FNDNJ: Për krimin në Gostivar përgjegjës edhe “shqipëfolësit në BDI”

Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e njeriut me kryetarë Idriz Sinani ka reaguar ashpër dhe ka dënuar helmimin e nxënësve shqiptarë në Gostivar duke e quajtur një krim ndaj rinisë shqiptare si më të rëndin, më të dëmshmin dhe më të dhimbshmin dhe të orientuar kundër njerëzimit.

“Helmimi dhe ngjarja tragjike e nxënësve e profesorëve të tyre këto ditë në Gostivar s’është gjë tjetër përveç edhe një grusht i rëndë i drejtuar kundër popullatës shqiptare në këtë kuazi Republikë, të cilën e mbajnë në këmbë pikërisht dhe fatkeqësisht shqiptarët me koalicionet e tyre joparimore”, thuhet në reagimin e Forumit.

Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, seksioni në Maqedoni, ka thënë se shqiptarët deri më tani kanë bartur çdo çmenduri të partisë në pushte duke përfshi edhe BDI-në.

“Ku ka më mizore, më shpirtligësi dhe më ironike se të preket në rininë e cila është  ulur në bankat e shkollës për të mësuar e përparuar për rrjedhat e jetës në shekullin e 21. Këtë e bën vetëm i ligu që nuk ka shpirt e zemër njeriu. Epo, ne shqiptarët i bartëm deri më tani të gjitha pasojat e çmendurive sllavo-maqedonase, të pangopur në vuajtjet e shqiptarëve të shkaktuara me qëllime të caktuara hegjemoniste e shoviniste të pushtetit aktual dhe të ndihmësve të tij, fatkeqësisht shqipfolës në subjektin e BDI-së”, thuhet në reagim. 

Ata kërkojnë që të ndërmerren masa urgjente në zbardhjen dhe kapjen e aktorëve të këtij veprimi.

“Njëkohësisht ftojmë dhe apelojmë tek faktori ndërkombëtar dhe mekanizmat e tyre që të ndërmarrin masa të duhura për ta vetëdijësuar FYROM-in që të respektoj të drejtat e njeriut sipas Konventave ndërkombëtare e që duhet të vlejnë edhe për shqiptarët. Përkujtojmë e lusim t’mos lejohet që gjërat të dalin jashtë kontrollit dhe të bëhen fitil për ndezjen e situatës së padëshirueshme siç ishte në një të kaluar jo të largët të këtij rajoni, e me pasoja të rënda edhe për botën demokratike”, thuhet në reagim.  

Lajme të ngjashme

Back to top button