Bojku fillon stërvitjet me Shkupin
Skuadra e FC Shkupi ka marrë lajm të mirë sot, pasi që shumë më herët se sa është pritur, është rikthyer i riaftësuar futbollisti i ri strugan, Besmir Bojku.
Mesfushori qendror i skuadrës shkupjane ka pesë muaj që kishte mbetur jashtë fushës, shkaku i një lëndimi që mori në ndeshjen e fundit të sezonit vjeshtor në ndeshjen kundër Mlladost CD, që Shkupi e kishte fituar 0:2 në Ohër.
Por Besmiri është riaftësuar plotësisht dhe sot i është bashkuar skuadrës në stërvitje dhe pritet që së shpejti të jetë pjesë e ekipit për ndeshjet e radhës kampionale.
“Sigurisht se jam shumë i gëzuar që po kthehem përsëri të stërvitem me ekipin. Kam punuar me intensitet të lartë dhe me një program special, që besoj se tani jam gati 100% që të ndihmojë skuadrën në sfidat e radhës që na presin. Padyshim se do të falënderoj edhe lojtarët dhe stafin teknik për pritjen e ngrohtë që më kanë bërë në stërvitjen e parë dhe kjo më bën edhe më të fortë, pasi që vërtet skuadra është një familje që mbështesim njëri tjetrin në ditë të vështira. Besoj se me lojën që kemi treguar deri më tani jemi në rrugë të mirë, por do mundohemi të përmirësohemi edhe më shumë që të arrijmë sa më lartë në tabelë”, ka thënë Bojku pas stërvitjes së parë që kishte nga kthimi prej lëndimit.
Por sigurisht se kjo është faza e parë kur Bojku ka filluar të punojë me top dhe do ti duhen së paku edhe disa javë për rikuperim të plotë, kështu mendon edhe trajneri Visar Ganiu i cili ka thënë se në konsultim me ekipin mjekësorë do të inkuadrojë edhe Bojkun në lojë.
“Është proces natyror që rikuperimi të vazhdojë edhe për disa javë, mendoj se Bojkut do ti duhet që të punojë së paku edhe 3-4 javë me top dhe më pas të planifikojmë ta kemi në mesin e 18-të lojtarëve që do të konkurrojnë për lojë, andaj nuk guxojmë të ngutemi dhe të bëjmë ndonjë hap të përshpejtuar”.
Të përkujtojmë se Shkupi këtë të diele e pret dhe një tjetër ndeshje shumë e rëndësishme, kur në Çair do të përballet me Sileksin, skuadër kjo që ka dy pikë më shumë dhe është në pozitën e tretë. /Portalb /