Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon më 10 maj

Të hënën e kësaj jave, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Sipas gjykatës, vazhdon rreziku që ish-presidenti dhe ish-kryeparlamentari i Kosovës të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor. Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të vazhdojë më 10 maj me paraqitjen e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), njofton Syri.

Në informimin javor të gjykatës është theksuar nevoja që gjykimi të përfundojë sa më parë që është e mundur.
“Të hënën, më 17 prill, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi and z. Veseli. Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Thaçi and z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit dhe/ose të kryejnë vepra penale të tjera. Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Duke qenë se si z. Thaçi ashtu dhe z. Veseli, kanë qëndruar në paraburgim për një periudhë kohe të konsiderueshme, Trupit Gjykues dhe palëve u kërkohet të mbajnë parasysh nevojën që gjykimi të kryhet sa më shpejt që është e mundshme”, ka deklaruar Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Dëgjimi i dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, po zhvillohet i mbyllur për publikun.

Deri tani janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa dëshmitari i tretë i prokurorisë është paraqitur në gjykatore të enjten.

“Të gjitha gjykimet në DHSK janë publike; megjithatë ndonjëherë gjykatësit vendosin të kryejnë një pjesë të seancës në atë që quhet seancë private, ose të redaktojnë informacione të caktuara për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose viktimave. Vendimi për ta kryer seancën në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me shumë kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve e dëgjojnë atë që thotë dëshmitari dhe kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje”, ka thënë Doyle, transmeton KP.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button