David J.Kostelancik mori konfirmimin si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri

I emëruari i presidentit Biden si ambasadori i ri i SHBA-ve në Tirane David J. Kostelancik ka marrë konfirmimin unanim nga Senati Amerikan. Kostelancik do të zërë vendin e ambasadores aktuale amerikane Yuri Kim, raporton Klan. Ishte 22 Janari i vitit 2020 kur e emëruara e presidentit Trump si ambasadore do të merrte drejtimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Më 30 Mars Kostelancik, para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat paraqiti si përparësi të tij si ambasador në Shqipëri forcimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare.

“Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Kostelancik. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, theksoi Kostelancik përpara marrjes së detyrës në Tiranë.

Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, sipas tij do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike pas sulmit të fundit kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara, tha në Senat Kostelancik kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim.

Një përparësi e tretë, theksoi ai, do të jetë forcimi i klimës së biznesit sepse interesat e Shteteve të Bashkuara, shërbehen përmes një tregu transparent Shqipëri.

Zoti Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, i shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley.

Zoti Kostelancik është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë.

Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button