Shpenzimet ushtarake në rang global arrijnë nivel rekord

Shpenzimet ushtarake në rang global u rritën për të tetin vit me radhë, duke arritur gjatë vitit 2022 një rekord të ri prej 2.24 trilionë dollarësh, me një rritje të ndjeshme në Evropë kryesisht për shkak të shpenzimeve të Rusisë dhe Ukrainës, tha të hënën një organizatë studimore suedeze, raporton VOA.

Shpenzimet globale u rritën me 3.7%, por në Evropë ato u rritën me 13% – rritja më e madhe kjo në të paktën 30 vitet e fundit, thuhet në raportin Institutit Studimor të Stokholmit për Paqen Ndërkombëtare (SIPRI). Ndihmat ushtarake për Ukrainën dhe shqetësimet për një rrezik në rritje nga Rusia “ndikuan së tepërmi tek vendimmarrja e vendeve të tjera për shpenzimet” ushtarake.

Instituti i pavarur suedez thotë se tre vendet me shpenzimet më të mëdha për mbrojtjen janë Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, të cilat të marra së bashku kanë 56% të shpenzimeve ushtarake të botës.

Rritja “është një tregues se po jetojmë në një botë gjithnjë e më të pasigurt”, tha studiuesi Nan Tian, me Programin për Shpenzimet Ushtarake dhe Prodhimin e Armëve në institutin suedez SIPRI.

Disa vende bënë rritje domethënëse të shpenzimeve të tyre ushtarake pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, ndërsa të tjera kanë njoftuar planet për të rritur shpenzimet gjatë një periudhe prej një dekade. Disa nga rritjet më të mëdha janë në vendet pranë Rusisë: Finlanda (36%), Lituania (27%), Suedia (12%) dhe Polonia (11%).

Shpenzimet ushtarake në Evropë u rritën me një ritëm rekord gjatë vitit 2022, duke arritur një nivel të paparë që nga Lufta e Ftohtë, thonë ekspertët e sigurisë globale.

Rritja në Evropë bëri që shpenzimet ushtarake të arrijnë një rekord të ri prej 2.24 miliardë dollarësh, ose 2.2% e prodhimit të brendshëm bruto të botës, sipas të dhënave të Institutit Studimor të Stokholmit për Paqen Ndërkombëtare (SIPRI).

“Është për shkak të luftës në Ukrainë, që po rrit shpenzimet e buxheteve evropiane. Por janë gjithashtu edhe tensionet e pazgjidhura dhe në përkeqësim në Azinë Lindore mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”, thotë studiuesi Nan Tian, bashkautor i studimit në SIPRI.

Ndërsa Rusia sulmonte Ukrainën, Evropa shpenzoi 13% më shumë për ushtrinë gjatë vitit 2022 krahasuar me 12 muajt pararendës.

Shifrat nuk reflektojnë rritjen e shpejtë të inflacionit, që do të thotë se shpenzimi real ishte edhe më i lartë, thonë studiuesit.

Kjo është rritja më e madhe në mbi 30 vjet, dhe është një rikthim tek niveli i shpenzimeve në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit.

“Në Evropë është në nivelin më të lartë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”, tha zoti Tian.

Vetëm Ukraina rriti me shtatë herë shpenzimet e saj ushtarake, në nivelin prej 44 miliardë dollarësh, sa gati një e treta e PBB-së së saj. Vendi ka përfituar gjithashtu nga miliarda dollarë armatime të dhuruara nga vende të tjera, vë në dukje studimi i SIPRI-it.

Ndërkohë, shpenzimet ushtarake të Rusisë u rritën me 9.2% vitin e kaluar.

“Edhe sikur të heqësh nga llogaritë dy vendet ndërluftuese, shpenzimet (ushtarake) në Evropë sërish janë rritur shumë”, tha zoti Tian.

Shpenzimet ushtarake në Evropë, që kanë arritur në 480 miliardë dollarë në vitin 2022, janë rritur tashmë me një të tretën gjatë dekadës së fundit, dhe tendenca pritet të vazhdojë dhe të përshpejtohet gjatë dekadës së ardhshme.

Kontinenti evropian mund të ketë rritje të shpenzimeve ushtarake, si të vitit 2022, për disa vite në vazhdim.

Pas rënies së ndjeshme në vitet 1990, shpenzimet globale ushtarake kanë qenë në rritje që nga vitet 2000.

Rritja ishte fillimisht rezultat i investimeve masive të Kinës tek ushtria, që u pasua më tej nga tensionet e reja me Rusinë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Gjysma e rritjes nga SHBA, Kina

Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë rreth 39% të shpenzimeve ushtarake globale. Së bashku me Kinën, e cila radhitet e dyta me 13%, dy vendet kanë mbi gjysmën e shpenzimeve ushtarake të globit.

Vendet e tjera pasojnë me distancë të madhe – Rusia me 3.9%, India me 3.6% dhe Arabia Saudite me 3.3%.

“Kina ka investuar gjithnjë e më shumë tek forcat detare, sigurisht si një mënyrë për të zgjeruar shtrirjen e saj drejt Tajvanit, dhe madje edhe përtej Detit të Kinës Jugore”, tha zoti Tian.

Japonia, si dhe Indonezia, Malajzia, Vietnami dhe Australia po ndjekin të njëjtën tendencë.

Britania është vendi me shpenzimet më të larta ushtarake në Evropë dhe radhitet e gjashta në nivel botëror, me 3.1%, e pasuar nga Gjermania me 2.5% dhe Franca me 2.4% — shifra që përfshijnë edhe donacionet për Ukrainën.

Britania, e cila është donatorja e dytë më e madhe për Ukrainën pas Shteteve të Bashkuara, “shpenzon më shumë se Franca dhe Gjermania. Ajo dha gjithashtu më shumë ndihma ushtarake se Franca dhe Gjermania”, tha zoti Tian.

Polonia, Holanda dhe Suedia ishin ndër vendet evropiane që i shtuan më shumë investimet ushtarake gjatë dekadës së fundit.

Armatimet moderne dhe të kushtueshme mund të shpjegojnë disa nga rritjet e mëdha në shpenzimet ushtarake, si p.sh. në rastin e Finlandës, e cila vitin e kaluar bleu 64 avionë luftarakë amerikanë F-35.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button