Dy fëmijë ende në gjendje kritike pas masakrës së djeshme në Beograd, 13-vjeçari ishte përjashtuar nga shoqëria, thotë policia

Dy fëmijë janë ende në gjendje kritike pas masakrës së djeshme në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në qendër të Beogradit, të cilën e kreu një nxënës 13-vjeçar, i cili vrau me armë tetë fëmijë dhe një roje. Gjendja e pesë të plagosurve të tjerë është stabile, mes tyre edhe mësuesi i historisë, në klasën e të cilit hyri Kosta K, transmeton Portalb.mk.

“Vajza e cila u operua dje për shkak të plagëve në kokë është ende në rrezik dhe në terapi intensive. Mjekët po bëjnë gjithçka për ta mbajtur në jetë, por gjendja e saj e përgjithshme është shumë e rëndë”, ka thënë drejtoresha e Klinikës së Fëmijëve në Beograd, Sinisha Duçiq.

Shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliq, tha se Kosta K. e kreu sulmin për shkak se ishte i përjashtuar nga shoqëria.

“Ende nuk e dimë motivin. Ajo që mësuam ishte se ai ishte injoruar dhe përjashtuar nga shoqëria. Kur thirri policinë pas të shtënave, ai tha se ishte psikopat dhe se kosideron se duhej të qetësohej”, tha Miliq.

Policia dje ka arrestuar babanë e nxënësit të klasës së shtatë dhe i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka thënë se ai nuk mund të konsiderohet penalisht përgjegjës pasi nuk i ka mbushur ende 14 vjet. Gjithashtu, nuk ka asnjë bazë ligjore për ta përjashtuar nga shkolla, ai mund të transferohet vetëm në një tjetër.

Avokatja e sulmuesit, Irina Boroviq, tha se ai është transferuar në Qendrën për Punë Sociale dhe pas bisedimeve me psikologun dhe psikiatrin, do të dihen hapat e mëtejshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button