Kosovë, dita kombëtare e personave të zhdukur gjatë luftës

Sot u bënë 24 vjet që kur në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, rreth 90 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe ndaluan rreth 400 shqiptarë, trupat e pjesës më të madhe të të cilëve u gjetën ndër vite në varreza masive. Ndër ta janë edhe djemtë e Ziza Aliajt, Arbeni 19 vjeç dhe Agroni 17 vjeç, si dhe bashkëshorti i saj, Adem Aliaj, shkruan Zëri i Amerikës.

“Atë ditë kemi dalë me traktor, në traktor m’i kanë marrë djemtë dhe burrin e i kanë dërguar në livadh, ua kanë lidhur duart pas kokës ndërsa ne kemi ikur për në Shqipëri e më nuk i kemi parë”, thotë Ziza Aliaj.

Ankthi i pritjes përfundoi gati një dekadë pas luftës kur trupat e tyre u gjetën rrëfen ajo, ndërsa thotë se tash më shumë e mundon mosvënia e kryesve të krimit para drejtësisë.

“Vështirë është shumë për neve edhe sot. Më zor nuk ka, më vështirë nuk ka se të presësh për neve. Nuk i harrojmë kurrë derisa të shkojmë te ta. Kemi dëshirë të gjinden edhe ata që nuk janë gjetur se dhimbjen të gjithë e kemi”, thotë ajo.

Por fatin e njëjtë nuk e kishin shumë familje të tjera, të cilat sot e asaj dite nuk dinë asgjë për fatin e familjarëve të tyre. Istref Isufit me 27 prill të vitit 1999 iu vranë dy prindërit e pesë vëllezërit e tij, trupat e të cilëve thotë se u gjetën rreth tri vite pas luftës. Por edhe sot e kësaj dite ai nuk di asgjë për fatin e kushërirës së tij, Mirsade Isufi, varri i së cilës është lënë bosh në Mejë.

“Dhimbja është shumë e madhe, për këta po e dimë që i kemi këtu por edhe atë sikur të mund ta gjenim atëherë largohet dhimbja pak. Ta dimë të paktën ku të vijmë e vizitojmë e të sjellim ndonjë lule”, thotë ai.

“24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë. Institucionet e shtetit, mekanizmat e Republikës për drejtësi duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari pikërisht në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas vizitës në kompleksin përkujtimor në Mejë.

Në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u arrit në Ohër me 18 mars, palët janë pajtuar të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, i tha Zërit të Amerikës gjatë një veprimtarie për të zhdukurit në Prishtinë, se shpreson që me këtë deklaratë do t’i jipet fund politizimit të kësaj çështjeje.

“Ne shpresojmë shumë që kjo çështje kaq e ndjeshme të trajtohet me përparësi, të trajtohet si çështje humanitare nga të dy shtetet dhe të dy qeveritë të shprehin gatishmërinë e tyre të plotë të bashkëpunojnë pa rezerva duke i lënë anash tensionet e tjera politike që i kemi si dy shtete”, thotë Shabiu.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur, pjesa më e madhe ë të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare. Nënshkrimi i deklaratës për të zhdukurit mund të bëhet me 2 maj në Bruksel, në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button