Shkëndija prezantoi blerjet e fundit
Disa orë para startit të përgatitjeve dimërore, zyrtarisht Shkëndija ka firmosur kontratë me katër futbollistë të ri, të cilët vijnë si përforcime të radhës për skuadrën ‘kuqezi’. Muhamed Useini, Demir Imeri, Bojan Vruçina dhe i riu Denis Simjonoviç janë aktivizimet e reja të Shkëndijës. Në mungesë të presidentit të klubit Jetmir Bexheti, i cili nuk ka mundur të udhëtojë drejt Maqedonisë shkaku i anulimit të fluturimeve si pasojë e mjegullave, firmosja dhe prezantimi i futbollistëve të ri u bë nga ana e drejtorit sportiv Mathias Walther. Me këtë kryesia e klubit ka plotësuar zbrazëtirat e krijuara pas largimit të 6-të futbollistëve që mbajtën fanellën e Shkëndijës në gjysmë sezonin vjeshtor.
Muhamed Useini është fëmijë i Shkëndijës, futbollist që ka kaluar gjithë kategoritë në klubin amë, ishte ndër më të mirët në sezonin kur Shkëndija doli kampione, ndërsa sezonin e fundit ishte kapiten i ekipit. Ai verën që lëmë pas firmosi për 1,5 vite me Rabotniçkin, mirëpo me insistim të kryesisë ‘kuqezi’ rikthehet në klubin amë vetëm pas gjashtë muajve të kaluara në Shkup. Useini me Shkëndijën ka firmosur kontratë 18-të mujore, ndërsa pritet të sjellë siguri të madhe në mesfushë.
18-të vjeçari Demir Imeri gjithashtu vjen nga rradhët e Rabotniçkit, si talent i madh i cili pritet që te Shkëndija të nxjerrë në pah gjithë potencialin e tij të padiskutueshëm. Imeri rrjedh nga shkolla e futbollit të Vllaznimit të Kërçovës, ndërsa progres të madh përjetoi te ekipi i Rabotniçkit. Është pjesë e kombëtares U-19 të Maqedonisë, ndërsa mund të luaj në disa pozita të mesfushës, gjithnjë me tipare sulmuese dhe problematik për mbrojtjet kundërshtare. Imeri me Shkëndijën ka firmosur kontratë për 3,5 vite.
Sulmuesi kroat Bojan Vruçina ditë më parë u zyrtarizua si blerje e re e Shkëndijës. Ai të martën zyrtarisht vendosi firmën në kontratën e tij me ‘kuqezinjtë’ ku duhet të qëndrojë deri në fund të sezonit, me hapësirë që bashkëpunimi të vazhdojë nëse të dyja palët mbesin të kënaqura. Kualitetet e 29-të vjeçarit janë të njohura dhe pritet adaptim i shpejtë i tij në taborin ‘kuqezi’. Pikërisht Vruçina pritet të jetë udhëheqës i sulmit të Shkëndijës në sezonin pranveror.
Shkëndija nga Zvicra sjell talentin Simijonoviç
Kryesia e klubit ka bërë lëvizje të jashtëzakonshme duke angazhuar talentin e madh Denis Simijonoviç. Bëhet fjalë për futbollist zviceran me prejardhje serbe. 21 vjeçari Denis Simijonoviç është mbrojtës qendror, ndërsa mund të luajë edhe në repartin e mesfushës. Simijonoviç në Tetovë vjen nga radhët e Winterthurës së Zvicrës, vetëm falë miqësisë së madhe të kryesive të dy skuadrave dhe lidhjeve të Shkëndijës në tregun zviceran. Drejtuesit ‘kuqezi’ kanë arritur të bëjnë thuajse të pamundurën, duke huazuar për 6-të muaj Simijonoviçin. Mbrojtësi i ri që në moshën 18-të vjeçare ka luajtur në Ligën e Parë të Zvicrës, ndërsa pritet që të jetë përforcim i madh për repartin defanziv të skuadrës ‘kuqezi’.
Me katër futbollistët e prezantuar sot shkon në 6-të numri i përforcimeve të reja të Shkëndijës, pasi që para vitit të ri si futbollistë ‘kuqezi’ u promovuan Astrit Fazliu dhe Nuri Mustafi.
Pas prezantimit të futbollistëve të rij, Shkëndija sot në orën 13:00 filloi me seancat stërvitore. / KF Shkëndija / Portalb