Qeveria “Rama” ndryshon sërish buxhetin 2013

Buxheti i vitit 2013 ndryshon sërish, në ditë e fundit të dhjetorit. Qeveria dërgon në Kuvend aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin aktual, me qëllim rishpërndarjen e fondeve për disa ministri. Puna e mirë në tatime e dogane krijoi të ardhura shtesë të cilat duhen adresuar sipas nevojës, shpjegohet në relacionin e qeverisë.

“Shekulli” ka mundur të sigurojë këtë dokument , ku thuhet se nxjerrja e aktit normativ vjen si pasojë e situatës së pamundur, kohës së kufizuar për të nxjerrë ligjin e nevojshëm nga organi ligjvënës, qoftë edhe nëpërmjet procedurave të përshpejtuara.

Në aktin e ri normativ thuhet se Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, aktualisht, e ka të pamundur përballimin e shpenzimeve për ekzekutimin e pagesave për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmën ekonomike për shkak se fondet e miratuara në këtë zë janë të pamjaftueshme.

Lidhur me këtë çështje, fondet e planifikuara në buxhetin e vitit 2013 për këto shpenzime janë në masën 17.4 miliardë lekë, por, si rezultat i rritjes së numrit të përfituesve më shumë se parashikimi, fondet nuk përballojnë nevojat aktuale. Për këtë arsye, nga kjo ministri është kërkuar një fond emergjent për të përballuar kërkesën për financimin e pagesave, për të paktën një muaj, prej rreth 1.9 miliardë lekësh. Po kështu, sipas qeverisë, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e ka të pamundur përballimin e pagesës së detyrimeve të krijuara nga muaji shtator 2013 e në vazhdim. Fondet e nevojshme për përballimin e këtyre detyrimeve të përllogaritura nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës janë në masën 3 miliardë lekë.

Qëllimi i aktit

Sipas argumentimit të Këshillit të Ministrave, aktualisht Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nuk disponon fonde të mjaftueshme për kryerjen e pagesave të PAK-së dhe ndihmës ekonomike, të cilat, në vlerësimin e kësaj ministrie, përllogariten në masën 1.9 miliardë lekë për të realizuar pagesën e plotë mujore për këto kategori. Gjithashtu Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nuk disponon fonde të mjaftueshme për mbylljen e detyrimeve në infrastrukturë, të krijuara nga muaji shtator 2013 e në vazhdim, të cilat vlerësohen në masën 3 miliardë lekë. Në këtë mënyrë, Ministria e Financave, nëpërmjet këtij akti normativ, mundëson kryerjen e këtyre pagesave, përkatësisht, në masën 1.9 miliardë lekë për pagesën e PAK-së dhe ndihmës ekonomike, si dhe 3 miliardë lekë për programin buxhetor “Transporti rrugor”, në varësi të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Në bazë të rivlerësimit të situatës makroekonomike dhe fiskale, të ardhurat nga tatimet dhe doganat deri në fund të vitit 2013 vlerësohen në masën 225 miliardë lekë, kjo falë miradministrimit të mbledhjes së të ardhurave nga tatimet dhe doganat.

Në relacion sqarohet se për periudhën tetor – nëntor 2013 janë mbledhur në total 3.3 miliardë lekë më shumë se parashikimi për këtë periudhë të vitit. Gjithashtu, është vlerësuar se në muajin dhjetor 2013 do të gjenerohen rreth 1.8 miliardë lekë më shumë se parashikimi për këtë muaj. Pra, në total në tre muajt e fundit të vitit administratat tatimore dhe doganore pritet të gjenerojnë rreth 4.9 miliardë lekë më shumë se parashikimi prej 220.1 miliardë lekësh në aktin normativ nr.6, datë 4.10.2013, “Për disa ndryshime në ligjin nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013””. Gjithsesi, për qëllimin e këtij akti normativ është përllogaritur një shtesë prej 4 miliardë lekësh në këtë zë për arsye të mbajtjes së një rezerve sigurie në rast të mosrealizimit të zërave të tjerë të të ardhurave buxhetore. Gjithashtu, në zërin “Shpenzime për interesa” deri në periudhën aktuale rezulton një kursim, në masën 900 milionë lekë, përkatësisht, 200 milionë lekë nga zëri shpenzime për interesat e brendshme dhe 700 milionë lekë nga zëri shpenzime për interesa të huaja.  Sipas qeverisë, ky kursim nga shpenzimet për interesat e brendshme për periudhën tetor-dhjetor 2013 vjen si rezultat i përqendrimit të huamarrjes së brendshme të re në instrumente afatgjata. Ndërsa, kursimi nga shpenzimet për interesat e huaja u mundësua nga norma interesi më të ulëta (Euribor, Libor etj.) që rezultojnë për periudhën tetor-dhjetor 2013, si dhe nga stabiliteti i kursit të këmbimit të lekut me tri monedhat kryesore (Euro, USD dhe Yen), në të cilat është përqendruar portofoli i borxhit të jashtëm. “Për sa më sipër, nëpërmjet këtij akti normativ, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i alokohet fondi prej 1.9 miliardë lekësh në programin buxhetor “Mbrojtja sociale” me qëllim kryerjen e pagesës së PAK-së dhe ndihmës ekonomike për muajin dhjetor. Gjithashtu, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës i shtohen 3 miliardë lekë në programin buxhetor “Transporti rrugor”, thuhet në relacionin e përgatitur nga Këshilli i Ministrave. Këto para do të përdoren për të shlyer borxhe ndaj firmave që kanë kryer punë publike. 

