Detaje nga lënda e hapur kundër Visar Ganiut, Antikorrupsioni e dorëzoi në Prokurori

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, i njohur në opinion si Antikorrupsioni më 3 shkurt ngriti iniciativë deri te Prokuroria e Shkupit për ndjekjen penale të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe inspektorit komunal ndërtimor, nën dyshimin se nuk kanë reaguar ndaj kërkesave të tyre dhe Inspektoratit Shtetëror për të parandaluar ndërtimin e një objekti i cili dyshohej se është ndërtuar pa leje. Antikorrupsioni të mërkurën lëndën e ka dorëzuar në Prokurori, por nuk ka informatë të saktë se ku ndodhet objekti. Komuna e Çairit nuk i komenton fare pretendimet dhe e pret Prokurorinë të hapë lëndë, ndërkaq Inspektorati Shtetëror Ndërtimor nuk jep përgjigje ndaj pyetjeve gazetareske, shkruan Portalb.mk.

Bëhet fjalë për ndërtimin e një objekti në Duqanxhik që sipas Antikorrupsionit, Ganiu me vetëdije ka lejuar të legalizohet, duke mos vepruar sipas kërkesave të Antikorrupsionit dhe Inspektoratit Shtetëror Ndërtimor. Derisa 3 vjet institucionet kanë pritur përgjigje prej Komunës, investitori i panjohur, ka kërkuar të legalizohet objekti dhe e njëjta i është miratuar.

Sipas Antikorrupsionit, nëse do të zbatoheshin kërkesat e Inspektoratit Shtetëror dhe Antikorrupsionit, në afat prej tre vjetësh, mund të parandalohej ndërtimi dhe të zbatoheshin dispozitat për prishjen e objektit dhe masat e tjera të parashikuara në ligj, të cilat janë në kompetencë të komunës

Portalb.mk ju sjell detaje nga lënda:

2018

Më 24 dhjetor të vitit 2018-të, një grup qytetarësh kanë dorëzuar paraqitje te Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm duke u ankuar se në rrugën “Vojdan Çernodrinski” në afërsi të Duqanxhikut, një investitor i panjohur për ata është duke ndërtuar objekt pa leje.

Më 27 dhjetor 2018, inspektori shtetëror e ka dorëzuar ankesën deri tek inspektori ndërtimor komunal në Komunën e Çairit më në të cilën kërkon që të veprohet ndaj ankesës në afat prej 5 ditësh dhe të dorëzohet njoftim për të njëjtën tek Inspektorati Shtetëror.

Foto ilustrim

2019

Megjithatë, Komuna e Çairit nuk i ka kthyer Inspektorit përgjigje dhe për këtë Inspektorati Shtetëror ka dorëzuar një kërkesë tjetër, gjegjësisht urgjencë më 28 qershor të vitit 2019-të. Kësaj radhe, inspektori shtetëror kërkesën e ka dorëzuar personalisht në komunë. Megjithatë, sërish nuk ka marrë përgjigje.

Për shkak se komuna nuk është përgjigjur ndaj kërkesave të tyre, Inspektorati ka dyshuar se objekti është pa leje dhe se nuk ka dokumentacion dhe për këtë ka kërkuar nga Antikorrupsioni që urgjentisht të drejtohet deri te komuna dhe të kërkojë përgjegjësi për personat e përfshirë.

2020

Antikorrupsioni e ka shqyrtuar lëndën dhe më 22 korrik të vitit 2020 i është drejtuar Komunës së Çairit, me kërkesë që të dorëzojë informatë dhe dokumentacion për ndërtimin e objektit të përmendur. Megjithatë, Komuna e Çairit, as atyre nuk u jep përgjigje.

Antikorrupsioni sërish dërgon kërkesë më 9 nëntor të vitit 2020, por prapë pa sukses.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)

2021

Për herë të tretë, Antikorrupsioni ka dërguar kërkesë në Komunën e Çairit në dhjetor të vitit 2021, për çka merr përgjigje më 30 dhjetor.

Komuna e Çairit në përgjigjen e saj të dorëzuar në Antikorrupsion njofton se kanë vepruar ndaj kërkesës për konstatimin e statusit juridik “objekt i ndërtuar pa leje” dhe kanë miratuar vendim për këtë. Në përgjigje thuhet se objekti i plotëson kushtet për legalizim.

“Komuna ka njoftuar gjithashtu se inspektori i autorizuar përkatës ka kryer kontroll në vendngjarje dhe e ka konstatuar gjendjen faktike. Sipas procesverbalit të dorëzuar, mbikëqyrja është kryer më 9 dhjetor 2021 në Parcelën Kadastrale 13767 KO Centar 1. Në procesverbal thuhet se është konstatuar se ekziston objekt i ndërtuar në parcelën në fjalë dhe objekti nuk është në fazë të ndërtimit, ndërkaq i njëjti paraqet tërësi funksionale”, thuhet në vendimin e Antikorrupsionit.

Komuna e Çairit, Foto: FB

2022

Antikorrupsioni ngriti iniciativë për shkak të dyshimit se kryetari i Komunës së Çairit dhe inspektori komunal nuk i kanë zbatuar detyrat e zyrtare, duke e pasur parasysh se nuk kanë vepruar ndaj kërkesave të Inspektoratit Shtetëror dhe Antikorrupsionit për objektin e ndërtuar.

