Ben Blushi kundër Ramës: Mos mirato paketën antikorrupsion pa pyetur SHBA dhe OSBE

Tashmë i identifikuar si deputeti më rebel dhe i guximshëm në grupin parlamentar socialist, Ben Blushi ka dalë sërish kundër qeverisë, teksa ka kërkuar që të merren parasysh kërkesat e SHBA dhe OSBE, sa i takon ndryshimeve në ligjin e Kodit të Procedurës Penale dhe atë të Antimafias.

Në Komisionin parlamentar të Integrimit, ku u diskutua projektligji për ”Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’’, deputeti Blushi i kërkoi përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, që të merren parasysh vërejtjet e OSBE dhe ambasadës amerikane në lidhje me dy projektet për luftën kundër korrupsionit.

“OPDAT dhe OSBE kanë bërë me dije disa ankesa. Do ishte mirë ta kishim letrën këtu. Çfarë vërejtjesh ka në këtë ankesë? Keni marrë ndonjë gjë prej tyre? Keni ndërmend të merrni në konsideratë ndonjë nga ankesat e tyre?”, iu drejtua Blushi përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë. Drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë kanë kërkuar nga deputetët miratimin e projektligjit, pasi si rrjedhojë kjo sjell edhe rritjen e luftës ndaj korrupsionit.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ndryshimet e bëra më parë në Kodin e Procedurës Penale nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. ”Gjatë hartimit të projektligjit ka pasur qëndrime të ndryshme. Ne jemi të hapur edhe tani për qasje të reja për projektligjin. Objektivi ynë është lufta kundër korrupsionit dhe ndryshimet e para të bëra në Kodin e Procedurës Penale apo ligjet e tjera nuk kanë dhënë rezultate”, kanë bërë të ditur përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërsa përfaqësuesit e OSBE-së, kanë deklaruar se, Gjykata e Krimeve të Rënda nuk janë njësi e specializuar kundër korrupsionit.(SotNews)

Lajme të ngjashme

Back to top button