Solidariteti dhe bëmirësia

Tërmeti i tmershëm që kaploi Turqinë dhe Sirinë para dhejtë ditësh i bashkoi shumë njerëz të mirë që me gjithë shpirt u munduan t’u ndihmojnë njerëzve që e përjetuan në lëkurën e tyre këtë fatkeqësi. Njëri nga librat e Kadaresë titullohet “Ra ky mort, e u pamë”. Dhe vërtet, pikërisht në momente të vështira si këto, njerëzit dallohen më mirë. Dikush bashkëndjen me të përvuajturit, dikush mundohet ta shfrytëzojë situatën në interes të vet, dikush bën krim, e dikush bën të mira. Njerëzishmëria njihet në momentin e vështirësisë. Atëherë pasqyrohet shumë qartë shpirti njerëzor.

Në momente të vështira dallohen edhe më shumë ndasitë. Ashtu si që ndahen nga një kufi Turqia dhe Siria, ashtu u dallua edhe qasja ndaj viktimave të tërmetit në të dy anët e kufirit. Sikur e gjithë bota u preokupua parësisht me Turqinë dhe disi harroi që edhe matanë kufirit ka viktima që e përjetuan të njejtin tmerr. Por ata matanë kufirit, sikur jemi mësuar që ti shohim viktima të tmerrit tash e sa vite, dhe sikur i kemi lënë në harresë. Por ja që edhe ata janë viktima që do të rëndojnë gjatë kohë në ndërgjegjen njerëzore, pikërisht për shkak të trajtimit të pabarabartë që e përjetuan në këtë fatkeqësi. Solidariteti dhe bëmirësia nuk njohin kufi dhe duhet të shpërndahen kudo njësoj, sepse të gjithë jemi njerëz dhe nevojat tona në kohëra të krizave të mëdha janë identike.

E kur jemi tek solidariteti dhe bëmirësia e shprehur në vendin tonë ndaj kësaj ngjarjeje tragjike, është e pamundur të harrohet pamja makabre e shesheve të qytetit që për disa ditë gjasonin më shumë si deponi të mbeturinave se sa si vende ku mblidhen donacionet për tu ndihmuar njerëzve që kanë përjetuar një fatkeqësi. Më shumë se një aktiviteti solidar, ajo që po ndodhte i ngjante një pastrimi të shtëpisë që bëhet në pranverë, kur lirohemi nga gjërat që nuk na duhen, ose që nuk na krijojnë kënaqësi. Në lëvizjen minimaliste, pastrimi i shtëpisë nga gjërat e tepërta zë vend shumë të rëndësishëm. Një rregull që kjo lëvizje e promovon është që ti dhurojmë gjërat që nuk na duhen, por që janë ende të përdorshme. Bile thonë që gjërat që dikujt nuk i duhen janë pasuria e dikujt tjetër. Siç duket shumë qytetarë nga vendi jonë këtë parim e kishin kuptuar tekstualisht. Kështu, për të mbijetuarit e tërmetit shkatërues ata kishin vendosur të dhurojnë fustanet e tyre të dasmave që nuk janë më në modë, këpucët me taka që nuk i veshin më, dhe të brendshmet në gjendje të mjerueshme të denja vetëm për në koshin e mbeturinave. Nuk është problemi vetëm tek absurditeti i dhurimit të gjërave që aspak nuk nevojiten në një vend krize. Problemi kryesor qëndron në binjen e dikujt se me këtë gjest ka bërë një mirësi dhe është treguar solidar me njerëzit në nevojë.

Në kohëra të vështira shihen njerëzit e mirë. Dhe sot i falenderoj nga zemra të gjithë ata aktivistë që bënë të pamundurën të përgatisnin donacione të përshtatshme dhe të nevojshme për njerëzit që përjetuan një tragjedi. Ata punuan ditë e natë për të selektuar mbeturinat që qytetarët i dërguan, dhe për të krijuar pako që janë të përdroshme dhe të denja për bëmirësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button