Thaçi kërkon ndriçim të krimeve para dhe pas luftës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dërguar katër letra deri te Prokuroria dhe Këshilli i prokurorisë në të cilat kërkon hetim të krimeve dhe rasteve të ndodhura para dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Këtë e bëri të ditur Thaçi në një konferencë për media, i cili u shpreh se tani drejtësia e vendit është e gatshme të përballet me sfidat dhe nevojat e Kosovës.

Thaçi bëri të ditur se në letrën e parë ka kërkuar të hetohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, siç është masakra kundër familjes Jashari, masakra e Reçakut, Mejës, Dubravës, Qyshkut, Lubeniqit, dhe për ato që kanë ndodhur kudo në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në letrën e dytë, Thaçi bëri të ditur se ka kërkuar që vëmendje të veçantë t’I kushtohet krimeve serioze që janë kryer menjëherë pas luftës, dhe për ato të kryera më vonë, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999 dhe atentati ndaj Ibrahim Rugovës në vitin 2005.

Në letrën e tretë, Thaçi deklaroi se ka kërkuar nga organet e drejtësisë që t’i kushtojnë vëmendje dhunës seksuale të ushtruar ndaj vajzave dhe grave gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999. Ai shtoi se disa nga krimet e luftës janë ndërmarrë nga organet kombëtare të drejtësisë, por që asnjëra nuk e ka marrë përgjigjen e merituar.

Në letrën e katërt, Thaçi ka njoftuar se ka inkurajuar Zyrën e Prokurorit të Shtetit që vëmendje të veçantë t’i kushtojë zbardhjes së vërtetës të shkatërrimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike.

Duke treguar besimin e plotë ndaj organeve të drejtësisë së Kosovës, presidenti Thaçi theksoi se në rast nevoje do të ndahen mjete shtesë për ekspertizë të këtyre rasteve, deri në zbardhjen e tyre.

Ai në fund ritheksoi se arsyeja e dërgimit të këtyre letrave po në këtë kohë është se “Që nga qershori i këtij viti, pothuajse të gjitha kompetencat ekzekutive nga EULEX-i janë bartur në institucionet e drejtësisë vendore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button