Wanted: Etika e profesionit (II)

Profesionistët e mjekësisë vazhdimisht përballen me çështje morale dhe dilema etike gjatë ushtrimit të vokacionit senzitiv të tyre në raport me pacientët që kërkojnë ndihmën e tyre. Andaj është shumë e rëndësishme që ata të kenë kompasin e tyre moral në mënyrë që gjithnjë të veprojnë në favor të të sëmurëve. Sipas specialistëve të fushës janë gjithsej katër shtylla të etikës medicinale që përbëjnë kornizën për ndërmarrje të veprimit gjegjës në një situatë të caktuar: të bërit mirë (beneficence), moslëndimi (non-maleficence), autonomia dhe drejtësia. (themedicalportal.com) Maksima e parë dhe më e rëndësishme e industrisë së përkujdesjes mjekësore është: Primum non nocere (Së pari, mos dëmto).

Ka disa kode që rregullojnë mirësjelljen e mjekëve, duke filluar nga Betimi i Hipokratit (shek. V p.e.s.), që ngërthen në vete parimin e konfidencialitetit dhe mosdëmtimit, Deklarata e Helsinkit (1964), që flet për respektin ndaj individit,  pacientit (neni 8) dhe Kodi i Nurembergut (1947) që thekson pranimin e informuar (informed consent).

E gjithë kjo është teori që paraqet një sfond të mirë për dimensionin aplikativ, që për fat të keq shoqërohet me shkarje e skandale si të mësipërmet, madje edhe më të rënda. Krizat shumëpërmasore e shekullit tonë është shpërfaqur edhe në sferën e etikës, kështu që eticienët flasin për një krizë të madhe morale apo etike. Sot në ta katër anët, gjithandej rrezikohemi nga kthetrat e jonjerëzve që mund të na atakojnë, nga xhepi deri te trupi e jeta. Rrezikohet madje edhe i gjithë globi nga njerëzit pa zemër, pa ndërgjegje, nga njerëzit e pacipë dhe të pashpirt. Sot njerëzimi ka më së shumti nevojë për njerëz të ndërgjegjshëm.

“Deficit i pamatshëm etike”. Kjo është diagnoza e kohës sonë. Shkollim pamasë, diploma të shumënumërta, por edukatë, kulturë, mirësjellje shumë pak, madje ka edhe të tillë që janë të larë nga vlerat humane si mermeri i larë nga pluhuri pas një shiu të rrëpishëm.

Njeriu në asnjë mënyrë nuk e bën njeri shkolla e kryer, certifikatat, dekoratat, çmimet, apoletet, shpërblimet, qofshin edhe ato globale më të lartat dhe më të çmuarat. Ne njohim dhe duam të qëndrojmë shumë më tepër me ca njerëz të dëlirë të pashkollë se sa me ca të tjerë që ushtrojnë profesione me influencë e me rroga të larta por që s’kanë marrë hisenë e njerëzillëkut. Me ta edhe një kafe është e tepërt, është helmuese. Pare, vila e vetura kanë po vlera të mirëfillta s’kanë; kanë vetëm vlera financiare dhe numerike.

Edhe të qenët doktor, në esencë duhet ta bëjë njeriun më njerëzor, sepse s’ka profesion që e njeh më mirë njeriun, çdo detaj të tij të aspektit fizik, madje edhe të spektrit psikik. Ç’e do që sot prestigji i mjekut ka rënë shumë, si edhe i shumë profesioneve të tjera. Për fat të keq! Ndër ne po edhe më gjerë, mjeku identifikohet me joprofesionalizmin dhe korrupsionin. Të gjithë jemi objekt i “sindromit të mantelit të bardhë” për të cilin flet Sara Goldberg: iu nënshtrohemi atyre, gjithçka e lëmë në duar të tyre, por një pjesë e tyre sillen si më keq, thuajse s’kanë dëgjuar për Hipokratin, Avicenën që qysh në shekullin XI ka folur për interesat e pacientit dhe ekselencën profesionale.

Etikë, etikë, etikë në çdo lëmë. Te mirëvetia kanë vënë theks rilindasit shqiptarë. Vërtet, etika profesionale është gjëja më e nevojshme dhe më e kërkuar sot, që të na kthehet optimizmi, të na kthehet besimi te vetja dhe te të tjerët që i konsiderojmë kompetentë. Etika, është si uji e buka. Sugjerojmë që lënda e etikës apo kulturës morale të përfshihet në nivele të ndryshme të sistemit arsimor, nga institucionet të financohet botimi i teksteve nga kjo fushë shumë sensitive. Zot mos na lër pa njerëz të arsimuar, pa ekspertë e para së gjithash pa njerëz të kultivuar e të mirëedukuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button