Vujçiq dëshiron tri pikë ndaj ish-skuadrës së tij

Përfundon pushimi dy javor dhe rrikthehen garat në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, me ndeshjet e xhiros së 24-t që në program janë në fundjavë. Shkëndija do të luajë një ditë më herët se zakonisht, pasi të shtunën përballet me Rabotniçkin në transfertë. Ekipit i erdhi mirë pushimi në kampionat për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, duke ditur orarin e ngjeshur në kampionat dhe Kupë, si dhe takimin e ndërprerë dhe përsëritur me Mlladost C.D. që ishte si ngarkesë shtesë dhe e papritur për skuadrën. Për këtë arsye stafi teknik vendosi që pauza mos të plotësohet me ndeshje kontrolluese, ndërsa futbollistët shfrytëzuan disa ditë të lira para se të nisnin përgatitjet intenzive për vazhdimin e kampionatit. Skuadra ka punuar mirë, atmosfera është në nivel, ndërsa përkundër faktit se përballë është kundërshtari kualitativ, Rabotniçki, përcaktimi mbetet i njejtë, fitore dhe tre pikë.

Stefan Vujçiq
Stefan Vujçiq

“Normal për mua disi do të jetë ndeshje e veçantë. Unë kam kaluar një periudhë të bukur atje në Rabotniçki, mirëpo megjithatë ajo tani për mua është e kaluar. Unë mendoj vetëm për Shkëndijën, për mua ajo është më e rëndësishme dhe pres që ne të fitojmë tre pikët atje, do të japim gjithçka nga vetja. Po po të dalim nga Shkupi si fitues”, deklaroi mesfushori kroato-gjerman Stefan Vujçiq, i cili në muajn janar erdhi në Shkëndijë pikërisht nga rradhët e Rabotniçkit.

Stafi teknik në krye me Bruno Akrapoviqin kanë në dispozicion gjithë futbollistët, në përjashtim të Ferhan Hasanit dhe Karlinjo Rech që pauzojnë prej më gjatë. Në skuadër rrikthehen Armend Alimi, Artim Pollozhani dhe Stenio Zhunior, të cilët munguan në ndeshjen e fundit me Shkupin për shkak të grumbullimit të nga pesë kartonave të verdhë. Tani me formacion të kompletuar pritet takimi i rradhës, ndërsa stafi teknik para ndeshjes do të vendosë për formacionin startues.

Ndeshja Rabotniçki-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, me fillim në orën 16:00.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button