PROLEGOMENA
“Mukaddime është thesari më i hershëm sistematik i sociologjisë.”
Pitirim A. Sorokin
Auditori shqiptar tanimë ka në dorë botimin e dytë të Mukaddime-s (Prolegomena, Hyrje), një vepër kjo markante që ka lënë gjurmë në historinë e shkencës, “libri më i rëndësishëm i shkruar gjatë mesjetës, dhe një nga të arriturat më të mëdha intelektuale të të gjitha kohërave” (Virginia Quarterly Review). Ky tekst riaktualizon ligjëratën e Ibn Haldunit (1331-1406), shkollarit unik, dijetarit të parë që në bazë të një metodologjie rigoroze teorike dhe empirike është munduar të krijojë një shkencë që do merret me strukturën dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, që vuri themelet e sociologjisë klasike (ilm el-umrān), që me vizionin, analizat, elaborimet e veta të thella është i gjallë, aktual edhe në shekullin tonë, XXI, një filozof që vazhdon t’i sfidojë brezat, në veçanti intelektualët. Ibn Halduni konsiderohet baba i historisë moderne, i mendimit kritik dhe kreativ (Farooq, 2017), i ekonomiksit (Oweiss, 2023) etj. Ai shkencën e historisë e ka bazuar në një aparat logjik, e ka shpëtuar nga kritikat rreth transmetuesve te polemikat filozofike apo rreth ngjarjeve, ndodhive. Toynbee qasjen e Ibn Haldunit lidhur me proceset dhe ndryshimet sociale e konsideron si kontribut të madh për historinë. Stephen Frederic Dale e ka quajtur “historiani i fundit grek dhe Annalisti i parë” (“Annales school”: temat sociale dhe ekonomike më të rëndësishme se ato politike dhe diplomatike). Ibn Halduni ka zhvilluar atë që shkollarët modernë e kanë identifikuar si metodologji strukturaliste: shfrytëzim i logjikës klasike në identifikimin e realiteteve socio-ekonomike që qëndrojnë pas fenomeneve kulturore. (Dale, 2006)
Nga ligjërata e tij mësojmë se fenotipi njerëzor nuk është premisë e një rendi të trashëguar, të dhënë nga Zoti ose racor, se dallimet në cilësi të organizimit janë rrjedhim i kushteve humane e jo i biologjisë. Prolegomena togfjalëshin kushte humane e shpjegon si sofistikim kulturor dhe fetar të grupeve, kushte gjeografike, mjedisore dhe klimaterike. Njeriu është fëmijë i zakoneve jo i paraardhësve; çdo beduin synon që të jetë lider; kultura nomade gjeneron energji, kurse ajo sedentare e than atë – tregon Mukaddime. (Pišev, 2019)
Ibn Halduni i cili projektin e vet e ka përshkruar si një përpjekje për të gjetur një shkencë të shoqërisë dhe qytetërimit, ka shpikur një armaturë konceptuale që përfshin terma si shoqëri njerëzore (ixhtima’ insani), pushtet (mulk), sovranitet (tagal-lub), qytetërim (umran), jetë jashtëurbane (tavahhush), jetë urbane (teennus), solidaritet fisnor apo fisnorizëm (asabijje), jetë nomade (bedaveh), punë (a’mal), i kulturuar (hadari), habitus (meleke) etj. Mukaddime është vepër që me një metodologji të veçantë shqyrton tema sociologjike, antropologjike, është një libër i filozofisë së historisë dhe e filozofisë politike, është një klasikë botërore.
Është paradoksale se vepra në fjalë e Ibn Haldunit, për të cilën Aziz el-Azmeh (2021) thotë se është “thjesht një libër mrekullisht i rëndësishëm” (simply a stupendously important book), teksti numër një nga panteoni i librave që duhet patjetër lexuar nga shkollarët. Ç’e do që më tepër është studiuar në Perëndim dhe në Japoni se sa në botën myslimane. (Cheddadi, 2006) Idetë e tij kanë janë pasqyruar te opusi i mendimtarëve si Ricardo (1823), Hegeli (vd. 1831), Adam Smith (1790), Marxi (vd. 1883), Durkheim (1917), A.Xh. Pasha (1895), Ezra Park (1944), Gellneri (1995), deri te politikat e reganometriksit.
Përderisa popuj dhe kultura të tjera e kanë pasur në gjuhët e tyre ca më herët e ca më vonë këtë vepër (osmanisht 1730-31, frengjisht 1862-1868, gjermanisht 1951, turqisht 1954, anglisht 1958, boshnjakisht 2008), auditori shqiptar me veprën e plotë u takua para një dekade (2012), ndjekur nga përkthimi i dytë i vitit 2016 që u botua nga Logos-A. Ndërkohë përkthimi i kësaj vepre të jashtëzakonshme në gjuhën tonë ka prodhuar lexime, debate, interpretime, artikuj, punime, është cituar në studime të ndryshme, nga detyrat e kursit deri te tezat e masterit e të doktoratës që shqyrtojnë apo në mënyra të ndryshme trajtojnë apo prekin universin haldunian të sociologjisë, filozofisë së historisë, historisë së qytetërimeve, ekonomisë e të ngjashme. Konsumimi i ekzemplarëve të këtij libri enciklopedik, “më madhështorit të llojit të vet” (Toynbee), në kohë të defetizmit të përgjithshëm për sa i përket kategorisë së librit, është një sihariq, një fakt që flet për gjallërinë tonë si komunitet lexues dhe akademik, si shoqëri që di t’i çmojë vlerat autentike të mendimit origjinal dhe shumëpërmasor.
Urojmë që ky botim i Hyrjes (Prolegomena) që mban firmën e “shpikësit të asaj që ne sot e quajmë shkencat sociale” (Krugman, 2013) të gjejë lexuesin që s’ka arritur të ketë në dorë këtë tekst unik, të riemanojë frymën e vet gjithandej dhe të bëhet pikëtakim dhe motiv kreativiteti i mendjeve të ndritura dhe të lira që dhuntitë hyjnore i shfrytëzojnë për “përmirësimin e qytetërimit njerëzor” (André, 1973), që synojnë horizontet e kulturës dhe të ngritjes në majat e dijes globale që s’njeh kufizime kohore, hapësinore apo ideologjike. Nga lexuesit dhe përdoruesit e këtij përkthimi, për të cilët edhe ekzistojmë, në veçanti nga katedrat e sociologjisë por edhe të disiplinave të tjera sociale, presim shënime, vërejtje, komente dhe sugjerime që do ta rrisnin cilësinë e përkthimit dhe të botimit të radhës. Një tekst që duhet pasur parasysh dhe konsultuar në gjuhën shqipe lidhur me këtë vepër dhe dijetar markant është Neshet Toku, Sociologjia e Ibën Haldunit (Logos-A, 2006).
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.