Maqedonia dhe bota islame festojnë Kurban Bajramin! Gëzuar!

Sot besimtarët myslimanë në Maqedoni dhe botë festojnë festën e Kurban Bajramit, e cila është festa e dytë më e madhe myslimane menjëherë pas Fitër Bajramit.

Manifestimi qendror i Fitër Bajramit u organizua në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Në orën 5:35 të mëngjesit u fal namazi i sabahut, kurse namazi i Bajramit u fal në ora 06.50.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, në mesazhin e tij të urimit me rastin e festës së Kurban Bajramit, porositi që besimtarët të tejkalojnë inatet dhe armiqësitë, t’i zgjasin dorën njëri-tjetrit, si dhe të zgjasin dorën e ndihmës duke begatuar sofrën e të varfërve.

“Veprat e mira, dashuria e sinqertë, harmonia dhe bamirësia janë ndër gjërat më të rëndësishme që i do dhe që i kërkon Allahu i Plotëmëshirshëm prej besimtarëve. Ky është islami dhe vetëm këtë islam duhet ta përqafojmë dhe ta përcjellim. Çdo besimtar i devotshëm në këtë tokë është i ngarkuar me mision shumë fisnik – të rrezatojë vetëm dashuri, përmes të cilës hapen të gjitha shtigjet e qasjeve humane”, tha Rexhepi.“, thuhet mes tjerash në urimin e kryetarit të  Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi.

Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Me Kurban Bajramin mbaron dhe Haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Kur’ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtjet themelore të Kurban Bajramit, të cilët paraqesin tri ideale të larta Islame. Kur’ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani – sakrificën për të tjerët.

Sakrifikimi në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit shprehet përmes therjes së kafshëve të caktuara, të cilat emërohen “kurban” ose sakrificë. Edhe ky akt fetar bie në ibadetet pronësore që çdo mysliman të therë kurban.

Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Redaksia e Portalb të gjithë besimtarëve ua uron këtë festë të madhe fetare. Me shëndet! /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button