Dëshmia e dëshmitarit të parë në Hagë e mbyllur për publikun

Gjykimi kundër katër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi ditën e sotme ka filluar me dëgjimin e dëshmitarëve, raporton Kallxo.

Katër ish-krerët e UÇK-së po akuzohen me katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Në sesionin e paradites ka filluar dëgjimi i dëshmitarit i cili nuk është i njohur për publikun.

I njëjti në pyetjet e prokurorisë ka pohuar të ketë dhënë dy deklarata në procedurën hetuese përpara kësaj prokurorie.

“Në dy raste”- ishte përgjigja e dëshmitarit kur u pyet se sa herë kishte dhënë deklarata në prokurorinë Speciale.

Tutje prokuroria para gjykatës shfaqi dy dokumente më të cilat argumentohej dëshmia e dëshmitarit që kishte dhënë në prokurori.

Të njëjtat dokumente pas kërkesës së prokurorisë nuk u transmetuan për publikun.

Përndryshe pjesa tjetër e sesionit të paradites u mbyll për publikun deri në shkuarje të pushimit për të vazhduar me sesionin e pas ditës pas 45 minutave.

Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button