Petkovski: Do fitojmë pikët për tifozët tanë në Çair

Skuadra e FC Shkupi të dielën do të ketë një ndër përballjet më interesante të javës, pasi luan derbin e qytetit me skuadrën e Rabotniçkit. Dy ekipet janë me pikë të barabarta dhe ndajnë pozitën e terë dhe të katërt në tabelë. Edhe pse ndeshja duhej të ishte një festë e futbollit në Maqedoni, kjo u prish pasi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), kishte kërkuar që ndeshja të mos luhet në Shkup, por në qytet tjetër dhe atë pa praninë e shikuesve.
Edhe pse ka pësuar ndryshim vendi ku do të luhet ndeshja, futbollistët e Shkupit ndjehen të përgatitur për sfidën e radhës, duke shpresuar që me lojë të mirë të vazhdojnë serinë pa disfatë në sezonin pranverorë.

Për ndeshjen e të dielës ka folur dhe përforcimi i fundit i Shkupit, Filip Petkovski, i cili më parë ka luajtur për skuadrën e Rabotniçkit.

“Si në çdo ndeshje, po ashtu edhe në këtë të së dielës, pres nga ekipi im duke e përfshirë aty edhe veten që të japim maksimumin. Në dy ndeshjet e para të sezonit të ri treguam se dimë dhe mundemi të marrim më të mirën. Të dielën jemi mysafirë të Rabotniçkit, ekip me të cilën kemi pikë të njëjta në tabelë. Ne nuk shkojmë atje me flamur të bardhë, shkojmë për të treguar lojë të mirë dhe për të treguar atë që dimë ta bëjmë më së miri. Dëshiroj që pikët ti marrim me vete dhe tua dedikojmë tifozëve tanë nga Çairi, të cilëve në këtë rast ju ndalua të jenë të pranishëm në stadium dhe për çka ndeshja do të jetë e varfër sa i përket shikueshmërisë”, ka thë Petkovski i cili ka shtuar më tej se tani zemra e tij është e lidhur me skuadrën e Shkupit.

“Edhe pse unë më herët kam qenë futbollist i Rabotniçkit, emocionet dhe zemra ime tani është e lidhur me skuadrën e Shkupit. Kam respekt ndaj skuadrës ku kam kaluar vite të mrekullueshme, por të dielën udhëtoj me një qëllim, të mos humben pikët”, ka shtuar Petkovski.

Skuadra e Shkupit edhe për këtë ndeshje është e kompletuar. Ndeshja Rabotniçki – Shkupi luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Veles, me fillim në ora 14:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë gjyqtari nga Ohri Marjan Eckoski me ndihmësit e tij Zharko Todorovski nga Ohri dhe Nikolla Bozhinovski nga Shkupi. /Portalb /

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button