“Në rastin konkret nuk është kryer mbikëqyrje nga inspektori përkatës sipas Ligjit për Ndërtim dhe Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese, as kryetari i komunës nuk ka siguruar zbatim të kompetencave në pajtueshmëri me Ligjin për vetëqeverisje lokale sipas kërkesës së Inspektoratit Shtetëror dhe Antikorrupsionit në periudhë prej tre vitesh”, thuhet në vendimin e Antikorrupsionit.

Në vendimin e Antikorrupsionit thuhet se ata bashkë me Inspektoratin Shtetëror për Ndërtimtari prej vitit 2018-të kanë bërë tentativa për të marrë përgjigje nga Komuna e Çairit, ndërkaq, nga ana e inspektorit komunal është dërguar përgjigje më 30 dhjetor të vitit 2021 me përmbajtje se për objektin është dorëzuar kërkesë për konstatimin e statusit juridik për “objekt të ndërtuar pa leje”.

“Përgjigja e këtillë e dorëzuar hedh dyshime se objekti i ndërtuar në parcelën “KP 13767 KO Centar 1” është ndërtuar pa leje, pasi që nëse do të veprohej ndaj kërkesave të Inspektoratit Shtetëror dhe Antikorrupsionitnë periudhë prej vitit 2018-të deri në vitin 2021, do të mund të pengohej dhe të zbatohen dispozitat për largimin e ndërtimit dhe mund të merreshin masa tjera të parashikuara me Ligjin për Ndërtim, të cilat janë nën kompetencë të komunës”, thuhet në vendimin e Antikorrupsionit.

Antikorrupsioni thekson se organet kompetente e kanë njoftuar Komunën e Çairit për objektin e mundshëm pa leje, por duke e pasur parasysh se nuk është vepruar për të njëjtin, atëherë ekziston dyshimi se është mundësuar që të përfitojë investitori.

Konkretisht, sipas nenit 2 nga Ligji për Veprim me Objekte të Ndërtuara pa Leje thuhet se kërkesë për konstatimin e gjendjes juridike të objektit të ndërtuar pa leje mund të dorëzojnë të gjithë pronarët e objekteve pa leje, të cilat i kanë ndërtuar deri më 3 mars të vitit 2011, ndërkaq paraqitje e dorëzuar deri tek Inspektorati Shtetëror thuhet se aktivitetet e ndërtimit janë zhvilluar derisa e kanë dorëzuar paraqitjen më 24.12.2018-të për çka kanë dorëzuar dhe fotografi nga vendi i ndërtimit.

“Për shkak të këtyre rrethanave ekziston dyshimi se me moszbatimin e detyrës së tij zyrtare kryetari i komunës dhe inspektori i autorizuar ndërtimor kanë mundësuar ndërtim pa leje dhe me atë kanë siguruar përfitim për të tjerët, për shkak se në bazë të nenit 17 paragrafi 1 pika 5 e Ligjit për Parandalim të Korrupsionit dhe Konflikt të Interesit, për këtë Antikorrupsioni deri te PTHP Shkup do të ngrit Iniciativë për ngritjen e përndjekjes penale për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 nga Kodi Penal nga ana e dy zyrtarëve”, thuhet në vendimin e Antikorrupsionit.

Ku gjendet objekti, kush është investitori, nuk dihet

Portalb.mk kontaktoi Komunën e Çairit për të pyetur në lidhje me pretendimet e Aniktorrupsionit, megjithatë ata nuk u përgjigjën ndaj pyetjeve tona, për atë se për cilin objekt bëhet fjalë dhe pse nuk ka vepruar Komuna e Çairit ndaj kërkesave të Inspektoratit Shtetëror dhe Antikorrupsionit.

“Në adresë të Komunës së Çairit nuk ka ardhur asnjë kallëzim penal nga Prokuroria themelore publike – Shkup”, thanë shkurt nga Komuna e Çairit për Portalb.mk në lidhje me lëndën e hapur nga Antikorrupsioni.

Portalb.mk u drejtua deri tek Inspektorati Shtetëror për të marrë detaje për lëndën në fjalë, megjithatë prej atje pavarësisht se na premtuan, ende nuk kanë dërguar përgjigje.

Nga ana tjetër, Antikorrupsioni, ndonëse e ka hapur lëndën, ata thonë se nuk kanë dalë në terren dhe nuk e dinë saktësisht se për cilin objekt bëhet fjalë, pasi që ata merren me procedurën e mosveprimit të komunës.

Sipas Antikorrupsionit, objekti gjendet në rrugën “Vojdan Çernodrinski” (afër Duqanxhikut). Kjo rrugicë ndodhet afër tregut të “Bit Pazarit” dhe Stacionit Policor “Bit Pazar”, apo e njohur si rruga e dyqaneve që shitet tekstil dhe gjësende tjera me shumicë dhe pakicë.

Rruga “Vojdan Çernodrinski", foto Google Street View
Rruga “Vojdan Çernodrinski”, foto Google Street View

Në këtë rrugë ndodhen dhjetëra objekte, shumica e të cilave janë hapësira biznesi. Disa prej tyre janë më të reja, megjithatë institucionet nuk tregojnë se për cilin bëhet fjalë.

Sipas të dhënave që dalin nga Karta Topografike e Agjencisë së Kadastrës, në bazë të numrit të parcelës Kadastrale (13767/1 KO Centar 1), në këtë tokë ka të ndërtuar ndërtesë, megjithatë për këtë duhet ta konfirmojnë institucionet.

Parcela Kadastrale "KP 13767 KO Centar 1"
Parcela Kadastrale “13767 KO Centar 1”

Anëtari i Antikorrupsionit, Vlladimir Georgiev konfirmoi për Portalb.mk se lënda dje është dorëzuar në Prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button