DYSTOPIA

Një hulumtim i fundit i Gallup International i titulluar “World Happinnes Report” (Raporti Botëror i Lumturisë) e pozicionon Maqedoninë në vendin 95 (nga 157 shtete të mostrës) në aspekt të cilësisë së jetesës, afër me vendet si Vietnami, rajoni i Somalinandit, Taxhikistani, Mongolia, Laosi etj. Nga kjo rang listë e gjeneruar nga një analizë sistematike të gjashtë faktorëve si BPV për kokë banori, vite të shëndosha të pritjes së jetës, mbështetja sociale (e matur me të pasurit dikë pranë në kohë të problemeve), besimi (matur me perceptimin e mungesës së korrupsionit në qeveri dhe biznes), liria për të marrë vendime jetike dhe bujaria (matur me donacionet e ndryshme), konstatohet një gjë: Maqedonia dita ditës po shndërrohet në një vend gjithnjë e më të padëshiruar për jetesë.

Kjo vërtetohet edhe me fakte empirike, qytetarët e këtij vendi, meqë nuk e gjejnë lumturinë këtu, kërkojnë mundësinë e parë për t’i rregulluar valixhet dhe për të kërkuar strehë në ndonjë vend që figuron më lart apo në majat e listave të cilësisë objektive apo subjektive të jetesës. Si do të jetë i lumtur kur shfaqet një hendek i madh mes rrogës mesatare dhe nevojave mujore, kur komuniteti i të papunëve gjithnjë e më tepër po rritet, kur arsimi prodhon kuadro që nuk arrijnë të sistemohen, kur korrupsioni dhe nepotizmi janë bërë shenja njohëse të këtij vendi, kur ashensori social nuk funksionon si duhet, i ngre në maja të piramidës të paaftët ndërsa i përjashton ekselentët…?

Të gjithë parametrat faktikë tregojnë se ky vend po bëhet një dystopi e vërtetë, një antinom, apo një e kundërt e utopisë. Siç dihet utopia ëstë një term i përdorur për herë të parë nga Thomas More si titull i librit të tij të vitit 1516, ku ai përshkruan shoqërinë e një ishulli fiktiv në Oqeanin Atllantik. Termi në fjalë nënkupton një tokë të paqenë (οὐ-jo dhe τόπος- vend), pra një shoqëri inekzistente. Kuptimi i dytë, dhe më i përdorur është ai i një vendi të mirë, i një shoqërie të dëshiruar, i një shoqërie të cilësive perfekte, i barazimtarisë, i polikulturalizmit, ekologjizmit… E Maqedonia është e kundërta e shoqërisë ideale utopike, është një shoqëri që më së miri mund të ilustrohet me shprehjen dystopia  (δυσ-i/e keq/e dhe τόπος-tokë, vend jo i mirë) me të kundërtën e utopisë, me shprehjen “vend i keq”, i papëlqyer, me një kakotopi apo anti-utopi.

Dystopia është një vend ose shtet i imagjinuar në të cilin çdo gjë është e pakëndshme ose e keqe, vend tipik totalitar dhe mjedisërisht i degraduar. Sipas një hulumtimi të realizuar vitin e kaluar (SDC, RRPP) në bashkëpunim me pesë universitete të rajonit, kemi konstatuar se sa i përket Maqedonisë vetëm 43.4 % e te rinjve maqedonas dhe 55.6 % e atyre shqiptarë janë optimistë lidhur me të ardhmen. Kjo është pasqyra e një dystopie, e një shoqërie pa ardhmëri. Ky është realiteti i hidhur i një “shoqërie të kalbur”, i një mjedisi të paperspektivë, i një vendi ku lidershipi është totalisht i diskredituar, ku investimet bëhen me ters, ku ndërtohen barok ndërtesa, rrota panoramike e anije mbi lum të palundrueshëm, kurse populli rëndë i lidh ditët e muajt, gjithnjë e më shumë është në stres e defetizëm. “Utopinë” e dhjetë vendeve të para nga Danimarka, Kanadaja e Suedia s’e arrijmë dot për një kohë të padefinuar, në dystopi jetojmë, vallë a mund të bëhemi një vend normal, vend të jetës dinjitoze?

Kjo varet nga ne. Varet nga ajo se kë e vëmë në pozitat udhëheqëse, varet nga përpjekja jonë për të përmirësuar veten, tjetrin dhe shoqërinë, varet nga formula “çfarë po lexon?” e jo nga stilin i jetesës “një espresso dhe ujë (me akull)”. Përpara s’shkojmë dot me klanizma, por me garë mes vete në vlera, pasion për punë e përparim me merita. Jo me plumba dasmash që të bien në tavolinë të bahçes, jo me euro-dollarë të hedhur në ajër, jo me kunkurime por me konkurrime legjitime, jo me lazarat-kulturë, por me universitete në top 500. Javën e kaluar, në bregdetin e Dhërmisë në një shpellë të shkëputur nga qytetërimi takuam dy gjermanë (Adrianin dhe…) që në duar kishin libra dhe që vazhdonin ritualin e leximin e duke biseduar me ne, mbi shkëmbinjt e guvës. Dhe thash: Ky është dallimi, ne pas ushqimeve, këta pas librave. Dystopinë e kemi bërë vetë dhe nga ajo mund sërish të shpëtojmë, prapë, vetë. Kuptohet, nëse duam. P.S. Festivali i Bojanës ishte i bukës, rrushit dhe zemrës, jo i politikës e as i partisë! Misafirët ishin të vneshtarëve të vyeshëm e të aktivizmit të shoqërisë civile. Mos na e prishini këtë ishull të vogël të vetëbesimit, mos e na e njollosni këtë storje suksesi me prirjen tuaj të zemërngushtësisë dystopike, me tendencat total-politike për të pasur gisht gjithkund e për të kontrolluar gjithçka!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button