shpullës që s’do ta harroja kurrë, por zagari, s’më hiqej. Kur arrita te dera e madhe për të dalë, Xifja më tha: Djalosh merre zagarin. Ti e shpëtove… është yti. Merre! përsëriti Bankroti. E mora në krah zagarin, kurse ai ma lëpiu mjekrën. Zbrit, i thashë dhe e lëshova në tokë. Ai më ndoqi i gëzuar.

Gjyshi heshti kur i tregova se ma kanë falur këtë zagar. Vetëm më tha: Ku ta di Ujkani a do ta durojë. Do të bëhen shokë, i thashë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button