Aplikimi i Kosovës, në rend dite në Këshillin e Evropës

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës pritet të jetë në rend dite të takimit të Këshillit ministror të kësaj organizate në Strasburg më 24 prill, transmeton REL.

Në këtë mënyrë, pritet të nisë procedura e shqyrtimit të kërkesës gati një vit pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion është një prej temave edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Therese Blanche, që po zhvillohet në Luksemburg.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Kroacisë, Goran Gërliq-Ramdan, të hënën para nisjes së takimit të ministrave të Jashtëm.

“Ne do të kemi një takim me sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Do ta shfrytëzoj rastin që të mbështesim fuqishëm kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës”, tha kryediplomati kroat.

Burimet diplomatike në BE kanë thënë se veçse ekziston një mbështetje e fuqishme nga shumica e shteteve anëtare të bllokut për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Siç kanë thënë burimet evropiane për Radion Evropa e Lirë, avancimi i kërkesës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës është po ashtu një prej të arriturave të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Megjithatë, burimet nuk kanë dashur të përgjigjen prerë nëse Serbia ka shkelur marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, që u arrit më 27 shkurt, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, është shprehur se do të punojë që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Për dallim nga Bashkimi Evropian, ku aplikimet për anëtarësim miratohen me konsensus, në Këshillin e Evropës pranimi i një anëtari të ri bëhet me shumicë votash. Kosova pritet që të fitojë shumicën e duhur të votat, por ende nuk dihet se kur do përmbyllet e gjithë kjo procedurë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button