Në paketën e amendimeve të propozuara nga demokratët në kuadër të projektbuxhetit të ri 2014, parashikohet edhe disbursimi i investimeve vetë shtetit për të gjithë fermerët shqiptarë dhe investimi i 40 milionë dollarë në vit për ujin në parcela. 

Projektbuxheti

30 amendamentet e PD-së, që bazohen në premtimet e PS-së

Miratimi të shtunën i projektbuxhetit për vitin 2014 pritet që të rikthehet sërish në një betejë të gjatë parlamentare midis mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit ka paraqitur në Kuvend 30 amendamente për projektbuxhetin e ri. 30 amendimet do të prezantohen të premten nga Kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Ajo që bie në sy është se, demokratët qëllimisht amendimet e tyre bazohen te premtimet elektorale të PS-së. Në propozimet për buxhetin, demokzratët kërkojnë uljen e borxhit publik duke ulur shpenzimet e qeverisë, shëndetësinë falas, legalizimet falas, uljen e akcizës për karburantet në nivelin aktual dhe heqjen e saj për fermerët, heqjen e TVSH-së për ushqimet e shportës.

Një tjetë propozim i PD-së është edhe ai për mos uljen e nivelit aktual të të ardhurave për kategornë e punonjësve me pagë deri në 30 000 lekë. Sa i takon kërkesës për heqjen e taksës për bizneset e vogla, demokratët shprehen se “miratimi i këtij amendamenti do të ishte tregues i qartë se qeveria shqiptare nuk tallet me biznesin e vogël dhe nuk i bëri premtimet e saj për të siguruar votat e tyre”, thuhet në relacionine këtij amendamenti. Një tjetër amendim lidhet dhe me faljen e gjobave, të vendosura nga isntitucioent shtetërore gjatë kohës që vetë demokratët ishin në pushtet. Edhe pse “pendimi” i PD-së koincidon me ditën e Krishtlindjeve, grupi parlamentar demokratat ka depozituar në Kuvend dhe kërkesën për faljen e gjobave të vendosyura gjatë periudhës 1 janar-15 shtator 2013 për të gjtihë tatimpaguesit. Gjithashtu, kërkohet heqja e plotë e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë për të gjithë qytetarët shqiptarë. “Ky premtim u përfshi në mënyrë të cunguar edhe në programin e qeverisë, ku në faqen 43 të tij thuhet se do të ulet dhe kompensohet TVSH-ja për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër. Nga analiza e projektligjit të dërguar Kuvend dhe e projektrbuxhetit, ky premtim “bujar” i kryeministrit nuk është reflektuar”, thuhet në relacion. Lidhur me uljen e borzhit, demokratët shkruajnë se vetë kryeministri aktual është shprehur se “çuarja e borzxhit mbi 62 për qind, bie ndesh me interesin e çdo familjeje të zakonshme shqiptare”.  Këto ditë pritet shqyrtimi i  projektbuxhetit nen për nen nëpër komisionet parlamentare, ndërsa ditën e shtunë, Parlamenti pritet që të miratojë dhe në tërësi projektbuxhetin për vitin 2014, që sipas të majtëve, është më i madhi në vitet e fundit. 

Tabela e propozimeve të PD-së

-Pesëfishimi i investimeve të shtetit për të gjithë fermerët shqiptarë dhe investimi i 40 milionë dollarë në vit për ujin në parcela dhe sistemin e kullimit

-Falja e gjobave të vendosura gjatë periudhës 1 janar – 15 shtator 2013 për të gjithë tatimpaguesit

-Heqja e akcizës së naftës për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme për të gjithë fermerët

-Heqja e plotë e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë për të gjithë qytetarët shqiptarë

-Heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për ushqimet jetike të shportës për të gjithë qytetarët shqiptarë

-Legalizimi i banesave falas për të gjithë banorët e zonave informale

-Mosrritja e çmimit të naftës;

-Heqja e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin që përdoret për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme

-Mosulja e nivelit aktual të të ardhurave për kategorinë e punonjësve me pagë deri më 30 000 lekë

-Shëndetësi falas për të gjithë qytetarët shqiptarë

-Niveli i defiçitit të jetë më i vogël dhe konkretisht në vlerën 60 000 milion lekë.

-Heqja e taksës për biznesin e vogël

-Heqja e akcizës së naftës për bujqësinë dhe aktivitet rurale për të gjithë fermerët 

-Heqja e plotë e TVSH -së për energjinë për të gjithë qytetarët.

Lajme të ngjashme

Back to top button