Padia penale për Arben Imamin, heshtin Basha dhe Berisha

Reagime të pakta dhe të vakëta nga politika opozitare, për ish ministrin e Mbrojtjes Arben Imami që rrezikon burgun me akuza të rënda nga ministrja e re e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

As kryetari demokrat Lulzim Basha dhe as lideri historik i PD, Sali Berisha nuk kanë mbajtur ndonjë qëndrim reagues apo mbështetës deri tani ndaj Imamit lidhur me akuzat e mazhorancës së re.

Të vetmit që kanë reaguar janë deputetja e Fierit, Mesila Doda dhe ish ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Deputetja demokrate Mesila Doda thotë se padia për Arben Imamin ishte e pritshme. Ajo thotë se ka muaj që përflitet tendenca për të fajësuar veçanërisht zotin Imami si një prej përfaqësuesve të ekzekutivit që ka qëndruar përgjatë gjithë kohës në sulme të egra te opozitës se dikurshme, transmeton noa.al.

“Solidarizohem me të dhe besoj se sulmet personale nuk do të munden kurrsesi të kthehen në persekutime të karakterit politik në Shqipërinë e vitit 2013! Themeluesit e PD nuk u tremben nga Enver Hoxha dhe shpura komuniste para 20 vitesh! Sot ta harrojë njeri se mundet të sjellë frikën ndër ta”, – thotë Doda.

Ndërsa ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Noka e cilëson një sulm politik padinë e Ministrisë së Mbrojtjes ndaj ish-drejtuesit të këtij institucioni, Arben Imami. Ish-ministri Noka tha se kjo padi është një tentativë një për tu hakmarrë për ngjarjet e 21 Janarit, që sipas tij do të rezultojë një flluskë sapuni.

Lajme të ngjashme

Back to top button